Ministri Fatmir Xhafaj: Jo të gjithë janë mafiozë në Policinë e Shtetit
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve për buxhetin e këtij institucioni gjatë vitit të ardhshëm. Debati nga shifrat për investimet në këtë institucion ka kaluar në temat e nxehta të ditës, si çështja e kanabisit, dosja “Tahiri” dhe ngjarja e Elbasanit me biznesmenin Orest Sota.
Opozita ka sulmuar Ministrin dhe institucionin e Policisë së Shtetit duke akuzuar për fshehje të informacioneve për ngjarjet e rënda, si dhe implikim të efektivëve të Policisë në trafikun e drogës. Deputetët e PD thanë se në strukturat e Policisë së Shtetit ka banditë që trafikojnë dhe njerëz të përfshirë në aferat e trafiqeve.
Lidhur me ngjarjen e Elbasanit, Xhafaj tha se policia ka vepruar në mënyrë korrekte, ndaloi biznesmenin dhe çështjen e referoi në Prokurori.
Në debatet e zhvilluara në Komision, kreu i ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafaj kërkoi që opozita të ishte më e kujdesshme në termat që përdorë. “Unë e kuptoj që politikisht mund të akuzoni këto. E kuptoj që mund të sulmoni dhe mua dhe nuk ka asnjë problem, por nuk është normale që të sulmohet gjithë trupa e Policisë së Shtetit me termat banditë dhe mafioz”,- tha ministri Xhafaj.
Ministri informoi se që në ditët e para që ka marrë detyrën ka urdhëruar nisjen e Vettingut për kontrollin e figurës morale dhe profesionale të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit. “Unë jam i pari që e kam pranuar se në strukturën e Policisë së Shtetit ka njerëz të papërshtatshëm dhe urdhërova nisjen e Vettingut. Por nuk mund të hedhim baltë mbi gjithë strukturën për shkak se disa janë të papërshtatshëm”,- tha Ministri Fatmir Xhafaj.
Ministri ju referuar një vale akuzash të opozitës, mediave dhe opinionit ndaj forcave të rendit. Ngjarjet e ndodhura muajin e fundit ku përgjimet italiane tregojnë për bashkëpunim të strukturave të Policisë me trafikantët e drogës kanë krijuar perceptimin se gjithë strukturat e shtetit kanë probleme. Xhafaj tha se opozita duhet të mos dëmtojë imazhin e Policisë së Shtetit, pasi brenda saj ka njerëz që punojmë me sakrifica dhe përkushtim për rendin dhe ligjin.
Xhafaj pranoi se kur erdhi në detyrë largoi 9 drejtues nga 12 që ka policia e shtetit. Ai tha se largimi i tyre u bë për shkak të çështjes së kanabisit. “U larguan për kanabisin, por nuk e vendos unë nëse kanë përgjegjësi penale apo jo”,- tha Xhafaj.
Për shkak se mori një ministri me akuzat më të forta për çështjen e drogës dhe bandat kriminale, Xhafaj është ministri më i sulmuar nga opozita. I akuzuar nga opozita për çështjen e kanabisit dhe problemeve të tjera të rënda me krimin në vend, Xhafaj tha se ai ka ardhur të përgjigjet për punën e bërë gjatë kohës që ka qenë personalisht në detyrë.
Realisht, Policia e Shtetit ndodhet në kotat më të ulët të opinionit, kjo jo për shkak të Ministrit aktual, por për problemet që u vunë re gjatë viteve të fundit. Në katër vite, Qeveria investoi në infrastrukturë dhe uniformat e policisë. Edi Rama dhe ish-ministri Saimir Tahiri bën jo pak aksione për përmirësimin e sjelljes së policisë. Më emblematike ishte fushata për imazhin e punonjësve të forcave të rendit duke kërkuar që ata të ishin pa bark dhe të kuruar vizualisht. Por nuk ishte mbipesha ajo që u prishi punë forcave të rendit. Më shumë se imazhi, ishte qëndrimi me dy standarde ndaj çështjes së drogës, duke futur në burg konsumatorë hashashi me 5 gramë në xhep dhe duke lejuar mbjelljen e tonelatave në gjithë vendin.
Për shkak se kanabisi ishte një fenomen që dihej dhe pranohej nga të gjithë, përveç Qeverisë, gjithë struktura e Policisë së Shtetit, si institucioni më afër njerëzve u bë pis. Këto pasoja të keq menaxhimit po vuan sot Ministria e Brendshme duke marrë kosto që nuk i takojnë, pasi jo të gjithë 13 mijë punonjësit e policisë mund të akuzohen si të përfshirë në shkelje ligjore.