Meta: Kryeministri Rama bëri gabim fatal, kërcënoi Presidentin e Shqipërisë

Mosdekretimi i Gent Cakajt si Ministër të Jashtëm ka ngjallur reagime pozitive, sidomos në Kosovë. Teksa kryeministri Rama e ka cilësuar si një vendim të turpshëm dhe anti-kushtetues refuzimin e Presidentit Meta për dekretimin e Cakajt, Presidenti Ilir Meta ka reaguar mëngjesin e së premtes me një status tepër të ashpër ndaj kryeministrit.

”Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”,-shkruan Presidenti Meta.

Duke e cilësuar si gabim fatal qëndrimin e Ramës që kërcënoi institucionin e Presidencës, Meta shton se Shqipëria është e para dhe mbi të gjitha interesi kombëtar.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para.

SHKARKO APP