Ilir Meta: Roli i individit në raport me institucionet është ende i fortë
Nga Ilir Meta*
Kjo tryezë është një detyrim që rrjedh nga progres raporti i Komisionit evropian për Shqipërinë për përmbushje e pesë prioriteteve dhe rekomandimeve specifike që ky raport ka adresuar për Kuvendin e Shqipërisë. E konsideroj këtë takim si një mundësi shumë të mirë për të identifikuar dhe kodifikuar mjete dhe mekanizma institucionalë në qasjen ndaj këtij problemi për shqyrtimin e shpejtë të plotë dhe të monitorueshëm në zbatim të raporteve të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura.
Është një rast i veçantë për të diskutuar dhe vendosur standarde të përditshmërisë në mënyrën e trajtimit të këtyre raporteve në mënyrë që të realizohet shqyrtimi sa më shpejtë të jetë i mundur, siç theksohet në progres-raport, por edhe për të realizuar ndjekje të përshtatshme dhe në vijimësi të rezultateve dhe të ndryshimeve që kërkojnë raportet e bashkëpunimit. E shkuara sjellje edhe shembuj të mirë, por edhe të kundërtën e tyre. Dhe kjo e fundit kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit koordinimit dhe bashkëplotësimit të pushteteve të veçantë dhe të institucioneve të ndryshme.
E kam këtu fjalën për problemet sa i takon praktikës së kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve mbi të cilën është ngritur dhe hartuar edhe Kushtetuta e vendit. Fryma dhe roli tradicional i individit në raport me institucionet është ende i dukshëm dhe i fortë. Si në parimet komunikuese, sa më shumë vendimmarrja varet nga një individ aq më shumë dëmtohet pushtetet në përgjithësi institucione, por dhe raportet e ndërveprimit mes tyre dhe po ai dukshëm dhe i ndikueshëm është më pas edhe vullneti institucional që buron nga humoret e ndryshueshme të politikës përballë asaj që dikton Kushtetuta dhe ligji.
Më shumë se individë të fortë demokracia jonë ka nevojë për institucione të forta e të qëndrueshme dhe për një kulturë të bashkëpunimit ndërinstitucional. Kjo është një aksiomë e pandryshueshme e çdo demokracie funksionale. Dhënia e llogarisë dhe kërkesa e llogarisë respektimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe ndërvarësia e tyre, me një fjalë kontroll dhe balanca, janë çelësi kryesor i suksesit të përditshëm.
Do të doja të vlerësoja si Kryetar i Kuvendit rolin dhe kontributin e punës suaj të përditshme si një nga hallkat kryesore të ecjes përpara të vendit dhe progresit të tij. Është fakt se është shtuar bashkëpunimi dhe komunikimi mes Kuvendit, mekanizmave ligjvënës të tij dhe institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Është rritur informimi dhe transparenca, komunikimi dhe gjithëpërfshirja.
Kjo gjë tashmë është rregull dhe jo përjashtim në konsultimi reciprok dhe tërheqjes së opinioneve përmes seancave dëgjimore por dhe gjatë procesit ligjvënës në fusha të caktuara të legjislacionit.
Kjo ka sjell si rrjedhojë edhe shtimin e dukshëm dhe forcimin e kapaciteteve institucionale por edhe financiare, thellimin dhe rritjen e pavarësisë së institucioneve tuaj, por edhe vëmendjen e shtuar për zbatimin e rekomandimeve tuaja për administratën publike shtetërore.
Zëri juaj është bërë gjithmonë e më i rëndësishëm për qeverisjen e vendit. Reforma në drejtësi, si akti më i rëndësishëm i kësaj legjislature, ishte një shembull i përfshirjes së shumë prej institucioneve kushtetuese dhe të pavarura. Dhe padyshim në suksesin e pritshëm të kësaj reforme është mjaft i rëndësishëm edhe bashkëpunimi i shumë prej institucioneve tuaja.
Në përgjithësi aktiviteti parlamentar, Komisionet e përhershme dhe Nënkomisionet e veçanta, Komisionet Hetimore dhe organet tjera të Kuvendit kanë shtuar instrumentet e kontrollit parlamentar.
Roli aktiv i komisioneve parlamentare në shqyrtimin e raporteve vjetor të institucioneve tuaj, debatet hapura mbi treguesit e performancës, marrja e mendimeve nga institucionet e tjera që koordinojnë dhe kontribuojnë në fusha të caktuara të legjislacionit, shqyrtimi dhe miratimi i rezolutave për çdo institucion dhe me rekomandime konkrete, janë fusha ku është venë re ndryshim dhe ka vend edhe më tej për përmirësim dhe progres.
Është i nevojshëm forcimi i sistemit të monitorimit parlamentar për zbatimin raporteve të institucioneve kushtetuese dhe të pavarura në mënyrë që zbatimi i rekomandimeve të tyre, sot e nesër, të mos mbetet peng, asi vullnetit të mirë dhe as vendimmarrjes individuale, por të ketë një zgjedhje të garantuar institucionale.
Kjo gjë e tillë është e lidhur në mënyrë direkte me forcimin e vet institucioneve, pavarësinë e tyre dhe garantimin e standardeve të funksionimit të tyre sipas përvojës më të mirë evropiane.
Me këtë rast do të dëshiroja të riafirmonim si Kuvend detyrimin kushtetues dhe angazhimin tonë për të qenë garant dhe pjesë e mekanizmit që fuqizon integritetin dhe pavarësinë e gjithë institucioneve kushtetuese dhe të pavarura.
Vetëm duke forcuar sistemin e kontrollit dhe ndërveprimit institucional, me gjithë përfshirje dhe transparencë publike, mund të garantohet standardet, besueshmëria dhe përgjegjshmëria jonë, në funksionim e shtetit të së drejtës dhe përmbushjen e prioriteteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jo si qëllim në vetvete, por është rruga e vetme për garantimin e standardeve evropiane në çdo fushë për shoqërinë dhe për shtetin tonë.
*Fjala e Kryetarit të Kuvendit,Ilir Meta në tryezën me përfaqësues të institucioneve të pavarura