Ministri Xhafaj dhe drejtor i përgjithshëm Veliu nga Lezha: Po riorganizohemi për të goditur
Nga Qamil Xhani.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj prej disa javësh ka nisur takimet me drejtuesit e Policisë së Shtetit në Qarqe. Ministri ka zgjedhur që veç urdhrave të Drejtorëve të Policisë dhe deklaratave publike, të komunikojë personalisht me drejtuesit e uniformave blu për strategjinë e re për rendin në vend. Ndryshimet në strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit, si dhe akuzat që rëndojnë mbi uniformat blu për shkak të imazhit të dëmtuar nga paraardhësi në Ministrinë e Brendshme kanë bërë që Xhafaj kontaktojë me gjithë drejtuesit e rinj të forcave të rendit, për tu dhënë udhëzime dhe për të analizuar situatën. Dje Xhafaj ishte në Shkodër, ku prezantoi drejtorin e ri, Vehbi Bushati dhe në Lezhë ku prezantoi drejtorin e ri, Ferdinand Mara duke dhënë mesazhe të forta dhe porosi të qarta për gjithë drejtuesit dhe efektivët e policisë.
Shkodra është qarku që këto muaj ka pasur disa ngjarje të rënda kriminale, si shpërthime me tritol dhe grabitje. Policia ka goditur dy grupe të rrezikshme kriminale dhe arriti të zbardhë vendosjen e tritolit që shkaktoi 8 të plagosur në këtë qytet, por të hetimet tregojnë se në këtë zonë veprojnë një sërë grupesh të tjera kriminale. Për këtë qëllim, Fatmir Xhafaj në mbledhje e zhvilluar pa praninë e mediave me drejtuesit e Policisë në Shkodër ka kërkuar goditje të fortë të grupeve kriminale dhe bosëve të krimit. “Janë 4-5 grupe të rëndësishme kriminale që duhen goditur. Mos u merrni me hallexhinjtë që vendosin një çati. Bosët e krimit janë vërdallë dhe ata duhen goditur. Bosët e krimit nuk duhen falur për asnjë arsye”, është shprehur me tone të ashpra kreu i Ministrisë së Brendshme.
Fatmir Xhafaj nuk ndalon në misionin e tij për të spastruar policinë nga lidhja me krimin e kanabisin. Por duket se akoma nuk e ka situatën krejt në kontroll. Pastroi Kupolën e Policisë së Shtetit nga lidhjet me mafien e drogës, pavarësisht se disi në konflikt me kryeministrin, vendosi një drejtor të përgjithshëm profesionist dhe larg lidhjeve me krimin në polici si Ardi Veliu. Po spastrojnë radhët e policisë këto javë që më pas të spastrojnë Shqipërinë nga krimi e korrupsioni. Ky me sa duket është mesazhi i ministrit të brendshëm nga Lezha ku bashkë me numrin një të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu bënë analizën e punës. Por ministri nuk kishte shkuar thjesht në analizë, por edhe për të dhënë një mesazh publik për policinë, krimin dhe politikën e korruptuar. Ai tha se po spastrojmë e riorganizohemi vetë si fillim.
Por ndonëse foli me një gjuhë politike e diplomatike, ministri la të kuptohej me fjalen “riorganizim” se nuk ishte aspak dakort me ish-ministrin e PS-së Saimir Tahiri për mënyrën se si e përdori policinë. Kush ka vesh e kupton mesazhin e ministrit Xhafaj.
Policia e Shtetit është duke u riorganizuar për t’i shërbyer parandalimit të krimit dhe një kontroll të mirë të territorit. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj pas analizës së policisë së Lezhës.
“Ne jemi duke bërë një riorganizim të ri policor që synon një kontroll më të mirë të territorit dhe një marrëdhënie të re të policisë me qytetarët. Duam të forcojmë praninë e policisë në territor, komunikimin e drejt për drejtë të oficerëve të komunitetit me banorët. Për t’i shërbyer parandalimit të krimit, dhe për të qenë më të vëmendshëm ndaj krimeve në mjedis, ndërtimeve të paligjshme dhe më shumë shërbim ndaj qytetarëve në jetën e tyre të përditshme”, tha Xhafaj.
Ministri foli dhe për vettingun në polici për të cilën tha se synon forcimin e besimit brenda radhëve të policisë, rritjen e besueshmërisë së qytetarëve tek policia dhe rritjen e efiçencës në zbatimin e ligjit. Grupet kriminale janë fokusi i strukturave vendore dhe policisë kriminale, tha Xhafaj. “Është e vërtetë që ka një punë të mirë të nisur për identifikimin e këtyre grupeve kriminale, të përbërjes së këtyre grupeve kriminale dhe aseteve të krijuara prej tyre nga veprimtaria në Lezhë. Në kuadër të operacionit “Forca e ligjit” ne duam dhe jemi të vendosur për ti goditur fort këto grupe kriminale po dhe për t’iu prerë atyre dhe lidhjet ekonomike dhe asetet që kanë vendosur dhe i kanë si mjet për të ushtruar veprimtarinë kriminale”, tha ministri i Brendshëm.
Ministri i brendshëm foli nga Lezha për të dëgjuar Tirana. Po riorganizohemi urgjent si forcë policore dhe me pas politika e korruptuar dhe e lidhur me krimin do jetë pas hekurave.
Ky ishte mesazhi.