Ministri gjerman Roth takohet me Ministrin Fatmir Xhafaj. E uron për reformat
Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, priti pasditen e së premtes Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane, në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth. Këto takime vijnë në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe rrugën e saj drejt BE-së ku qeveria po merr mbështetje të veçantë edhe nga shtetet që politika në vend i quan jo mbështetëse ndaj çeljes së negociatave.
Ministri Xhafaj i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet me Gjermaninë, duke veçuar ndihmën e përfituar në fushën e rendit dhe sigurisë publike, e për këtë shtoi ai, jemi shumë mirënjohës. Ministri i Brendshëm e konsideroi me rëndësi mbështetjen e vendeve anëtare për hapjen e negociatave, si një mundësi jo për qeverinë dhe mazhorancën, por si shans për shqiptarët që besojnë në ëndrrën europiane.
Xhafaj tha se çelja e negociatave do të përshpejtonte ritmin e reformave të ndërmarra. Ministri i Shtetit Roth, konfirmoi se vizita në Tiranë e bën më të qartë rëndësinë që i kushton Gjermania, integrimit të Shqipërisë në Europë. Sipas tij, të gjitha reformat e nisura po japin tashmë frytet. Ministri Xhafaj i theksoi bashkëbiseduesit se është fat për vendin, që ka një avokat të tillë në rrugën europiane.
Ministri e njohu ministrin gjerman me disa nga detajet e refomës në drejtësi dhe rëndësinë për proceset integruese, duke veçuar faktin se ajo tashmë është një model edhe për vendet e rajonit. Ai prezantoi Dokumentin e Prioriteteve të MB-së në fushën e rendit dhe sigurisë dhe evidentoi kontributin e ekspertëve gjermanë në hartimin e tij. Gjithashtu u ndal tek rezultatet e punës së Policisë dhe agjencive ligj zbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, operacionin “Forca e Ligjit”, operacionin ndërkombëtar “Anti-skifter”, si dhe masat kundër kultivimit të kanabisit.
Në përgjigje të interesit të ministrit Roth, Xhafaj shpjegoi hapat dhe ecurinë e procesit të Vetting-ut në Polici, projektin e Policimit në Komunitet, si dhe masat për uljen e fenomenit të azil kërkimit që kanë dhënë rezultate të dukshme që nga vjeshta e vitit të kaluar.
Ministri Fatmir Xhafaj po bën reforma të forta dhe korrekte në policinë e shtetit, ndonëse sulmet ndaj tij vijnë, jo për hir të “faktëve”, por nga mafia, krimi, politika e përzier me mafien. Edhe nga mazhoranca ka politikanë që duan ministrin të sakatohet e dobësohet në mënyrë që ta bëjnë të dorëzohet dhe ti diktojnë vendimet e emërimet.