Miratohet me 75 vota ligji për prishjen e Teatrit. Majko braktis sallën

Miratohet pas shumë sherreve dhe polemikave ligji për prishjen e Teatrit Kombëtar. Opozita gjuajti me letra ndaj kryeministrit Rama, ndërkohë u largua nga Kuvendi sapo filloi votimi për projektligjin për Teatrin. Po kështu mësohet se ministri për Diasporën Pandeli Majko ka bërë sherr me kryeministrin Rama për ligjin për Teatrin dhe është larguar nga salla e Kuvendit.

Ministri për Disaporën, Pandeli Majko nuk ka marrë pjesë në votimin e parlamentit për Teatrin Kombëtar.

Ai njihet si një nga zërat kundër prishjes së godinës ekzistuese, megjithëse nuk ka folur publikisht. Përpara se të niste votimi, Majko është larguar nga parlamenti.

Deputeti i PD-së Florian Mima tha në fjalën e tij se kreu i qeverisë e largoi Majkon nga salla. Deputetë të PD-së thanë se kanë parë Ramën që i bëri presion Majkos.

Sipas këtyre burimeve Rama i ka thënë i nervozuar: “Nëse nuk do të votosh, ik ne shpi. Mua mos me bej numra”.

Pas këtyre fjalëve Majko doli i nervozuar.

Nga foltorja e Kuvendit nuk munguan replikat mes deputetëve të të dy palëve, ku ata të mazhorancës mbrojtën ligjin e sjellë në parlament, ndërsa opozita kërkoi me forcë tërheqjen e këtij ligji.

“Tërhiqeni këtë ligj. këtë palaçollëk që dëshironi t’i bëni Tiranës dhe Shqipërisë”, tha deputeti Edmond Spaho, para se deputetët e opozitës të bllokonin foltoren e kuvendit.

Foltorja u bllokua në momentin para se të kalohej në votimin e projektligjeve, pasi opozita vijoi me kërkesën për të tërhequr ligjin e shembjes së Teatrit, por hasi në refuzimin e qeverisë.

Projekt ligji për Teatrin kaloi si nen për nen, ashtu edhe në tërësi, me 75 vota pro, të gjitha nga mazhoranca, ndërsa opozita qëlloi me kartonë kryeministrin Rama dhe la sallën e Kuvendit.

SHKARKO APP