Ministri Fatmir Xhafaj: Sharlatanët shpifin. Audio-përgjimi është një mashtrim
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi sot në një konferencë për mediat se akuzat që janë bërë ndaj tij për vëllanë janë sajuar nga sharlatanë dhe shpifës. “Sharlatanët, shpifësit, shantazhuesit nuk meritojnë tu jap shpjegime”, tha Xhafaj. Ministri i Brendshëm tha se për akuzat që i janë bërë u detyrohej një shpjegim qytetarëve, pasi është njohur me gjithë faktet dhe ka bërë verifikimet e nevojshme.
“Siç është e njohur vëllai im ka marrë një vendim penal në Itali. Unë kam bërë deklarime publike në lidhje me këtë çështje. Ju garantoj se vëllai im jo vetëm nuk ju fsheh hetimit, por ka kërkuar të marrë pjesë në të gjitha seancat. Vëllai im nuk ju fsheh autoriteteve. Asnjë vendim i imi nuk ka ndikuar për të penguar institucionet”,- tha Xhafaj.
Ministri sqaroi gjatë konferencës për shtyp të vërtetën e ndalimit të vëllait të tij në Itali 16 vite më parë, kur ai ishte 22 vjeç. Ministri i Brendshëm tha se Agron Xhafaj ishte ndaluar për një muaj, por më pas ishte lënë i lirë nga autoritetet italiane.
“Po e vendos veten sot në pozicionin natyror të llogaridhënies, si ministër i brendshëm i akuzuar si i lidhur përmes vëllait me trafikun e drogës, obligimi im bëhet edhe më detyrues. Ndaj qytetarët e këtij vendi kanë të gjithë të drejtën të dinë se kush është ministri i Brendshëm për akuzat që bëhen për të. Sqaroj lidhur me çështjen e dënimit të vëllait tim. Ka marrë një dënim penal në Itali. Kam bërë deklarime publike për këtë çështje që nga viti 2002. Janë të gjitha publike, mund të verifikohen. Ngjarja ka ndodhur në 2002, vëllai ishte 22-vjeç, u ndalua për 1 muaj dhe u lirua, duke urdhëruar largimin nga Italia. Atëherë isha ministër i Turizmit në qeverinë “Majko”, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen”,- tha Xhafaj.
Ministri u është përgjigjur dhe akuzave të opozitës për manipulimin e Kodit të Procedurës Penale. Xhafaj tha se kjo ishte akuza më qesharake që i është bërë atij ndonjëherë.
Unë akuzohem se si kryetar i komisionit të ligjeve paskam falsifikuar një draft të Kodit Penal dhe deputetët e paskan votuar pa e parë. Kjo është si logjika e Zhvejkut. Kjo është akuza më qesharake. Sot pas disa muajsh, disa deputetë pranojnë se janë sylesh dhe thonë se na i hodhi Fatmir Xhafaj. Unë nuk kam asnjë meritë në miratimin e atij neni, por e mbroj fortë atë si një pikë që është standard ndërkombëtar. Nuk është shpikur nga ne dhe nuk e kemi vetëm ne”,- tha Fatmir Xhafaj.
Ai shtoi se “ky vendim nuk ka lidhje me vëllanë tim. Ligji thotë se mbrohen ata që janë dënuar në mungesë dhe nuk ka pasur mbrojtës të zgjedhur nga ai. Në rastin konkret vëllai im ka pasur mbrojtës të caktuar nga ai dhe jo të caktuar kryesisht”.
Ministri Xhafaj është ndalur dhe në audio-përgjimin e publikuar për vëllanë e tij. Ai tha se materiali është një montazh, për të cilin autorët do të përballen me ligjin. Ai tha se pas këtij sulmi janë segmente të PD dhe krimit.
“Audio-përgjimi është një mashtrim, nga fillimi deri në fund dhe i bërë keq fare. Nëse opozita nuk e ka bërë vetë dhe nuk dua ta besojë, ajo ka rënë viktimë e të tjerëve. Kur këta bëjnë në opozitë këtë gjë, çfarë do t’i bënin këta njerëzve sikur të ishin në pushtet dhe të kishin në dorë instrumentet e shtetit. Kushdo i përfshirë në këtë skandal do të marrë një përgjigje ligjore. Fabrikimi i një fakti të rëndë kundër ministrit të Brendshëm përbën një shantazh. Ndaj do t’i kërkojë Prokurorisë hetimin dhe dënimin në mënyrën më të merituar. E gjitha ka qenë një orkestrim i caktuar, nga ligësia njerëzore e një pjesë të opozitës dhe interesat e grupeve kriminale me opozitën”,- tha ministri Fatmir Xhafaj.
VIDEO/KONFERENCA E PLOTË E MINISTRIT TË BRENDSHËM
https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/2163524077267285/
Deklarata e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj:
Fatmir Xhafaj: Shumë kanë folur këto ditë në emër të ligjit dhe të moralit, në lidhje me pozicionin tim si Ministër i Brendshëm, në raport me një vendim penal të drejtësisë italiane për vëllain tim Agron Xhafaj, si dhe kundrejt një bisede të tij me një “bashkëpunëtor X” për trafik droge.
Nëse do të ishte për një pjesë të atyre (për të mirën e përbashkët janë të pakët në numër) të cilët këto ditë, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme, në lidhje me këtë raport të sipërcituar, janë rrekur të më tregojnë ligjin dhe të më vendosin përballë pasqyrës së moralit, unë sot, sot e gjithherë, nuk do të denjoja të shpenzoja kohë, energji, të paktën kështu si po e bëjë tani.
Sharlatanët politik dhe të çdo lloji tjetër, shpifësit dhe spekulantët politik dhe të çdo lloji tjetër, shantazhuesit politik dhe ata të çdo lloji tjetër, intrigantët politik dhe të çdo lloji tjetër dhe shkelësit e ligjit, të gjithë së bashku, për asnjë shkak dhe për asnjë arsye morale, apo më shumë akoma për arsye ligjore, nuk e meritojnë asnjëherë t’u respektosh kërkesën për shpjegime kundrejt tyre. Bërë kështu edhe kur je funksionar publik dhe i mveshur me detyrimin për shpjegime.
Disa prej kategorive më sipër, meritojnë injorim dhe përbuzje dhe të tjerët ballafaqim të plotë me ligjin dhe përballje me pasojat që prodhon veprimi dhe forca e ligjit kundrejt tyre, për çfarë ata në shkelje të ligjit kanë bërë. Si funksionar i lartë publik, si përfaqësues politik i interesave publike e qytetare, po e vendos sot veten time në pozicionin natyror të llogaridhënësit, vetëm në respekt të plotë të së drejtës legjitime që kanë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, për t’i kërkuar shpjegime çdo zyrtari publik. Si Ministër i brendshëm i akuzuar si “i lidhur përmes vëllait tim me trafikun ndërkombëtar të drogës”, obligimi im për sqarime dhe shpjegime kundrejt opinionit publik, bashkëpunëtorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj, bëhet edhe më detyrues.
Ndaj qytetarët e këtij vendi kanë gjithë të drejtën që fort të kërkojnë të dinë kush është Ministri i tyre i Brendshëm? Si qëndron e vërteta për akuzat që bëhen për të? Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale e ligjore që i mvesh vetes sa herë që mbaj një zyrë publike, më detyrojnë që këtë shpjegim ta bëja në mënyrë profesionale bazuar në fakte dhe prova. Vetëm pasi ndërmora të gjitha iniciativat përkatëse ligjore dhe personale dhe përfundova marrjen e çdo informacioni të nevojshëm për këtë shpjegim, i paraqitem sot opinionit publik për sqarime, sa më poshtë vijon :
Lidhur me çështjen e dënimit të vëllait tim Agron Xhafaj.
Siç është e njohur vëllai im ka marrë një dënim penal në Itali. I përgjegjshëm përballë qytetarëve dhe zgjedhësve të mi disa herë kam bërë deklarime publike në lidhje me këtë çështje. Kushdo që dëshiron të verifikoj vërtetësinë dhe koherëncën e tyre në vite mund ta bëj lehtësisht.
Në interes të momentit, por e ri-sjell publikisht këtë çështje. Ngjarja ka ndodhur në vitet 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjeç në atë kohë. Autoritet italiane e kanë ndaluar për rreth 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin e tij nga Italia. Në atë kohë, unë kam qenë ministër i Turizmit në qeverinë me Kryeministër z. Pandeli Majko. I pa detyruar nga ndonjë normë kushtetuese, apo ligjore, në respekt të moralit, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen. Duke vlerësuar qëndrimin tim dhe pozitën time, në lidhje me këtë ngjarje, si dhe pasi u shqyrtuan rrethanat dhe shkalla e implikimit të vëllait tim në këtë ngjarje, përfshi dhe konsultimin me autoritetet përkatëse italiane, Kryeministri Majko nuk e pranoi dhe e refuzoi dorëheqjen time.
Ju garantoj dhe për këtë janë të gjitha faktet, se vëllai im jo vetëm për asnjë çast nuk ju fsheh hetimit dhe gjykimit, por në mënyrë të vazhdueshme, ka kërkuar të marri pjesë në gjykimin e kësaj çështje në të gjitha nivelet e gjykimit. Edhe pse vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, vëllai im asnjëherë nuk ju fshehë autoriteteve. Asnjë veprim imi, jo vetëm sot si ministër, por edhe më parë nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit. Unë asnjëherë si funksionar publik dhe më shumë akoma si Ministër i Brendshëm, nuk kam bërë kompromis me faktin se vëllai im nuk do të duhej të vuante dënimin e dhënë.
Edhe pse ajo çfarë ai bëri shumë vite të shkuara qëndron në një shpërpjesëtim të madh me dënimin e dhënë dhe me gjendjen e sjelljen e tij të re në jetë. Si një vëlla i përgjegjshëm unë kam bërë gjithë çfarë kam patur në dorë, që im vëlla të kthehej në personin që është i denjë për vlerat e familjes tonë. Vlera për të cilat, unë jam krenar dhe më kanë ndriçuar mua në rrugën time të jetës dhe atë të politikanit. Dhe im vëlla shumë shpejt ju rikthye normalitetit. Mbaroi arsimin e lartë, krijoi familje dhe ndërtoi jetën e vetë bazuar në mund dhe djersën e tij. Ai as kërkoi, dhe asnjëherë vëllai i tij, politikani Fatmir Xhafaj, nuk i krijoi favore, apo privilegje në shkelje të ligjit. ASNJË!
Sot unë dhe gjithë familja ime jemi të goditur shumë fort shpirtërisht. Dhe vuajtja shpirtërisht peshon më shumë për faktin se dënimin po shkon ta vuajë një Agron që nuk ka asnjë lloj lidhje me Agronin e 16 viteve të shkuara. Ne do të gjejmë forcë dhe kurajë për ta përballuar këtë situatë të pazakontë familjare, për t’ja bërë sa më të lehtë e sa më të përballueshme nënës, bashkëshortes dhe sidomos dy fëmijëve të tij në moshë të vogël, përkatësisht 15 dhe 11 vjeç. Faleminderit të gjithë familjarëve dhe miqve tanë të shumë që ju janë gjendur atyre pranë në këto momente të vështira !
Është momenti për të nënvizuar edhe një fakt tjetër ligjor në këtë çështje. Për ligjin shqiptar në fuqi, ndjekja penale dhe dënimi penal që duhet ekzekutuar në rastin e vëllait tim është parashkruar. Rrjedhimisht, në Shqipëri për asnjë shkak dhe për asnjë rrethanë ligjore, Agron Xhafaj nuk do të bënte asnjë ditë burg. Pra, e thënë më shkurt, për ata që nuk e njohin të vërtetën ligjore. Nëse im vëlla do të bënte njohjen e vendimit të tij këtu dhe do të priste ekzekutimin e tij për dënimin në ngarkim të tij, sipas ligjit shqiptar, ai nuk do ta vuante fare atë, pasi periudha prej 4 vjetësh e mbetur për ekzekutim është në afatin 5 vjeçar të parashikuar nga ligji shqiptar. Një precedent ky i zbatuar normalisht në praktikën gjyqësore në Shqipëri.
Unë si vëllai i tij nuk e nxita as atëherë si vëlla dhe as sot që të jem i ndershëm që ai ta kryente këtë akt. Ishte zgjidhja e tij dhe e respektoj dhe e vlerësoj shumë gjestin e tij. Ai nuk ma dha mundësinë që të provoja Fatmir Xhafën si Ministër i Brendshëm kur të kërkohej që ky vendim të ekzekutohej, nëse ndonjëherë do të kërkohej ekzekutimi i këtij dënimi. Kjo do të ishte prova e moralit për mua si ministër.
Dhe në këtë kontekst, a është dikush, që mundet të më tregojë mua dhe qytetarëve :
- cilin ligj kam shkelur, sot si Ministër i Brendshëm, dhe çdo herë tjetër që kam qenë në funksione publike ?
- çfarë unë nuk kam bërë fare, apo çfarë edhe nuk e kam bërë mirë në detyrën time si Ministër i Brendshëm?
- a kanë më shumë besim sot qytetarët se ka rend dhe siguri ? etj, etj.
Por kasta e politikës së baltës, nuk di të bëj gjë tjetër veçse të merret me çfarë bënë vëllai, motra, nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët. Dëshiroj t’ju them miqve të shumtë të mi që më kanë shkruajtur këto ditë me shumë dashamirësi. Miqtë e mi, mos prisni të merrem me bashkëshortet, djalin,vajzën, motrat, vëllezërit, baxhanakun dhe kunatin e disa prej këtyre të pacipëve që më kanë sulmuar mua gjithë këto ditë, paçka se ka shumë për të thënë dhe bërë ndaj tyre, në këtë aspekt.
Do ju zhgënjej për këtë. Nuk mund ta bëj. Nuk e kam bërë në asnjë ditë që jam në politikë dhe as kam ndër mend ta bëj! Nga familja ime gjithmonë kam një porosi, që edhe pse nuk janë ata të parët që e kanë thënë, por të parët që në fëmijëri mua ata ma kanë thënë: Mos i bëj tjetrit, atë që nuk do dëshiroje të ta bënin ty! E di shumë mirë që, kjo ka vlerë për njerëzit normal të kësaj bote, për njerëzit që kanë cipë dhe përgjegjshmëri kur flasin!
Lidhur me falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale.
Është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. Edhe sot, nuk ju besoj veshëve kur e dëgjoj këtë akuzë. Qesharak komplet këta lloj njerëzish. Pa pikë personaliteti. E kam të vështirë që të besoj që, edhe pse nuk kam asnjë simpati personale dhe politike për ata që më akuzojnë për këtë çështje, dhe më duket sinqerisht shumë çudi se si njeriu pranon të jetë dhe të vet shpallet injorant. Në këtë rast nuk mundet t’ju thuash as spekulant politik. Nuk dua të zgjatem se, besoj të paktën për shumicën që ka tentuar sadopak të mësojë të vërtetën, është i qartë absurditeti i kësaj akuze. Unë akuzohem se si kryetar i komisionit të ligjeve, për të shpëtuar vëllain tim nga burgu, kam ndryshuar draftin e nenit 491 të KPrP, të miratuar në komisionin parlamentar, (pra në çdo rast ka “falsifikuar” një draft) dhe për votim Kuvendit i është paraqitur, jo drafti i komisionit parlamentar, por drafti “i falsifikuar” nga unë. Dhe deputetët e kanë votuar “pa e parë”. Se kështu i bie sipas logjikës Zhvejkjane. Dhe tani, pas disa muajve, disa prej këtyre deputetëve pa pikë turpi, duke pranuar që janë sylesh vetëm e vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre të mbrapsht politik, thonë që na e hodhi Fatmir Xhafaj. Po këtë e thonë me delikatese. E falsifikoi. Thonë.
Komplet qesharak.
Gjithsesi, unë kam detyrimin që të jem serioz dhe t’ju jap përgjigjen që duhet.
1) nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, si njërin variant të draftit, ashtu edhe në variantin tjetër. Por, e mbroj fort atë, si një nen që është në përputhje me konventat, me kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë;
2) kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin.
Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1998, pra ky lloj kushti ishte, gjithsesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, edhe amendimi i Kodit, i cili reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim; nuk është risi, pasi kjo disiplinë është në fuqi që nga viti 1998. Për më tepër, të njëjtën disiplinë e kanë adoptuar dhe e zbatojnë të gjitha vendet evropiane, duke filluar që nga Austria e duke mbaruar te Zvicra. Në të gjitha këto shtete, në rastet e vendimeve gjyqësore në mungesë, ekstradimi është i mundshëm, vetëm nëse shteti kërkues jep garanci për rigjykim.
E për më tepër, ky parashikim është reflektuar e zeza mbi të bardhë, në ligjin për marrëdhëniet ndërkombëtare juridiksionale, hartuar dhe miratuar në vitin 2009, pikërisht nga këta që sot janë në opozitë dhe që nuk lënë gjë pa thënë për këtë fakt !!
3) Ky rregullim i ri në Kodin e Procedurës, por në fuqi më parë në ligjin e sipërcituar, nuk ka lidhje me rastin e vëllait tim Agron Xhafaj dhe është sërish një mashtrim i rëndë publik.
Dispozita e thotë qartë, mbrohen vetëm ata që janë dënuar në mungesë, pra, në kushtet kur nuk është siguruar e drejta për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Është e vërtetë që Italia është dënuar shpesh nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por kjo gjykatë i ka konstatuar si shkelje vetëm ato procese, ku i pandehuri nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka caktuar një mbrojtës, por i është caktuar një mbrojtës kryesisht. Në rastin konkret, im vëlla ka qenë i përfaqësuar nga një mbrojtës jo i caktuar kryesisht dhe teknikisht nuk mund as të konsiderohet, besoj, si gjykim në mungesë, për efektet e ekstradimit dhe për rrjedhojë, nuk jemi në kushtet e nenit aktual 491, të KPrP. Nuk dëshiroj të marr më shumë kohë për këtë pasi jam i sigurtë që edhe ata që flasin, sikur të ishin vetëm pak fare normal në sjellje dhe qëndrime politike, do të kuptonin se sa qesharakë janë dukur me këtë akuzë.
Lidhur me akuzat për përfshirje të vëllait tim në trafikun e drogës në Shqipëri.
Është komplet një mashtrim dhe shpifje e ulët ajo që thuhet në lidhje me përfshirje të vëllait tim në këtë veprimtari. Marr të gjitha përgjegjësit ligjore dhe morale nëse ka qoftë edhe një grimcë të vërtetë në lidhje me këto akuza. Prej viti 2002 vëllai im Agron Xhafaj ka jetuar në Shqipëri dhe është një ndër qytetarët e shumtë të këtij vendi, që nuk ka asnjë problem me ligjin. ASNJË !
E verifikuar kjo zyrtarisht në institucionet ligj zbatuese të shtetit, si për këto vite që unë jam Ministër i Brendshëm ashtu edhe në referim të arkivave të këtij shteti, që nga momenti që ai është një person madhor në kuptim të përgjegjësisë së ligjit.
Nuk kam dashur të merrem me retorika me balt hedhësit profesionist të këtij vendi. Por tani, që këta intrigantë dhe sharlatanë politikë, apo edhe të tjerë pas tyre, e kaluan cakun duhet të marrin përgjigjen e merituar.
Audio përgjimi i servirur me pompozitet publikut është një sajesë (MASHTRIM) e plotë. Nga fillimi deri fund. Është një manipulim dhe i bërë keq, madje. Nëse opozita nuk e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht nuk dua ta besoj se është që është ajo nxitësja dhe realizuesja e këtij akti skandaloz, ajo ka rënë viktimë e të tjerëve. Edhe pse edhe në këtë rast tregoi, se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite dhe se sa etur për pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim ajo është. E për fat të keq duhet bëre një pyetje normale :
Kur këta në opozitë bëjnë këtë gjë, çfarë do ju bënin njerëzve të thjeshtë e kundërshtarëve të tyre politikë sikur të ishin në pushtet dhe të përdornin instrumentet e shtetit !!! Ruana zot nga kjo racë e papërgjegjshme! Kjo lloj qasje e kësaj opozite kundrejt pushtetit, e bëri atë të bjeri preh e interesave, ose të intrigantëve e shpifësve ordinerë, ose të grupeve kriminale. Gjithsesi, kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, do të marri përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal të paqenë për Ministrin e Brendshëm dhe familjarë të tij, përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë. Ndaj, do t’i kërkoj sot publikisht prokurorisë veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar. Unë nuk e kam patur zakon asnjëherë që të flas kuturu. Por, është e qartë që e gjitha çfarë ka ndodhur këto 3-4 ditët e fundit, ka një orkestrim me një qëllim të caktuar.
Ligësia politike e njerëzore e një pjese të opozitës dhe kryesisht lidershipit të saj, diletantizmi politik i opozitës në tërësi, interesat meskine të kësaj opozite janë bërë bashkë, me interesa të grupeve kriminale dhe subjekteve të caktuara brenda e jashtë sistemit të drejtësisë së kalbur.
Opozita, me keqardhje e them, por ka rënë në batakun e intrigantëve dhe shantazhuesve të rëndomtë. Të errësuar në logjikën e tyre, ata kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me djallin, vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë nga pushteti. Pavarësisht dëmit të pallogaritshëm që mundet t’i shkaktohet në këto momente delikate të procesit te integrimit evropian. E kuptoj, që shumë janë të frikësuar nga çfarë po ndodh me reformën në drejtësi dhe me punën dhe rezultatet që po arrin Policia e Shtetit. Por, dua ti garantojë të gjithë këta, se edhe nëse unë dje do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, nga kolegë dhe bashkëpunëtorë të mi, nga partnerët ndërkombëtarë, nuk mundet të zhbëhet. Shumë shpejt edhe SPAK e BKH do të jenë në funksionim. Kështu, gjithnjë e më shumë, krimi do të humbas terren. Unë jam këtu për ta përmbushur sa më mirë këtë mision që kam marrë përsipër. Dje si ideues dhe drejtues i procesit të Reformës në Drejtësi dhe sot si Ministër i Brendshëm. Nëse mendoni të më mposhtni me sulmet tuaja, gaboni.
Thjesht nuk kam frikë! Askush nuk mund të më shantazhojë. Askush nuk do të mund të më pengojë në arritjen e qëllimeve të larta, të asaj çfarë kam marrë përsipër të bëj sa bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e partnerëve: luftë pa kompromis me krimin, gjithmonë në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe vetëm të qytetarëve. Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për mesazhet e shumta mbështetëse dhe inkurajuese që kam marrë prej tyre këto ditë.
Pyetje nga gazetarët : Z.Xhafaj sapo thatë që interesa të caktuara ju kanë shantazhuar? Në një vend ku shantazhohet Ministri i Brendshëm, si mund të jetë siguria për qytetarët, dhe deklaruat që ajo është gjithçka një sajesë, keni bërë ndonjë ekspertizë të paktën qoftë edhe me ekspertët më të mirë që ka policia e vendit deri në këto momente?
Ministri Xhafaj: Policia si institucion, në asnjë moment nuk janë përfshirë prej meje në këtë histori, në asnjë moment. Është e vërtetë që kanë bërë një vlerësim të asaj audio, në Agjenci shumë të njohura ndërkombëtare, me përgjigjen e të cilës jam njohur dje, dhe sot jam këtu për ta thënë këtë.
Pyetje: Z.Xhafaj, a keni menduar ndonjëherë gjatë këtyre ditëve për dorëheqjen për të lënë organet e drejtësisë që të hetojnë të pandikuara nga pozicioni juaj si Ministër i Brendshëm? Dhe pyetja e dytë, unë në fakt futem tek ajo kategori njerëzish që mendojnë që nuk keni përgjegjësi morale për të afërmit tuaj, por çfarë përgjegjësie morale mund të kenë policët të cilët në formularin e Vetting-ut janë pyetur edhe për të afërmit e tyre të lidhur me krimin?
Ministri Xhafaj: Në asnjë rast nuk kam menduar të jap dorëheqjen për këtë shkak. Do të jepja dorëheqjen për çdo shkak tjetër që të kishte lidhje me mua dhe me përgjegjësitë e mia në zbatim të ligjit dhe përballë qytetarëve. Për sa i përket përgjegjësive të policisë, ose më saktë asaj që spekulohet lidhur me Vettingun, të gjithë ata që bëjnë këtë deklarim, tregojnë një të dhënë të caktuar, Komisionit i duhet të provojë që kjo marrëdhënie, kjo lidhje ka ndikuar në mënyrën, në figurën e tij, në veprimin e tij, që të jetë shkak për përgjegjësi.
Pyetje:… Flitet që ju nuk keni pranuar që në fillim të jepni dorëheqjen pavarësisht se Kryeministri ua ka kërkuar. Mund të na zbardhni pak a shumë të vërtetën rreth kësaj?
Ministri Xhafaj: Së pari nuk ka një çështje për të cilën unë duhet të çoj një dokument në Prokurori. Ata që kanë një çështje kanë çuar dokumente në Prokurori. Im vëlla, në rastin konkret, ka shkuar në Prokurori, ka bërë kallëzim, ka dhënë dhe deponim dhe ka bërë gjithë veprimet e nevojshme sipas ligjit. Lidhur me dorëheqjen, Kryeministri nuk më ka kërkuar asnjëherë dorëheqjen, për kërshërinë tuaj. Dhe nuk shoh që në asnjë gjë, asnjë shkak, asnjë arsye për dorëheqjen time në këtë rast.
Pyetje: Pyetja ime është, siç e thatë edhe ju vëllai juaj ka qenë i mbrojtur nga një avokat dhe ka ndjekur gjithë procesin e tij në Itali. Pse duhej kjo zhurmë mediatike që t’ju përfshinte ju që ai të dorëzohej në autoritetet italiane dhe të kryente dënimin që pavarësisht se e ka bërë në një moshë të re sërish është një vepre penale e kryer prej tij?
Ministri Xhafaj: Besoj se i ka dhënë ai shpjegimet në deklaratën publike që ka bërë. Është çështje e tij dhe ai i ka dhënë shpjegimet.
Pyetje: Se nuk është një situatë shumë e zakonshme që dy vëllezër njëri të jetë Ministër i Brendshëm dhe tjetri në burg…
Ministri Xhafaj: Sigurisht, për pjesën e tij i ka dhënë ai.
Pyetje: …A mendoni që hetimet për ekspertizën, që kanë nisur tashmë nga prokuroria, do të ndikohen nga pozicioni juaj si Ministër i Brendshëm?
Ministri Xhafaj: Së pari, sipas të gjitha të dhënave që kam, zyrtare, nuk ka pasur kurrë një kërkim ndërkombëtar nga pala italiane dhe nga asnjë shtet tjetër në ngarkim të vëllait tim që ta vinte në lëvizje Policinë e Shtetit, Prokurorinë dhe organet e tjera. Sa i përket hetimit, unë nuk jam pjesë e çështjes penale që të pengoj hetimin.
Pyetje: … Në kohën që keni qenë Ministër Drejtësie, ju jeni autor i një prej ligjeve më të rëndësishëm, atij “Antimafia”, sipas të cilit, në momentin që një person dënohet, familjarët e tij, pasuria e tyre, kalon në sitën e sekuestros dhe të barrës së provës. Ju, a do ta zbatoni ligjin që e keni hartuar e miratuar vetë?
Ministri Xhafaj: Unë besoj se duhet të jeni kaq në dijeni që ai është një proces penal i mbyllur, thjesht është në ekzekutim dhe ai ka shkuar atje, vullnetarisht, për ta ekzekutuar vendimin. Për sa i përket ligjit antimafia, godet pasurinë e personave të dyshuar. Që ligji të veprojë duhet të ketë të dhëna të besueshme që pasuria të jetë produkt i veprimtarisë kriminale dhe jo në çdo rast. Së pari, nuk ka një çështje konkrete të hapur për këtë gjë dhe së dyti në dijeninë time, im vëlla nuk ka pasuri të kësaj natyre. Mbetet që ta investigojnë organet përgjegjëse.
Pyetje: Opozita paralajmëroi se do të vijojë protestën deri në dorëheqjen tuaj. Si do ta kaloni këtë situatë z.Xhafaj?
Ministri Xhafaj: Duke bërë detyrën time me përgjegjësi të plotë në raport me kushtetutën dhe me ligjin.
Pyetje: Ju jeni subjekt i ligjit antimafia, si person që keni njohuri juridike, a jeni pjesë e këtij subjekti?
Ministri Xhafaj: Në kuptim teorik të ligjit po, në kuptim praktik jo. Përsa kohë që nuk ka ende një çështje të tillë dhe nuk ka një akuzë të tillë.
Pyetje: Opozita deklaron se nuk është ekzekutuar një urdhër arresti ndërkombëtar për vëllain tuaj, pasi ai kishte ndryshuar emrin në gjendjen civile. Sa qëndron kjo?
Ministri Xhafaj: Mund t’i bëni kërkesë Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Republikës që t’ju japi të gjithë informacionin e nevojshëm. Në asnjë rast në asnjë formë nuk ekziston një kërkesë ndërkombëtare ndaj vëllait tim.