Metën dhe Veliajn i shoqerojnë si terroristë, kurse supërkriminelët sikur shkojnë në disko!

Në këtë vend ndodh diçka absurde, por tashmë e zakonshme: politikanët i shoqërojnë me dhjetëra policë, kurse kriminelët me rekorde të rënda i nxjerrin nga burgu sikur po shkojnë në disko.

Arratisja e Altin Ndoci nga spitali i Durrësit është turp shtetëror. Jo thjesht dështim sigurie, por shpërfaqje brutale e një shteti që e ka kthyer sigurinë publike në farsë.

Një person i akuzuar për vrasje, grabitje me dhunë, trafik droge dhe krim të organizuar del nga burgu për “vizitë mjekësore” pa eskortë serioze, pa plan sigurie, pa mbështetje nga Policia e Shtetit. Dhe ikën. Thjesht ikën. Si në filmat e këqij.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, kemi parë se si shoqërohen Erion Veliaj dhe Ilir Meta, me dhjetëra efektivë, makina të blinduara, bllokime rrugësh, urdhra ulëritës, sikur kishin kapur Pablo Escobarin e Ballkanit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ironia është cinike:

– Meta ishte në Kosovë dhe mund të ikte ku të donte. Nuk iku.

– Veliaj ishte jashtë Shqipërisë, mund të mos kthehej. U kthye.

Asnjëri nuk u arratis. Asnjëri nuk u fsheh.

Shteti kur i çon në prokurori apo gjykatë, të dy, luajnë lojën për kamera, për spektakël, për frikësim, duke i rrethuar me forca speciale dhe sirena. Ndërkohë të dy janë në proces penal. Ende pa vendim përfundimtar. Në çdo shtet normal do të gjykoheshin të lirë pas një viti burg. Këtu jo. Këtu paraburgimi përdoret si dënim politik, ndërsa policia si dekor skenik.

Veliaj nuk u lejua as të përshëndeste njerëzit në Gjykatën Kushtetuese. A thua se ishte kriminel lufte. A thua se kishte në duar armë automatike.

Ndërkohë, një person i dyshuar për katër vrasje del nga burgu dhe zhduket pa asnjë problem.

Pyetja që shteti nuk do ta dëgjojë: Kush është realisht rrezik për shoqërinë?

– Një ish-president dhe një kryebashkiak që paraqiten para drejtësisë?

– Apo një person me histori vrasjesh, bandash dhe atentatesh?

Shteti shqiptar, me veprimet e tij, ka dhënë përgjigjen më të keqe të mundshme.

Kjo nuk është “pakujdesi”. Nuk është “mungesë koordinimi”.

Është zgjedhje politike dhe institucionale:

– frikëso politikën,

– tolero krimin,

– mbulo dështimet me propagandë.

Dhe pastaj çuditemi pse qytetarët nuk besojnë më te drejtësia, pse nuk dalin në protesta, pse mbyllen në shtëpi.

Kur kriminelët shëtisin lirshëm dhe politikanët shoqërohen si terroristë, problemi nuk është Altin Ndoci.

Problemi është shteti që ka humbur sensin e drejtësisë dhe arsyes.

Nuk do të jetë çudi që në “paradën” e radhës kur Ilir Meta dhe Erion Veliaj të shkojnë në gjykatë do kemi forca policore me skenar filmash dhe të rrethuar ish-presidentin dhe kryebashkiakun sikur po tentojnë të vrasin njeri!

E ndërkohë Altin Ndoci do të jetë duke drekuar në ndonjë restorant buzë detit.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?