Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel: Dajak dhe dru ballit, Bashës
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, i dërguar i kancelares Angela Merkel për krizën politike në Shqipëri, ka mbajtur një qëndrim që ngjan si dajak dhe dru mu në ballë Lulzim Bashës. Nuk e kishte sulmuar kaq ashpër Edi Rama, liderin e PD-së, sa e sulmoi dhe dërmoi ministri i kancelares gjermane Merkel. Nuk pritej një kritikë kaq e fortë dhe ballore e ministrit gjerman ndaj liderit të PD-së.
Në deklaratën e përbashkët me homologun Ditmir Bushati, Gabriel ka kërkuar daljen e PD nga çadra, futjen në zgjedhje dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
Ministri Gabirel u pyet dhe për akuzat e PD-së lidhur me qëndrimin e ndërkombëtarëve. “Me gjithë respektin, do them se në momentin që vjen në rajon, kupton se kur nuk gjendet një lloj zgjidhje, shpiken këto teoritë e komplotit. Çdo qytetar në Shqipëri mund të pyesë pse duhet që komuniteti ndërkombëtar të ketë interes për të ndryshuar ligjet dhe Kushtetutën këtu në Shqipëri, çfarë interesi do të kishte një ndërkombëtar të ndalonte luftën ndaj korrupsion, apo të bllokojnë procesin për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ka paragjykime ndaj Shqipërisë, dhe ajo që opozita po bën këtu forcon mendimet e shumë njerëzve jashtë Shqipërisë. Kush bllokon reformën në drejtësi i bën dëm vendit dhe shqiptarëve, dhe këshilla ime do të ishte të gjendet mënyra për të lënë bojkotin dhe për të gjetur zgjidhje për reformën. Kush dëshiron të shkojë i sigurt drejt BE, duhet të punojë si vend në forcimin e Parlamentit, zbatimit të Kushtetutës e me radhë. Janë qytetarët e një vendi ata që vendosin për të ardhmen. Minimi apo sabotimi i shtetit ligjor nuk është në interesin e BE apo ndërkombëtarëve”,- tha i dërguari i Merkel në Tiranë.
Diplomati gjermani kritikoi dhe qëndrimin e Partisë Demokratike për qeveri teknike. Gabriel u shpreh se është normale që një opozitë të mos e pëlqeje qeverinë, por shtoi se çfarë vlere ka krijimi i qeverisë teknike vetëm pak kohë para zgjedhjeve.
Numri një i diplomacisë gjermane ka deklaruar se “opozita me qëndrimet e saj po largohet nga Europa”. Sipas tij me qëndrimet që po mban dhe bllokimin e reformës në drejtësi duket sikur opozita ka frikë prej saj. Gabriel shtoi se politikanët duhet të ndjekin interesin publik dhe atë kombëtar përballë interesit të tyre personal. Aktualisht interesi i vendit është në rrezik.
“Nëse reforma në drejtësi do të bllokohet, atëherë rruga drejt Bashkimit Europian do të vonohet. Interesi kombëtar i një opozite nuk mund të jetë kaosi i vendit. Unë mendoj që duhet tu bëjmë apel atyre që e kanë çuar Shqipërinë në një udhëkryq. Ky udhëkryq është mes BE apo ndërmarrjes së një rruge më të komplikuar. Ne konsiderojmë që pjesë të elitave ekonomike, për shkak të mos zbatimit të interesave të tyre kërkojnë të bllokojnë rrugën drejt Bashkimit Europian”,- tha Gabriel.
“Këtu në Shqipëri bëhet fjalë për zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo që e dallon Europën nga vende të tjera të botës është zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. Shteti ligjor duhet të sigurojë dhe garantojnë që në fund të ditës në qendër të vëmendjes do jetë interesi i qytetarëve dhe jo klikave të ndryshme. Me shqetësim të madh dhe pa e kuptuar mirë shikojmë se reforma në drejtësi është duke u penguar. Parlamentarët që zgjedhin të bojkotojnë parlamentin. Në vendin tim dhe në Europë kjo është absurde. Në vend të kësaj mblidhen në çadër duke realizuar një opozitë përkundër parlamentit. Pas pak javësh kemi zgjedhje. Nëse deputetët nuk janë të kënaqur duhet ta anatemojnë në kuadër të fushatës elektorale. Pakicat duhet të pranojnë shumicën. Ka një farë frikë lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi. Për ne është e rëndësishme që në varësi të Kushtetutës dhe ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në drejtësi. Apelojmë qeverinë dhe parlamentin të punojnë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”– tha Gabriel, që këshilloi Lulzim Bashën të propozojë ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke e garantuar për ndihmën e BE dhe të Gjermanisë.
“Këshilla ime drejtuar opozitës dhe qeverisë është zbatimi i Kushtetutës dhe realizimi i zgjedhjeve.Për argumentin e Bashës dhe mosbesimin që ai ka për mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme unë e ftoj të bëjë proozimet e nevojshme, se si do arrihen në këtë momënt zgjedhjet r lira dhe të ndershme.
BE dhe gjermanët t’i marrin këto propozime në konsideratë. Nëse dëshiron opozita mund të bëjmë shumë më tepër se kaq, por nuk është rruga e duhur bojkoti i parlamentit” u shpreh Gabriel.
Mesazhi i Ministrit të Jashtëm Gjerman kundër bojkotit të opozitës nuk është i pari që vjen nga perëndimi. Me herët edhe ambasadorë dhe zyrtarë të lartë të BE i kanë kërkuar Lulzim Bashës të kthehet në parlament për të votuar vetingun dhe të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit.
Një pjesë të këtyre mesazheve, Lulzim Basha i ka konsideruar si të sponsorizuar nga lobistët e paguar me paratë e kanabisit, por duket se qëndrimi i ministrit të jashtëm të Gjermanisë sot ka qenë drejtpërdrejt në përkrahje të qeverisë.
Qëndrimet e diplomatit gjerman janë më të fortat të mbajtura ndaj Partisë Demokratike. Sigmar Gabriel është një prej politikanëve më në zë të Gjermanisë, por edhe diplomati me më shumë ndikim në vendet e Bashkimit Europian.
Pavarësisht deklaratave të PD-së për mbështetje të aksionit të saj nga vende të Bashkimit Europian, Gabriel nuk ka asnjë vend për dyshim. Në deklaratën e tij në Tiranë thuhej qartë se PD duhet të futet në zgjedhje dhe vendi duhet të vazhdojë zbatimin e reformës në drejtësi.
Pas kësaj “shuplake” të fortë për PD nga diplomati më i rëndësishëm i BE-së, PD-ja duhet të rishikojë edhe një herë pozicionet e saj për krizën politike.
VIDEO E KONFERENCES PER SHTYP TE MINISTRIT GJERMAN
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/801540263304431/
Gabriel: Përfaqësoj qëndrimin e Qeverisë Gjermane
Pas deklaratave të fortë kundër PD-së në konferencën me Ministrin Ditmir Bushati, ministri Gjerman Sigmar Gabriel ka ritheksuar nevojën e zhvillimeve normale politike në Shqipëri.
Në takimin me Kryeministrin Edi Rama, ministri Gjerman tha se pavarësisht se ai dhe Rama janë në një familje politike evropiane, (Internacionalen Socialiste), ai flet në emër të Qeverisë Federale Gjermane. “Më lejoni të theksoj se nuk përfaqësoj qëndrimin personal, apo atë të Qeverisë Federale Gjermane. Nëse opozita ka shqetësime për zgjedhjet, në jemi të gatshëm të sjellim më shumë vëzhgues, të diskutojmë për ligje që do të kontrollojnë financimet etj. Nëse zgjedhjet bojkoton dhe vendi kalon në situatë kaotike, sigurisht që ne nuk mund të ofrojmë mbështetje”,- tha Ministri i Jashtëm Gjerman.
Ndërkohë kryeministri Rama tha gjatë konferencës se Shqipëria do të jetë në gjendje të kalojë dhe këtë situatë.
Ja dhe reagimi i portalit më te lexuar që është pranë opozitës: ‘Fake News’ i mediave të Ramës/ Sigmar Gabriel, njeriu i Merkel dhe CDU
Prej disa ditësh mediat pranë Kryeministrit Edi Rama kanë nisur të flisnin për “njeriun e Merkel” që do të vinte në Tiranë dhe do të kritikonte protestën e opozitës.
Ai është ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, i cili sot ndodhet në Tiranë.
Të gjithë këto media “Fake News” kishin të njëjtin titull të porositur: “I dërguari i Merkelit”. Fjalimi i tij në konferencën për shtyp me homologun Ditmir Bushati, ku lëshonte kritika ndaj opozitës për bojkotin e Parlamentit, ishte në sintoni të plotë me lajmet e një dite më parë të raportuara nga mediat e qeverisë, të udhëhequra nga televizioni kombëtar.
Le t’i marrim gjërat me radhë. Kush është Sigmar Gabriel?
Së pari, ai nuk është aspak njeriu i Kancelares Angela Merkel. Aktualisht ai mban postin e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë.
Së dyti, Gabriel është politikan i majtë gjerman dhe kryetar i partisë SPD. Kurse Kancelarja Merkel është kryetare e CDU-së, partisë kryesore të qeverisë gjermane, që është në aleancë me SPD-në.
Për ta thënë më shkoqur, le të kujtojmë koalicionin e vitit 2009 mes PD dhe LSI. Është njësoj sikur për Ilir Metën të themi se është njeriu i Sali Berishës, meqënëse në atë kohë Ministria e Jashtme ishte e LSI dhe ministër Ilir Meta.
Edhe në këtë rast, Rama dhe mediat pranë tij nxituan ta shisnin socialistin gjerman si njeriun e Merkel vetëm për shkak të koalicionit mes CDU dhe SPD në Gjermani. /SYRI.net/
Fjala e ministrit të Jashtëm gjerman Sigmur Gabriel gjatë konferencës me Ditmir Bushatin:
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, që ka vizituar sot vendin tonë, ka dhënë një konferencë për shtyp sëbashku me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati.
Gabriel tha:
Vetëm para 5 javësh jemi takuar për zhvillimin në Ballkanin perëndimor. Unë bëj pjesë në një brez që i kujtohet mjaft mirë periudha kur Enver Hoxha dhe regjimi i tij solli një epokë të ngurtë dhe e mendoj se sa e vështirë duhet të ketë qenë që të niseshit nga izolimi drejt integrimit dhe një demokracie sociale.
Unë mendoj që në këtë pikë i detyroheshim me respekt të madh asaj që është realizuar në këto vite këtu. Ne si gjermanë mbështesim perspektivën e vendeve dhe Shqipërisë drejt BE. Mbetet shumë për të bërë këtu në Shqipëri sidomos për reformën në sistemin e drejtësisë.
Për Evropën dhe vendet e tjera të botës është me rëndësi zbatimi strikt i rregullave dhe Kushtetutës dhe kështu garantohet që njerëzit në Evropë janë të sigurt dhe nuk janë objekt i lojës së interesave. Në Shqipëri dhe në disa vende nuk kanë qenë interesat e njerëzve në qendër të vëmendjes, por të elitave politikave dhe është pikërisht shteti ligjor që garanton se në qendër do të qëndrojnë interesat e tyre dhe jo të klikave apo grupeve të vogla.
Ne kemi qenë shumë të gëzuar që në parlamentin shqiptar me konsensusin e pozitës dhe opozitës u mundësia reforma. Tani me keqardhje shikojmë se reforma e drejtësisë është duke u penguar. Askush në Evropë nuk e kupton si duhet këtë që parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë parlamentin dhe refuzojnë të bëjnë punën e tyre dhe mblidhen në çadër. Kjo është një rrethanë që ne nuk duhet ta pranojmë aq më tepër që pas pak javësh do të kemi zgjedhje në Shqipëri.
Cili është parimi i një demokracie? Ai është që në bazën e ligjeve të vlefshme dhe Kushtetutës, pakica të pranojë shumicë. Thelbi është të respektojmë Kushtetutën dhe shumicat edhe nëse jeni pjesë e një pakice. Këtë kërkojnë të mbështesin ato shtete që kërkojnë të bëhen pjesë e BE.
Ajo që është e paimagjinueshme është një pakicë kërkojnë të ndryshojë gjendjen jo nëpërmjet zgjedhjeve por nëpërmjet bojkotit të parlamentit dhe ndaj lind dhe një farë frike se do të mund të ndjekin interesat e tyre.
Ndaj për ne është me rëndësi që sipas ligjeve dhe Kushtetutës të punohet për zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve të rregullta të ndershme dhe këtë do t’ia përcjellim edhe përfaqësuesve të opozitës nga qeveria federale dhe kancelarja federale.
Edhe në letrën që partnerët tanë i kanë shkruar opozitës së këtushme, i kanë apeluar për të mos bojkotuar parlamentin.
Më lejo të bëj një pyetje: Cila është më me rëndësi? Interesat e njerëzve që përfaqëson apo të partisë politike? Këtu do të dallohen burrat dhe gratë e shtetit që në qendër të vëmendjes do të vendosin interesat e qytetarëve dhe mendoj se interesi është shteti i së drejtës, vendosja e tij në qendër të vëmendjes dhe ne do të bëjmë çmos të bindim opozitën për zgjedhje të rregullta dhe qeveri të re.
Unë mendoj se Evropa mund të bëjë shumë më tepër për vendet e Ballkanit perëndimor. Ne e dimë se rruga drejt BE do të kërkojë pak kohë por ndërkohë Evropa mund të bëjë shumë më tepër për të përmirësuar kushtet e shqiptarëve.
Procesi i Berlinit nisi me një farë euforie, por tani duket një farë ngadalësie e projekteve, ku vendet e rajonit mund të lidheshin me njeri tjetrin, po shpesh ndërthuren interesa të caktuara por vendet mund të bënin më shumë për përshpejtimin e këtyre projekteve e si evropianë duhet të tregojmë që ne jemi në gjendje ta mbështesim procesin deri në momentin e integrimit evropian duke bërë të mundur që kushtet e jetesës të përmirësohen.
Pyetje: Z. Basha ka deklaruar se ka një komplot ndërkombëtar kundër opozitës. Si mendoni ju?
Sigmar Gabriel: Më lejoni që me gjithë respektin, nuk shihet një rrugëzgjidhje dhe shpiken këto teoritë e komplotit. Kjo tregon që mungojnë argumentet e vërtetë. Shumë shqiptarë mund të pyesin pse duhet që komuniteti ndërkombëtar të ketë interes për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet në Shqipëri? Çfarë interesi ka komuniteti ndërkombëtar për të penguar luftën kundër korrupsionit? ! Çfarë interesi ka komuniteti ndërkombëtar që 800 gjyqtarë dhe prokurorë të kontrollohen për të ushtruar detyrën e tyre?! Nuk ka asnjë interes.
Në fakt ka paragjykime ndaj Shqipërisë dhe ajo që opozita bën në Shqipëri konfirmon paragjykimet e atyre jashtë Shqipërisë. Madje kush pengon dhe bojkoton Kuvendin, i bën dëm reputacionit të Shqipërisë dhe duhet të lërë rrugën e bojkotit. Askush në Evropë nuk e kupton pse pak para zgjedhjeve kërkohet një qeveri tjetër. Është normale që opozita s’e do këtë qeveri, por në këtë pikë është e pakuptueshme. Duhet të konsolidohet puna e parlamentit, por minimi, sabotimi i shtetit ligjor, kjo nuk është në interesin e shtetit ligjor apo të Shqipërisë.
Nëse parlamenti vazhdon të bllokohet, edhe rruga drejt BE-së do të jetë më e gjatë dhe jeta e qytetarëve shqiptarë do të bëhet më e vështirë. Unë pyes se cili është interesi kombëtar? Interesi kombëtar i opozitës nuk mund të jetë kaosi i vendit.
Duhet t’i bëjmë apel përgjegjësisë së atyre që e kanë çuar Shqipërinë në një udhëkryq dhe kjo është: BE dhe zbatimi i ligjshmërisë apo ndërmarrja, së paku, e një rruge pak më të komplikuar?!
Ne konsiderojmë se pjesë të elitave politikave e ekonomike për shkak të mosplotësimit të interesave të tyre shpikin dhe interesa komploti.
Do të vazhdojmë me integrimin apo do të vendosim interesat e grupeve të caktuara? Në fund do të duhet për t’u marrë vendimi për të vënë interesin kombëtar përpara interesit të tyre.
Pyetje: Z. Gabriel, çfarë i rekomandoni Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës?
Të dyja pyetjet janë të vështira. Së pari këshilla ime drejtuar opozitës dhe qeverisë do të ishte zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës në përputhje me këto zgjedhje. Ky mosbesim që ka për zgjedhje të lira të ndershme kërkonte që të bëheshin propozimet e nevojshme sesi mund të mbërrihej në zgjedhje të lira dhe të ndershme.