Ministria e Shëndetësisë: PD spekulon, pasi mbledhja e të dhënave është standard ndërkombëtar
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar sot pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me mbledhjen e të dhënave për pacientët.
Ndryshe nga sa pretendon PD, Ministria e Shëndetësisë deklaron se “databaza e shëndetit është standard ndërkombëtar” dhe ka si qëllim “përmirësimin e shërbimit për pacientët”. Ministria i kujton PD-së së përdorimi i të dhënave mbrohet me ligj dhe në rastin konkret nuk ka asnjë abuzim apo shkelje të ligjit.
“Programi i shëndetësisë elektronike është një proçes që nuk do të ndalet pasi rrit transparencën, shmang abuzimet dhe lehtëson qytetarët nga burokracitë në marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi. Përdorimi i të dhënave personale mbrohet me ligj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton mbrojtjen e këtyre të dhënave”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon të sqarojë qytetarët se kërkesa për plotësimin e të dhënave nga strukturat shëndetësore për përfituesit e shërbimeve shëndetësore, ka si qëllim vendosjen e një standardi të ri, që rrit transparencën dhe llogaridhënien, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
Përkundër spekulimit politik të radhës të opozitës, ky proçes nuk ka asnjë qëllim tjetër, veç plotësimit të databazës ekzistuese të të dhënave shëndetësore për pacientët, një standart ndërkombëtar për çdo sistem shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i sjell në vëmendje opozitës, në rastin më të mirë, të paditur, se me reformën e deregulimit që ka ndërmarrë qeveria, karta e identitetit ka zëvendësuar kartën e shëndetit ndaj përmes NID identifikohet qytetari për kategorinë shëndetësore që i përket dhe shërbimet që përfiton në të gjithë sistemin tonë shëndetësor.
Programi i shëndetësisë elektronike është një proçes që nuk do të ndalet pasi rrit transparencën, shmang abuzimet dhe lehtëson qytetarët nga burokracitë në marrjen e shërbimeve në kohë dhe me cilësi.
Përdorimi i të dhënave personale mbrohet me ligj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton mbrojtjen e këtyre të dhënave”.