Ministri Xhafaj dhe Kreu i Policisë Veliu kapën 180 milionë euro kokainë
Aksioni i kapjes 613 kilogram kokainë me vlerën e tregut, diku te 180 milion euro, është vepër e korrektësisë, profesionalizmit dhe vendosmërisë se Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se Shtetit Ardi Veliu dhe Kryeprokurorit të Antimafias italiane Frederico De Raho, i cili erdhi kastile në Tiranë para dy ditësh. Ardhja e kryeprokurorit De Raho i cili takoi vetëm Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu ishte, ndër të tjera, për këtë superngarkesë mafioze me vlerë 180 milionë euro ose sa ndërtimi i katër kullave në qendër të Tiranës.
Mbajtja sekret e këtij operacioni të madh policor mbetet vepër e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu, të cilët nuk folën me asnjeri nga radhët e policisë apo qeverisë. Hera e parë që nuk dekonspirohet një aksion i policisë në të tilla përmasa.
Detajet e operacionit janë mbajtur top sekret deri pak minuta para nisjes së aksionit të madh policor mbrëmjen e djeshme. Nëse ministri Xhafaj apo kryeshefi i policisë Ardi Veliu do të kishin informuar me lart apo do kishin me pjesëtarë të Ministrisë së Brendshme ka mundësi që kjo sasi mafioze kokaine nuk do te ishte kapur nga policia.
Kryeprokurori italian tha se mafia shqiptare është bërë më aktive dhe më e rrezikshme se mafia italiane, pasi ka mbështetjen e politikës. Kjo deklaratë ishte kambanë alarmi edhe për amerikanët e DEA amerikane, të cilët luftojnë mafien e drogës në gjithë botën. Tashmë në Shqipëri nuk ka më fshatarë dhe grupe të vogla kriminale që mbjellin hashash, por mafie dhe grupe të fuqishme ekonomike që kanë hyrë në linjat botërore të trafikut të drogës.
Raportet e DEA dhe Anfimafies italiane tregojnë se vetëm disa grupe mafioze në Itali, Spanjë, Meksikë dhe Rusi janë të afta të kryejnë transporte mbi 500 kile direkt në Europë nga Kolumbia (vendi më i madh i prodhimit të kokainës). Me sasinë që është kapur në Durrës, krimi shqiptar tregon se është futur në listën e mafieve ndërkombëtare duke kërcënuar seriozisht vendin.
Kapja kësaj sasie kokaine është më e madhja e kapur në Shqipëri prej 27 vitesh. Kjo tregon se mafia është forcuar dhe ka kapur shtetin. Nuk mundet që një sasi e tillë kokaine me vlerë 180 milionë të niset nga Kolumbia pa një garanci pushtetore. Nuk mund të nis asnjeri, sado qindra milionë euro të ketë, një vlerë kaq të madhe pa patur garanci e bashkëpunim me pushtetin dhe policinë. Logjika e trafikantëve që hedhin kaq shumë lekë për një ngarkesë është njëlloj si në “biznes”, investojnë atje ku kanë siguri. Dhe Shqipëria ka qenë vendi më i sigurt për trafikantët që kanë paguar për këtë sasi të madhe malli. Droga e nisur nga Kolumbia mund të kishte zbarkuar në Greqi, Kroaci, apo dhe Mal të Zi, por duket se trafikantët kanë pasur siguri për suksesin e tyre vetëm nëse zbarkonin në Durrës. Më pas me rrugë tokësore droga do të kalonte për në vendet e BE. Kjo është dhe prova më e fortë e mbështetjes që segmentet kriminale kanë pasur jo vetëm në autoritetet e portit dhe doganave, por edhe më lartë në hierarkinë shtetërore. Për një shumë kaq të madhe parash duhet një granci që shkon përtej policisë që rri në traun e doganës. Një garanci që në Shqipëri përkthehet vetëm në mbështetje politike, e cila ka aftësinë të ndërhyjë kudo.
Dyshohet për tre politikanë të rëndësishëm shqiptarë si garant të kësaj vlere marramendëse kokaine, pasi nuk ka se si të niset nga Kolumbia një sasi kokaine 180 milionë euro vetëm me një traget rastësor.
Për të ardhur në Durrës droga ka kaluar transit në Maltë dhe Itali. Autoritet italiane ishin në dijeni të saj, por nuk kanë dashur ta ndalojnë në pikat e tranzitit. Nëse do e kapnin në Maltë apo Itali në pranga do binte vetëm transportuesi i kamionit. Kanë informuar autoritet shqiptare dhe kanë vendosur të ndjekin rrugën e drogës për të mbërritur të porositësi në Shqipëri. Thënë ndryshe, italianet dhe agjencitë e tjera kanë dashur të godasin kokën e trafikut në Shqipëri. Falë bashkëpunimit me autoritet shqiptare, goditja e policisë u krye dhe hetimet pritet të nxjerrin të tjera të dhëna befasuese.
Deri tani dihet se sot heroi i ditës është Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu. Por ka edhe tension të madh në qeveri dhe në mazhorancë për këtë sasi kokaine, e cila do shkonte për tregun europian. Baza ishte Shqipëria. Por dyshohet se kjo kokainë ka lidhje dhe me emra kryebashkiakësh bregdetarë dhe disa deputetë…
VIDEO/DROGA E KAPUR NË DURRËS
https://www.facebook.com/kohajone/videos/788533624669510/
Të dhënat e policisë për Operacionin “Last Snow”
Kokaina e sekuestruar – 613 kilogram dhe 350 gram
Vlera e kokainës – 180 milionë euro
Itinerari i Kontenierit me kokainë: Kolumbi-Itali-Maltë-Shqipëri
Mbërritja e kontenierit në Durrës –19 shkurt 2018
Operacioni i policisë në Maminas- 27 shkurt 2018
Kompania porositëse “Arbri Garden” shpk, i shpallur në kërkim: Arbër Çekaj
Të arrestuar:
– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë
– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës
FOTO/KONTENIERI KU ISHTE FSHEHUR KOKAINA