Miratimi i gjuhës shqipe në Maqedoni. Presidenti Ilir Meta: Akt historik!
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur sot miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
Në një postim në Facebook, Presidenti e vlerëson vendimin e sotëm të parlamentit maqedonas, si një hap të rëndësishëm historik.
“Përshëndes vendosmërinë për miratimin e ligjit të përdorimit të gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, si një akt i rëndësishëm historik e me rëndësi madhore, jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen europiane të Maqedonisë. Urime!”,- shkruan Presidenti Meta.
Ligji për gjuhët i miratuar me shumicë votash i jep një dimension tjetër shqiptarëve në Maqedoni, faktor shtetformues në vendin fëqinj.
Deputetët maqedonas kanë miratuar me 64 vota pro dhe asnjë kundër ligjin për gjuhët, ndërkohë që nuk janë shqyrtuar aspak amendamentet e VMRO-DPMNE-së, e cila ishte kundër. Votimit i ka paraprirë një tension mes deputetëve të opozitës, që u ngrit deri në një zënkë mes Nikolla Gruevskit dhe kryeparlamentarit shqiptar të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Miratimi i ligjit për gjuhën shqipe është përkrahur nga vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA, si pjesë e procesit të integrimit të Maqedonisë dhe e njohjes së të drejtave të fakorit shqiptar si pjesë e rëndësishme e shtetit maqedonas.
Gjuha shqipe në Maqedoni, PD: Hap para për klimë bashkëjetese
Partia Demokratike ka përshëndetur miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PD thekson se ky votim është një hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë.
“Partia Demokratike përshëndet votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. Ky votim është nje hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë. Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.
Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik”,- thuhet në reagimin e PD.
Bushati: Arritje e rëndësishme për shqiptarët
“Një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese”, e ka cilësuar ministri i Jashtëm Ditmir Bushati miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti maqedonas.
Përmes një statusi në Facebook ministri Bushati e ka vlerësuar votimin në Kuvendin maqedonas si hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
Statusi i plotë i Bushatit
GJUHA SHQIPE NË MAQEDONI!
Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti pas refuzimit të Presidentit dhe sjelljes obstruksioniste të segmenteve të caktuara të politikës së vjetër në Maqedoni përbën një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.
Finalizimi i kësaj sipërmarrje të vështirë dhe këmbëngulja e demonstruar pavarësisht pengesave të panumërta është dëshmi e pjekurisë politike dhe mirëkuptimit ndëretnik.
Zbatimi i duhur i ligjit dhe vendosja e mekanizmave të monitorimit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.