Ministri Xhafaj: Shumë shpejt do ketë arrestime të grupeve kriminale

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një takim me qytetarët e Korçës ka folur sot për goditjen e grupeve kriminale dhe kapjen e “peshqve të mëdhenj”.

Lidhur me aksionin ndaj krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, Xhafaj tha se që të behet e mundur arrestimi i zyrtarëve të lartë duhet që gjithë hallkat e sistemit të rendit dhe drejtësisë të funksionojnë. “Këto Agjenci të rëndësishme ligjzbatuese si Policia, Prokuroria e Gjykata që jep drejtësi, nëse janë misione të ndershme e të afta profesionalisht, nuk korruptohen nga politika dhe zyrtarët e shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që do çojë në pritshmërinë e lartë për t’u dhënë më pas ndëshkimin e duhur gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin – ose siç i quani ndryshe ju me të drejtë ‘peshqit e mëdhenj’. Sepse që ‘peshku i madh” të përfundojë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë, dhe rrjeta janë Policia – Prokuroria – Gjykata. Pa këto të treja nuk është e mundur. Pasi nëse njëra prej tyre nuk funksionon, nuk funksionon i gjithë sistemi”, tha Xhafaj.

Në forumin qytetar për Sigurinë Publike në Korçë, ministri Fatmir Xhafaj iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës lidhur me grupet kriminale. Duke prezantuar rezultatet e operacionit Forca e Ligjit, Xhafaj premtoi shumë shpejt të tjera arrestime.  Duke u ndaluar tek lufta kundër krimit të organizuar, ai theksoi se shumë çështje nën hetim kanë avancuar.

“Krimi i organizuar cënon sigurinë kombëtare, pronën dhe jetën, cënon, pengon zhvillimin ekonomik, jetën sociale të shoqërisë edhe imazhin e vendit. Ne jemi fort të angazhuar. Kemi ndërmarrë një operacion shumë konkret, operacionin “Forca e Ligjit”. Kemi evidentuar grupet kriminale që veprojnë në territor, brenda dhe jashtë territorit të vendit. Kemi goditur një pjesë të tyre. Kemi një sërë hetimesh të rëndësishme me Task Forcat që janë në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të goditur shumë shpejt një pjesë të këtyre grupeve kriminale”, u shpreh ministri Xhafaj.

Forumet Qytetare për Siguri janë mbajtur më herët në Elbasan, Dibër, Fier e Berat. Dhe pas 12 qarqeve llogaridhënia e policisë do të shtrihet në javët e ardhshme në 61 bashkitë në vend.

SHKARKO APP