Ministri i Brendshëm Tahiri sulmon Kokëdhimën me lejen e kryeministrit
Për dy ditë rresht Ministria e Brendshme, si rrallë më parë, është marrë me përgënjeshtrimin e një raporti të botuar në një media (dikur pranë qeverisë) ku pretendohet për lidhje mes strukturave të policisë me kultivuesit e hashashit. Të dielën ministria në një deklaratë fliste për lajm të sajuar me interesa politike, madje edhe me interesa kriminale. Dje, ishte ministri Saimir Tahiri që i dha një ton edhe më të fort qëndrimit të Policisë së Shtetit. Foli vetë Saimir Tahiri duke goditur direkt. Ndonëse nuk e përmendi emrin e medias dhe botuesit Kokëdhima, por të gjithë e kuptuan se fliste vetëm për ish-deputetin e PS-së.
Diku me fakte, diku me burime, diku me aludime të pavërteta dhe ndonjë herë thjesht për sulme personale, Ministria e Brendshme shpesh bëhet tabelë qitje e mediave. Megjithatë, drejtuesit e institucionit nuk janë investuar personalisht për t’i përgënjeshtruar. Çfarë ndryshoi këtë herë që e detyroi Ministrin Tahiri të bënte dy sqarime dhe sulme ndaj një media të veçantë? Reagimi nuk ka të bëjë dhe aq më raportin e pretenduar të botuar në gazetën “Shekulli”, sesa më botuesin e medias, ish-deputetin e PS-së, Koço Kokëdhima. Kaq shumë e kanë inatin me Kokëdhimën që prej heqjes së mandatit të deputetit, aq sa Rama, por me shumë ministri Brendshëm sulmojnë me shumë ish-mikun e tyre se sa gazetën “RD” të opozitës.
Në prononcimin e dhënë dje nga Ministri Tahiri, lihej të kuptohej qartë se problemi nuk ishte thjesht me mediat, por me ish-deputetin socialist. Teksa foli për luftën kundër kultivimit të drogës, Tahiri theksoi se kjo betejë po bëhet edhe kundër atyre që e kanë nxitur kultivimin e drogës. “Duhet të jeni të bindur që nga njëra anë luftojmë kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, nga ana tjetër është një luftë paralele me të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër e kanë nxitur apo kanë bashkëpunuar për këtë fenomen. Këtu përfshirë dhe struktura të policisë”,- tha Ministri.
Jo rastësisht, ministri thotë se po bëhet betejë dhe ndaj atyre që e kanë nxitur kultivimin e drogës. Koço Kokëdhima është zyrtari i parë i lartë në vend që kërkoi një vit më parë legalizimin e hashashit. Kjo deklaratat u bë gjatë kohës që ai ishte deputet dhe njihej si njeriu më i afërt i Kryeministrit Edi Rama. Në një farë mënyrë, një qëndrim i tillë, u interpretua dhe si shenjë e qeverisë për “mbylljen e syve” përballë mbjelljes së zonave të tëra me hashash gjatë këtij viti. Por ish-deputeti ka folur për legalizim dhe kontroll nga ana e shtetit e jo për ta kthyer në Lazarat krejt Shqipërinë.
Nga një njeri i afërt i Kryeministrit dhe deputet me më shumë ndikim në PS, Koço Kokëdhima është kthyer në një problem për Ramën dhe ministrat e tij. Pas iu hoq mandati në Gjykatën Kushtetuese, drejtuesit e PS-së po mundohen të minimizojnë ndikimin e Kokëdhimës në strukturat e partisë dhe në qeverisje. Ndërkohë, vetë Kokëdhima ka vendosur të mos jetë në mëshirë të Ramës dhe ministrave të tij, por është investuar për të rifituar kredencialet e humbura në selinë rozë. Po e bënë këtë me mediat që ka në pronësi, me strukturat e PS-së që ka ristrukturuar vetë dhe me njerëzit që ka emëruar në administratë përgjatë tre viteve. Ndaj dhe sulmi i djeshëm i Tahirit është një përgjigje, jo ndaj një shkrimi gazete, por ndaj Koço Kokëdhimës.
Pyetja që kërkon përgjigje mbetet që nëse ministri i Brendshëm Tahiri sulmon Kokëdhimën me kokën e tij apo me lejen e Kryeministrit Rama. Duket pak e vështirë të besohet që sulmi en block po bëhet pa një miratim verbal të kreut të PS-së. Por Edi Rama nuk e sulmon vetë ish-mikun Kokëdhima, pasi thuhet se i druhet shumë një sulmi frontal të ish-deputetit që ka shumë dokumente e CD për vetë Kryeministrin.
Tashmë në selinë rozë ish-deputeti Kokëdhima është kthyer në një “dele të zezë”, ndërkohë që, deputetët apo ministrat i vinin me vrap në hotel “Grand” sapo ai u niste një sms. Më shumë kishin frikë Kokëdhimën se sa vetë Kryeministrin.
Ndaj tani pas rrëzimit nga piedestali i lidershipit të PS-së e sulmojnë ministra e deputetë, të cilët tani ndërrojnë udhë kur shikojnë Koçon që bën xhiro në ish-Bllok, ndërkohë që rrinin në radhë për të takuar Kokëdhimën që të fliste me Kryeministrin për hallet e tyre.
Qamil Xhani