Meta shtron iftar për Ramazan, të ftuar krerë fetarë, ambasadorë e diplomatë
Presidenti Ilir Meta shtroi të mërkurën në Pallatin e Brigadave, një darkë iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit, ku ishin të pranishëm kreu i Bashkësisë Myslimane Shqiptare, Haxhi Skënder Bruçaj, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë dhe personalitete të ndryshme.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, presidenti i Republikës uroi të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë për një agjërim të mbarë, e sigurisht vlerësoi sakrificën e tyre në përkushtimin ndaj Zotit dhe vlerave humane.
“Ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj në këtë mbrëmje iftari, për të ndarë së bashku nderimin për Muajin e bekuar të Ramazanit! Si çdo festë fetare te ne, Muaji i Ramazanit është një mundësi, në të cilën shqiptarët shprehin vlerësimin ndaj Zotit, si dhe vëllazërimin, mirëkuptimin dhe harmoninë ndërfetare që ekziston në Shqipëri. Në këtë ditë të 15 të iftarit do të doja së pari t’iu uroja të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë agjërim të mbarë, dhe të vlerësoj sakrificën e tyre në përkushtimin ndaj Zotit, si dhe ndaj vlerave humane. Ramazani është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe i mëshirës hyjnore. Është muaji ku dalin në pah cilësitë më të mira njerëzore si bujaria, toleranca, durimi, shpirtmirësia, si dhe respekti e dashuria për njëri-tjetrin. Ramazani përcjell përherë mesazhe ngrohtësie për besimtarët dhe i fton ata për më shumë dhembshuri dhe bujari sidomos për të varfrit, familjet në nevojë, jetimët, të moshuarit dhe të vetmuarit. Uroj që mesazhet e solidaritetit nga ky Muaj i Shenjtë të vazhdojnë edhe më tej të plotësojnë kërkesat e qytetarëve tanë për më shumë mundësi, paqe, solidaritet dhe drejtësi sociale”, tha ndër të tjera presidenti Meta.
Më pas Ilir Meta ka postuar në profilin e tij në Facebook shkruan: Sot pata nderin e veçantë të shtroja një darkë Iftari, për të ndarë së bashku me kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Skënder Bruçaj dhe drejtuesit e komuniteteve të tjera fetare, nderimin për Muajin e bekuar të Ramazanit!
Nga ky Iftar ju përcjell të gjithë besimtarëve shqiptarë, kudo ndodhen, respektin tim të thellë për përkushtimin e tyre ndaj Atdheut e Zotit si dhe t’ju uroja:
Gëzuar Muajin e Shenjtë të Ramazanit!
Paqe e mirësi në shpirtin dhe familjet tuaja! Agjërim të lehtë e të pranuar! Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar!