Ministria e Brendshme reagon për Alibeaj: Dosjet nuk fshihen si në kohën kur ishe ti ministër

Ministria e Brendshme reagoi sot ndaj akuzave të deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj. Deputeti i PD-së deklaroi se Policia e Shtetit po fshinë provat që implikojnë Sekretarin e PS, Taulant Balla me dhunën e djalit të deputetit të Fushë-Krujës, Rrahman Rraja.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Brendshme shprehet se akuzat e oficerit të policisë Emilano Nuhu, që deklaronte se Taulant Balla ka qenë në komisariatin e Fushë-Krujës janë nën hetim nga Prokuroria. Ministria sqaron se për këtë akuzë si dhe për denoncimet e Xhisiela Malokut, Policia e Shtetit ka ndjekur të gjithë procedurën ligjore.

Akuzave të deputetit Alibeaj, Ministria e Brendshme u është përgjigjur duke rikujtuat edhe kohën kur Alibeaj ishte ministër i Drejtësisë, gjatë qeverisë “Berisha”. “Gjithashtu, i rikujtojmë juristit Alibeaj, se në momentin kur çështja referohet në Prokurori është vetëm ky institucion, Zot i saj, dhe Policia e Shtetit është vetëm në funksion të hetimit. Të gjitha deklaratat dhe akuzat me sfond të qartë politik janë vetëm përpjekje për të intimiduar agjencitë ligj zbatuese dhe vonuar apo penguar zbardhjen e së vërtetës. Koha kur Ministra, firmosnin urdhra drejtuar Prokurorisë dhe bëheshin Zot të çështjes, për të mbuluar paudhësitë e qeverisjes së kohës, nuk ekziston. I kujtojmë z. Alibeaj, megjithë sikletin që mund të ketë patur, se publiku e ka ende të freskët skandalin ligjor të ish-ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës, për një dosje që shqetësonte pushtetin e kohës”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Brendshme:

“Lidhur me deklaratën e deputetit të PD-së, Ministria e Brendshme sqaron se:

PD-ja po vijon të sulmojë me fakte të deformuara dhe të hedhë baltë pafund mbi Policinë e Shtetit.  Për çdo kërcënim të pretenduar, Policia e Shtetit ka kryer veprimet proceduriale në mënyrë profesionale dhe ka referuar dosjen për ndjekje të mëtejshme në Prokurori.

E ka bërë këtë me denoncuesen Xhisiela Maloku, edhe pse ajo u tërhoq nga kallëzimi, që prej datës 23 korrik 2018, e ka bërë këtë edhe me denoncimin e ish-oficerit që braktisi detyrën, Emiljano Nuhu, që prej 30 korrikut 2018.

Çdo veprim i Policisë së Shtetit dhe i SHÇBA-së, që është investuar që nga momenti i parë i bërjes publike të pretendimeve, janë transparente dhe të referuara në Prokurori. Hetimet po drejtohen nga ky institucion dhe janë deleguar një sërë veprimesh, që ndihmojnë për zbardhjen shpejt të ngjarjes, zbardhjen e plotë të rrethanave, sqarimin e çdo pikëpyetjeje të publikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, të përballen personat e implikuar me përgjegjësitë penale.

Në respekt të publikut, SHÇBA-ja sqaron se janë marrë në pyetje jo vetëm punonjësit e Policisë në Krujë, Fushë Krujë, Durrës, Berat e Tiranë, por edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për faktet.

Referuar deklarimeve të zyrtarit të radhës së PD-së, është realisht e provuar dhe me dokumente se pretendimi për kërcënim i ish-oficerit Nuhu është duke u hetuar që nga momenti i parë i denoncimit. Dhe këtë hetim nuk po e drejton Policia, por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjithashtu, i rikujtojmë juristit Alibeaj, se në momentin kur çështja referohet në Prokurori është vetëm ky institucion, Zot i saj, dhe Policia e Shtetit është vetëm në funksion të hetimit. Të gjitha deklaratat dhe akuzat me sfond të qartë politik janë vetëm përpjekje për të intimiduar agjencitë ligj zbatuese dhe vonuar apo penguar zbardhjen e së vërtetës.

Koha kur Ministra, firmosnin urdhra drejtuar Prokurorisë dhe bëheshin Zot të çështjes, për të mbuluar paudhësitë e qeverisjes së kohës, nuk ekziston. I kujtojmë z. Alibeaj, megjithë sikletin që mund të ketë patur, se publiku e ka ende të freskët skandalin ligjor të ish-ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës, për një dosje që shqetësonte pushtetin e kohës.

Në mbyllje, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbeten të hapura, transparente dhe nxisin fort Prokurorinë për të zbardhur shpejt të vërtetat dhe rrethanat për gjithë akuzat e ngritura”.

Deklarata e deputetit të PD, Enkeljed Alibeaj:

“Edi Rama po përdor të gjithë makinerinë e tij të propagandës  që askush të mos flasë për denoncimin e oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili përmend me emra mbrojtësit politikë të bandës famëkeqe të Fushë Krujës Taulant Balla, Artur Bushi dhe Rrahman Rraja.

Ata janë të përfshirë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut natën e 21 Korrikut, por Policia ka bërë gjithçka për ta fshehur ngjarjen dhe për të zhdukur çdo gjurmë që mund ta vërtetojë atë.

Është fakt se deri më sot nuk ka asnjë veprim ligjor të asnjë organi shtetëror për të verifikuar se Taulant Balla, Rrahman Rraja, Artur Bushi dhe banda e tyre kanë qenë në 21 Korrik në Stacionin e Policisë së Fushë Krujës.

Është fakt i provuar me dokumenta nga nënkomisar Emiljano Nuhu se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ministri i Brendshëm, Kryeministri, Prokurorja e Përgjithshme janë vënë zyrtarisht në dijeni të ngjarjes dhe përfshirjes së Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në kërcënimin me armë të oficerit të policisë, por kanë heshtur dhe kanë mbuluar krimin.

Është fakt se nuk është bërë asnjë veprim ligjor për të pyetur policët e tjerë për praninë e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës atë natë në Policinë e Fushë Krujës.

Asnjë nga këto veprime nuk është kryer, sepse, me urdhër të eprorëve më të lartë, Policia e Shtetit është vënë në shërbim të bandës dhe politikanëve banditë për të fshirë gjurmët e krimit.

Çdo oficer në Policinë e Krujës Fushë Krujës dhe të Durrësit e di se gjithçka ka dëshmuar nënkomisar Emiljano Nuhu është e vërtetë.

Punonjës të policisë, por edhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë denoncuar se menjëherë pas bërjes publik të krimit në korrik, Taulant Balla i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, të marrë masa për fshirjen e gjurmëve të krimit dhe për të zhdukur provat e përfshirjes së tij.

Me urdhër të Ardi Veliut, Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe, ka ngritur një grup pune për të gjetur dhe fshirë çdo kamera që mund të provojnë praninë e Taulant Ballës, Rrahman Rrajës dhe Artur Bushit në Policinë e Fushë Krujës në 21 Korrik.

Policët e zonës e dinë se ky grup pune me detyrë specifike fshirjen e kamerave dhe serverave të bizneseve pranë Policisë kanë kërcënuar me tatimorë, banditë dhe armë këdo që ka refuzuar të bashkëpunojë për shkatërrimin e provave.

Punonjësit e policisë dhe punonjësit e SHKB-së tregojnë se vetë Drejtori i Policisë se Qarkut Durrës, Alfred Çepe është përfshirë personalisht në operacionin për zhdukjen e provave që implikojnë Taualant Ballën, Artri Bushin dhe Rrahman Rrajën në kërcënimin me armë të nënkomisar Emiljano Nuhut.

Ministri i Brendshëm është në dijeni të plotë të këtij operacioni, por nuk ka ndërhyrë për ta ndaluar atë. SHKB-ja që varet direkt nga Fatmir Xhafaj, duhet t’i kishte sekuestruar dhe administruar kamerat që provojnë praninë e Taulant Ballës në Fushë Krujë, por nuk e ka bërë këtë për t’i dhënë kohë shkatërrimit të provave. Sot, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa  kamë detyrimin t’u tregojnë publikut çfarë është bërë me kamerat e Policisë së Fushë Krujës dhe me kamerat rreth saj. Heshtja, me shpresën se skandali do të harrohet, nuk ka për t’i ardhur në ndihmë as Taulant Ballës, as pengut të krimit Edi Rama”.

Prokuroria reagon për herë të parë për çështjen “Xhisila”: Po hetojmë akuzat e Nuhut

Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu. Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën.

Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu. Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen. Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë.

SHKARKO APP