Ministri Xhafaj: Akuzat e PD ndaj meje, histori e vjetër 15 vjeçare

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike lidhur me një dënim të vëllait të tij në vitet 2000 në Itali.

Në një konferencë për mediat, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se historia vëllait të tij është risjellë nga PD në qendër të vëmendjes për të disatën herë. Ai u shpreh se të njëjtat akuza PD i ka bërë në adresë të tij prej disa vitesh rresht dhe në to nuk ka asnjë fakt të ri.

“Sot, PD paketoi si zbulim të ri një çështje të risjellë dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politikë ju duhet të luftojnë me baltë çka nuk luftojnë dot me atgumente si dje për reformën në drejtësi si sot si ministër i Brendshëm.Vendimi i gjykatës italiane i gjendur lehtësisht sot ka ridalë sot. Me sa duket, unë nuk duhet të bëjë gjë tjetër vetëm se të ripërsërisë veten.  Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali në kohën kur këta ishin në pushtet. Në asnjë rast, as kjo qeveria dhe as qeveria e tyre nuk janë kontaktuar zyrtarisht”,- tha Xhafaj.

Ministri u shpreh se ishte i detyruar të jepte të njëjtën përgjigje që ka dhënë dhe herët e tjera, duke u shprehur se: “Cili është përgjegjësia ime si zyrtar në lidhje me çfarë ka bërë apo çfarë ka bërë im vëlla?”.

Xhafaj u shpreh se vepra për cilën akuzohet vëllai i tij është hetuar dhe gjykuar në Itali dhe autoritet shqiptare kanë pasur asnjë ndikim. Gjithashtu, Xhafaj shtoi se “në raport me këtë çështje as kam pasur dhe as kam pasur asnjë lloj pushteti për të ndikuar në këtë çështje. Kjo është një çështje e ndodhur në Itali”.

Ministri Xhafaj deklaroi se gjatë historia e vëllait të tij nuk implikon qeverinë e PS në asnjë rrethanë. “Gjithkush gjen në këto deklarime atë që kam thënë edhe më parë. Historia e tim vëllai nuk e implikon as dje as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Cilido në këtë vend, përfshirë dhe familjarët e mi, nuk është mbi ligjin”,- u shpreh Fatmir Xhafaj.

DEKLARATA E PLOTË E MINISTRIT XHAFAJ:

“Sot Partia Demokratike paketoi mediatikisht si zbulim të ri një çështje të ndodhur në vitin 2002, e cila ka më shumë se 15 vjet që e sjell dhe e risjellë në vëmendje të publikut këtë çështje!! Dhe kjo ndodh sa herë që kundërshtarëve politike u duhet të luftojnë me baltë, çka nuk luftojnë dot me argumenta në punën time, si dje gjatë reformës në drejtësi ashtu edhe sot si Ministër i Brendshëm.

Vendimi i gjykatës italiane, lehtësisht i gjendshëm edhe online, i ditur dhe i njohur prej vitesh prej tyre dhe prej kujtdo tjetër të interesuar, shqiptar apo partner ndërkombëtar, i publikuar dhe i stërpublikuar në mediat prane tyre, ka ridalë sot si e vetmja armë kundërshtie mesa duket ndaj meje, sot si Ministër i Brendshëm.

Dhe mesa duket unë nuk duhet të bëjë gjë tjetër veçse të ripërsëris veten në lidhje me riprezantimin e kësaj akuze.

Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla. Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të.

Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdoqoftë për këtë çështje.

Nuk kam se çfarë t’i shtoj më shumë atyre çfarë unë kam thënë publikisht në lidhje me këto akuza se sa unë kam thënë në 2002, 2005, 2010, 2016 dhe 2017.

Gjithkush i interesuar gjen në këto deklarime qëndrimin tim koherent në lidhje me këtë çështje.

Historia e tim vëllai, e lidhur me një ngjarje të vitit 2002, kur ai ishte një 25-vjeçar i gjendur në vendin e gabuar dhe nën shoqërinë e njerzëve të gabuar, nuk e implikon as dje dhe as sot qeverinë ku unë bëj pjesë. Ajo ka qënë e mbetet një histori e tij personale dhe vetëm e tij.

Cilido në këtë vend, përfshi dhe mua apo familjarët e mi nuk është mbi ligjin.

Por ajo çfarë është më e rëndësishme është fakti se kjo qeveri nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt. As mua! Këtu jam dhe do jem, një qytetar i vendit tim që kurrë nuk ka shkelur e nuk do të shkelë ligjin, as për llogarinë time dhe as për llogarinë e të afërmve apo të njohurve të mi. Të tjerat janë politikë e llojit më të ulët dhe nuk janë puna ime”.

Ministria e Brendshme ka shpërndarë për mediat dhe deklaratat e dhëna disa vite më parë nga Fatmir Xhafaj për të njëjtat akuza të PD:

Fjala e deputetit të PS-së Fatmir Xhafaj – Seanca plenare 07.10.2010:

Kam dalë këtu sot në respekt të integritetit tim politik, moral dhe të familjes sime, në respekt të mandatit politik që gëzoj, në respekt të së vërtetës dhe të qytetarit. Sali Berisha, në përpjekjen për të devijuar të vërtetën, thelbin e debatit për korrupsionin e tij, ringriti këto kohë një akuzë të vjetër ndaj meje. Hapi një histori dhimbjeje, të gati 10 vjetëve më parë, të familjes sime.

Po. Vëllai im i vogël, rreth 10 vjet më parë, atëherë kur ishte rreth të 20-ve, ende adoleshent, emigrant, ka pasur një histori fatkeqe me ligjin. U gjet në vendin e gabuar, në momentin e gabuar dhe në një marrëdhënie rastësore me njerëz të gabuar. Një gabim dhe faj, për të cilin i vuajti pasojat ligjore dhe shpirtërore dhe, fatkeqësisht, vazhdon t’i vuajë ende. Historia e tij vetjake ishte dhe mbetet rekordi i vetëm negativ i tij përballë ligjit. Rasti i vetëm në familjen dhe farefisin tim të gjerë. Ishte një fatkeqësi, një dhimbje e madhe për të gjithë ne.

Ishte dhe është një haraç, i cili nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me detyrat shtetërore dhe partiake që unë kam mbajtur dhe mbaj. Është fakt i njohur që, qysh në momentin e parë që e kam mësuar, për shkak të moralit tim politik dhe për hir të dinjitetit, më datën 20 mars 2002 i kam paraqitur dorëheqjen me shkrim Kryeministrit të kohës nga pozicioni i ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, një dorëheqje e dhënë, me sfond tërësisht moral, e cila nuk u pranua.

Nuk më ka munguar kurrë kuraja të përgjigjem edhe publikisht, sa herë që jam pyetur. Në atë kohë kam bërë deklaratë publike për të sqaruar atë ngjarje të hidhur. Pas kësaj ngjarjeje kam konkurruar dhe fituar në zgjedhjet e përgjithshme në sistem maxhoritar. Edhe pse ju e keni pasur këtë fakt lajtmotiv kryesor të një fushate agresive për të më sulmuar politikisht, qytetarë më votuan dhe më respektuan për vlerat e mia politike dhe morale, për raportin tim me ligjin, për marrëdhënien time të pandryshuar me të vërtetën dhe me zgjedhësin.

Ju më pyesni mua nëse e kam ndihmuar vëllanë tim. Ju kam thënë dje dhe ju them edhe sot pa asnjë mëdyshje. po, sigurisht që po! Reflektova edhe përgjegjësinë time. Përgjegjësinë e vëllait të madh, që nuk i qëndroi pranë në atë kohë problematike të pas vitit ‘97. E kam ndihmuar të reflektojë për ngjarjen dhe, më kryesorja, e kam ndihmuar t’i kthehet jetës normale. Që nga muaji maj i vitit 2002, kur është rikthyer në Shqipëri, dhe deri më sot, vëllai im është familjar, baba i dy fëmijëve. Ka kryer ditën arsimin e lartë, ka një jetë normale dhe pa asnjë lloj rekordi negativ përballë ligjit.

Natyrisht, unë nuk bëj pjesë tek ajo racë që mohon gjakun dhe familjen e saj. Ato nuk janë zgjedhje të miat, por të Zotit. Unë i pranoj siç janë, me të mirat dhe me të këqijat e tyre. Miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët i zgjedh vetë. Për ata mbaj përgjegjësi politike.

Më tregoni qoftë edhe një rast të vetëm të një zgjedhjeje të gabuar në raport me ligjin. Nuk ka asnjë rast të tillë. Nuk kam asnjë pendesë për këto zgjedhje. Jam tërësisht i qartë për motivet që e shtynë Sali Berishën, këtë detektiv të dëshpëruar, me tokën dhe pushtetin që po i lëviz nën këmbë, të bëjë këtë sulm politik pa asnjë bazë morale.

Sali Berisha nuk mund të gjejë qoftë edhe një firmë të vetme të hedhur nga unë në detyrat shtetërore që kam pasur, për shkak të së cilës të kem përfituar 10 qindarka, një metër katror apo çfarëdolloj të mire tjetër materiale, të cilido nga familjarët dhe të afërmit e mi. Rreth 7 vjet më parë i kam bërë një sfidë publike Sali Berishës në opozitë. E risfidoj përsëri publikisht Sali Berishën, tashmë në pushtet se, në rast se gjen qoftë edhe një firmë të tillë, unë e dorëzoj mandatin e deputetit dhe largohem përfundimisht nga politika.

Për këtë unë mbaj përgjegjësi politike dhe jam i gatshëm të përballem me cilindo. Në të kundërt, Sali Berisha le të pranojë një gënjeshtër më shumë në biografinë e tij prej mashtruesi publik, ordiner.

Sot, në këtë ditë të së vërtetës, i drejtohem Sali Berishës, duke i thënë një fjalë të vetme: Zoti mos e dhëntë që ai të provojë te fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij qoftë dhe gjysmën e dhembjes që ka provuar familja ime për shkak të tij! Zoti e ndihmoftë, sepse Zoti nuk harron!

Unë bëj pjesë tek ata që besojnë fort se një ditë gjithkush paguan dhe duhet të paguajë për ligësinë e tij. Ka një llogari që mbyllet gjithmonë në këtë jetë, ashtu siç ka një shpërblesë me mirënjohje për cilindo, për të mirat që bën dhe gëzimet që fal.

*faqja 53 e procesverbalit – Seanca e datës 07.10.2010, e enjte

Fjala e ministrit Xhafaj në seancën plenare – 12 Shtator 2017

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar kolegë, 

e çmoj me vend që në këtë seancë të parë, jashtë temës së saj të bëj një reagim publik për disa akuza të vjetra të risjella këtu nga baltë hedhësit e vjetër dhe të rinj në këtë sallë. Punët e shumta që më presin  në lidhje me sfidën e kësaj qeverie dhe timen personale për forcimin e rendit dhe sigurisë publike nuk do të më mundësojnë në ditët në vijim që të kthejë përgjigje për disa çështje të caktuara dhe të bëjë replikë me ata që i përcjellin publikisht këto çështje.

Jam plotësisht i bindur se pjesa e shëndoshë e kësaj politike dhe opinionit publik nuk kanë nevojë për këtë shpjegimin tim sot. Jo vetëm se këtë e kam bërë edhe herë të tjera, por i kanë shumë të qarta motivet e këtij sulmi të ulët politik. Ndaj po e bëj sot duke shpresuar që kjo do të jetë hera e fundit dhe si detyrim ndaj çdo lloj opozitari që ka dëshirën dhe vullnetin për të parë të vërtetën, ashtu sikur se ajo është.

Keni ndërmarrë ndaj meje një sulm të egër personal bazuar në histori të filluar 15 vite më parë dhe për të cilën unë disa herë kam bërë publike fakte dhe qëndrimin tim. 15 vite më parë, në 2002, kur unë isha ministër dhe ju opozitë, e ngritët për herë të parë publikisht këtë akuzë. Jam përgjigjur përmes një deklarate. Në 2010 kur ju ishit në pushtet, njëri Kryeministër dhe njëri dora vetë Ministri i Brendshëm i asaj kohe më sulmuat si kundërshtar opozitar, përsëri me të njëjtin avaz, vëllain dhe e shkuara e tij.

Pikërisht 7 vite më parë, në 7 tetor në këtë sallë, unë si opozitar ju përgjigja këtu nga kjo foltore akuzës tuaj si pushtetar. Çfarë kam pasur për të thënë i kam thënë të gjitha aty. Lexojeni. Ju prej 8 vitesh ishit në pushtet, i kishit të gjitha mundësitë si Kryeministër dhe si Ministër i Brendshëm, të provonit akuzat tuaja dhe të ndëshkonit ashpër me policin, prokurorinë dhe gjykatën tuaj. Nuk besoj se i falët familjarët e mi se mua jo e jo. Përsëri 6 vite më vonë ju rikthyhet këtij avazi.

Vjet në kulmin e Reformës për Drejtësi. Çfarë nuk thatë për ta bërë sa më ndërkombëtare akuzën tuaj të vjetër. Ju vazhduat avazin dhe unë reformën dhe rezultati dihet tashmë. E rifilluat sërish të njëjtën akuzë, sivjet në mars, ku u bëra Ministër i Brendshëm. Thatë çfarë ju nxori goja e ligë për 2-3 muaj. Nga muaji maj i këtij viti ju opozitarët u bëtë pushtetarë, në dy ministritë kryesore të ligjit. Në atë të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.

Ministrat të cilët u emëruan personalisht nga kryetari juaj dhe janë të dyja ministritë ku janë faktet dhe provat kombëtare dhe ndërkombëtare, nëse ka të tilla. Por çfarë bëtë ju këto 4 muaj. Si nuk gërmuat xhanën dhe t’i zbulonit. Ku kishte rast më të mirë se sa të më kryqëzonit me fakte dhe prova sipas jush. Dhe as më shumë dhe as më pak jo vetëm kryetari juaj, por edhe askush tjetër i veshur si ky edhe me mandat ligjzbatuesi apo moral bërësi , nuk mund të më vendosi mua në këtë akuzë apo përgjegjës, për çfarë i ka ndodhur apo mund t’i ndodhë një pjesëtari të familjes time. Cilido prej tyre që ka pasur, ose mund të ketë në të ardhmen një shkelje ligji, është madhor dhe ka gjithë përgjegjësinë ta vuaj atë sipas ligjit.

Dhe as ai dhe askush tjetër nuk mund t’i japë më shumë ngarkesë se sa vetë ligji. Edhe nëse për një moment do të ishte plotësisht e vërtetë, për çfarë në mënyrë të ulët më akuzoni, unë kam të gjithë të drejtën legjitime të pyes: Ku është përgjegjësia ime njerëzore dhe politike në lidhje me këtë çështje sa për ligjore as që nuk mund të bëhet fjalë.

Unë jam në politikë prej 20 vitesh. Jam i gatshëm të përgjigjem për gjithçka bëj e sillem në raport me interesat e vendit tim me kushtetutën dhe me ligjin. Jam i gatshëm me çdo kohë të përballëm me përgjegjësitë e mia. Unë nuk kam ndërmend të merrem me replikë për avazin tuaj të 15 viteve, avaz të cilin e përsërisni sa herë shtrëngoheni të më sulmoni mua politikisht.

Është hera e fundit që e bëj këtë, e mora këtë kohë të gjatë  të reagoj ndaj balt hedhjes tuaj. Nga ana tjetër ju siguroj se do të bëjë me përgjegjësi e ligjit dhe me përgjegjësinë time morale detyrën që më është besuar.

Faleminderit!

 

SHKARKO APP