Meta: Zero marrëveshje me Ramën. Jam koherent në mbrojtjen e Kushtetutës si në 2 mars

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se dekretimi i ndryshimeve në Kodin Penal ishte një domosdoshmëri për vendin dhe nuk ka asnjë mungesë koherence nga ana e tij, në mbrojte të Kushtetutës.

Në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në emision “Hard Talk”, Presidenti u shpreh se me Edi Ramën ka “Zero marrëveshje, nga ana ime në respektin e Kushtetutës, të ligjeve! Dhe sidomos të Kushtetutës, sepse ajo është mbi çdo ligj dhe për fat të keq ne kemi nxjerrë gjatë kësaj kohe mjaft ligje që dalin mbi Kushtetutën dhe që është një çmenduri! Është sikur në ushtri të dalë një kapter mbi gjeneralin! Apo në diplomaci që një atashe ambasade të dalë mbi ambasadorin, sepse kështu është e ndërtuar e gjithë arkitektura e shtetit ligjor!”.

Pjesë nga intervista e Presidentit Ilir Meta:
Gazetari
: Zoti President, më 2 mars ishte kulmi i betejës suaj politike në mbrojtje të Kushtetutës, kundër asaj që ju e cilësuat si grusht shteti. Ju e firmosët përpara rreth 100 mijë protestuesve kthimin e dekretit të atij ligji për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që tashmë njihet për opinionin publik. Si mund të qetësoheshit ju vetëm në dy muaj?

Presidenti Meta: Ne duhet të jemi në koherencë me të gjitha zhvillimet dhe me të gjithë sfondin e ngjarjeve, ku kanë ndodhur edhe qëndrimet apo sjelljet politike që mund të duken jo shumë koherente, ndërkohë që koherenca jam i sigurt që është e plotë, ndërkohë sikurse është përgjegjshmëria në adresimin e sfidave më të mëdha.

Me vendosjen e gjendjes së situatës së jashtëzakonshme, sikurse është kjo situatë për shkak të pandemisë, padyshim që përballimi në një mënyrë sa më mbarëvajtëse dhe bashkëpunuese të kësaj situate, ka qenë dhe mbetet detyra më kryesore e të gjithëve mendoj unë, jo vetëm e Presidentit të Republikës, jo vetëm e qeverisë që padyshim ka më shumë detyra, duke përfaqësuar tërësisht ekzekutivin, por edhe e opozitës, edhe të gjithë grupeve të interesit dhe vetë qytetarëve.

Kështu që sjelljet e mia duhen parë gjithmonë në këtë kontekst, të interesit më të mirë të përbashkët për ta tejkaluar këtë situatë dhe gjithmonë unë kam bërë thirrje që edhe në këtë situatë duhet të ruajmë ligjshmërinë, duhet të respektojmë kushtetutshmërinë, sepse Kushtetuta jonë i ka parashikuar edhe këto raste të jashtëzakonshme, të veçanta, në mënyrë që të ruajmë edhe shëndetin e qytetarëve, por edhe një balancë me ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive të tyre, pavarësisht se disa prej tyre edhe mund të kufizohen, pikërisht për të mbrojtur shëndetin e tyre.

Gazetari: Ju i keni paraqitur një kërkesë Këshillit të Lartë Gjyqësor për Ardian Dvoranin, dhe sipas jush atij duhet t’i ndërpritet mandati. A jeni i bindur se kjo do të ndodhë?

Presidenti Meta: Se çfarë do të ndodhë, kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë. Së pari duhet të keni parasysh konsideratën në qoftë se e keni lexuar të plotë kërkesën që Institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo vetëm atij, por edhe Gjykatës së Lartë, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese.

Është e qartë se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë i asaj kohe i ka dërguar njoftimin zyrtar Presidenti të Republikës së asaj kohe, zotit Nishani për përfundimin e mandatit të tij dhe për zëvendësimin e tij. Bazuar mbi këtë akt, Presidenti Nishani konform Kushtetutës ka propozuar emrin e një gjyqtari tjetër për të zëvendësuar pikërisht zotin Dvorani.

Kjo gjë nuk ka ndodhur, sepse në atë kohë Kuvendi nuk e ka miratuar gjyqtarin tjetër. Dhe për shkak të shumë arsyeve të tjera që janë aty në letër, si dhe për faktin që Gjykata e Lartë u zbraz dhe mbeti vetëm me një anëtar në detyrë, por që i kishte përfunduar mandati, kemi këtë situatë të paprecedentë ndoshta në të gjithë kontinentin tonë, por menjëherë me zgjedhjen e të parit anëtar të Gjykatës së Lartë dhe dekretimin e tij, mandati i tij është në çdo aspekt i shuar apo i përfunduar, nga ana kushtetuese, ligjore, morale, justifikuese, e kështu me radhë.

Për më tepër, të mos harrojmë se nuk është një, por kemi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu që për mua kjo është një çështje tepër e qartë dhe e shteruar në mënyrë tepër objektive në letrën që unë u kam dërguar KLGJ-së dhe institucioneve të tjera.

Gazetari: Zoti President, si iu përgjigjeni ju atyre që thonë se largimi i Dvoranit është pjesë e marrëveshjes suaj me zotin Rama?

Presidenti Meta: Zero marrëveshje, nga ana ime në respektin e Kushtetutës, të ligjeve! Dhe sidomos të Kushtetutës, sepse ajo është mbi çdo ligj dhe për fat të keq ne kemi nxjerrë gjatë kësaj kohe mjaft ligje që dalin mbi Kushtetutën dhe që është një çmenduri! Është sikur në ushtri të dalë një kapter mbi gjeneralin! Apo në diplomaci që një atashe ambasade të dalë mbi ambasadorin, sepse kështu është e ndërtuar e gjithë arkitektura e shtetit ligjor!

Megjithatë, këto gjëra, për fat të keq këto gjëra kanë ndodhur në vendin tonë dhe ne kemi mjaft probleme në funksionimin e shtetit ligjor, sepse ka humbur respekti mbi Kushtetutën. Kushtetuta është mbi çdo gjë, edhe mbi gjithçka. Kështu që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë arsye që të ketë një marrëveshje mbi këtë gjë, sepse këto janë çështje që zgjidhen nga vetë Kushtetuta, dhe ligjet në respekt të Kushtetutës, jo në dhunim të Kushtetutës, sepse secili duhet të bëjë detyrën e tij!

SHKARKO APP