Meta takon deputetët e Bundestagut: Vendi i Shqipërisë është në Europë

Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta është pritur sot në një takim në Komisionin e Çështjeve Europiane në Bundestag.

Zyra e Shtypit e Kreut të Parlamentit njofton se Meta është takuar me deputetët Norbert Spinrath, Christian Petry dhe Joachim Barchmann.

Gjatë fjalës së tij Meta ka shprehur vlerësime për interesin që Komisioni i Çështjeve Europiane në Bundestag ka treguar ndaj Shqipërisë. “Ju falenderoj për vëmendjen e Komisionit Tuaj në Bundestag dhe për mbështetjen ndaj integrimit të Shqipërisë. Kryefjala jonë është  zbatimi pa vonesa i reformës në drejtësi”,- është shprehur Meta.

Ai ka shtuar se “hapja e negociatave është hap i natyrshëm në procesin e integrimit evropian”.

Deputet Gjerman Norbert Spinrath ka vlerësua rolin e Shqipërisë në rajon. Lidhur me integrimin ai është shprehur se: “Jemi të qartë se vendi juaj është në Europë dhe do t’ju shoqërojmë drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

meta1

meta1Takimi i sotëm i kreut të Kuvendit është në vazhdën e takimeve që po zhvillon në Bundestag (Parlamenti Gjerman) për çështjen e integrimit. Dje Kryetari i Kuvendit,  takoi Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në SPD, Niels Annen, njëkohësisht Zëdhënës për Politikën e Jashtme të Grupit Parlamentar të SPD në Bundestag, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet shumë të ngushta gjermano-shqiptare në të gjithë nivelet.

Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Bundestagut dhe në veçanti për qëndrimin konstant të Partisë Social Demokrate (SPD) ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian dhe integrimit të plotë të Shqipërisë, duke e cilësuar zgjerimin e BE drejt Ballkanit si kyç për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

Në këtë drejtim, z. Meta vuri në dukje se “Procesi i Berlinit, ku Gjermania luan një rol parësor, është tepër i rëndësishëm për vendet tona, duke i shërbyer ndërlidhjes rajonale dhe zhvillimit socio-ekonomik”.

Kryetari i Komisionit të Jashtëm të SPD, Annen u shpreh se pavarësisht disa zhvillimeve shqetësuese në disa vende evropiane, zgjerimi i Bashkimit Europian është një opsion i hapur dhe i drejtë, ndaj avancimi përmes rrugëtimit realist të Ballkanit dhe veçanërisht i Shqipërisë drejt BE-së ka një rëndësi strategjike për gjithë Europën.

“Ne këtu në Bundestag i kushtojmë vëmendje rajonit tuaj dhe jemi të përkushtuar ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë”, – u shpreh Annen.

Meta dhe Annen ndanë bindjen më tej se frustrimi social gjithnjë e në rritje krijon hapësira për alternativa populiste, të cilat rrezikojnë projektin europian dhe vlerat social-demokratike, që Shqipëria ndan me Gjermaninë, ndaj përqendrimi te zgjidhjet e qëndrueshme sociale dhe ekonomike për qytetarët dhe veçanërisht për të rinjtë në vendet e Europës Juglindore duhet konsideruar si një prioritet i përbashkët për të cilin duhet intensifikuar bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, duke biseduar mbi zhvillimet e fundit rajonale, u vlerësua asistenca gjermane në avancimin e reformave kyçe dhe në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit tonë dhe u theksua rëndësia e zbatimit të reformës në drejtësi si kyçe për integrimin europian të Shqipërisë.

Takimi me zv.presidentje e Bundestagut, Ulla Schmidt

Po dje, gjatë vizitës në Berlin, Kryetari i Kuvendit u prit në takim edhe nga zv.presidentja e Bundestagut, Ulla Schmidt, me të cilën u vlerësuan marrëdhëniet historike, ekonomike e kulturore me Shqipërinë.

Schmidt shprehu edhe një herë mbështetjen e Gjermanisë për zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë ndërsa dy bashkëbiseduesit ndanë bindjen se perspektiva evropiane e Ballkanit duhet të avancojë dhe se Gjermania ka një rol kyç në këtë proces. Meta theksoi se, roli Bundestagut është shumë i rëndësishëm për integrimin europian të Shqipërisë.

“Dua të shpreh mirënjohje tonë për mbështetjen gjermane ndaj Shqipërisë. Jemi të vendosur të punojmë për më tepër të drejta sociale dhe të rrisim nivelin e jetesës së shqiptarëve. Vlerësojmë ekspertizën gjermane për një arsim profesional për të rinjtë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë takimit.

SHKARKO APP