Misioni Artemis II: Astronautët drejt Hënës pas 50 vjetësh, nisen me 6 shkurt
NASA po përgatitet të dërgojë astronautë rreth Hënës për herë të parë në më shumë se 50 vjet. Misioni Artemis II i agjencisë hapësinore do ta çojë ekuipazhin më larg se sa kanë udhëtuar ndonjëherë njerëzit në hapësirë.
Nisja është planifikuar për më 6 shkurt, por varet nga disa faktorë thelbësorë.
Programi Artemis është nisma e NASA-s për eksplorimin hënor, me qëllim kthimin e njerëzve në Hënë që nga ulja e fundit në dhjetor 1972, e cila shënoi misionin e fundit të programit Apollo. Është pjesë e planeve afatgjata të NASA-s për të ndërtuar një stacion hapësinor, “Lunar Gateway”, dhe për t’u përgatitur për misione në Mars. Artemis I, i lëshuar në nëntor 2022, testoi raketën SLS (Space Launch System) me një kapsulë Orion pa ekuipazh.
Ky program shënon një interes të ripërtërirë për Hënën dhe përpjekjen e Amerikës për të tejkaluar Kinën në garën hapësinore.
Raketa SLS, e cila do të transportojë ekuipazhin rreth Hënës, u prezantua nga NASA më 17 janar. Kjo raketë gjigante, më e lartë se Big Ben me 98 metra, mori 11.5 orë për të udhëtuar katër milje drejt platformës së lëshimit në Qendrën Hapësinore Kennedy. Ajo përbëhet nga faza thelbësore me dy milionë litra hidrogjen dhe 750 milionë litra oksigjen të lëngshëm, si dhe dy nxitës anësorë që prodhojnë 75% të fuqisë fillestare.
Pasi raketa arrin orbitën, nxitësit shkëputen, duke lënë fazën e sipërme me kapsulën Orion, e cila përmban gjithçka të nevojshme për ekuipazhin. NASA thekson se SLS është e vetmja raketë e aftë të dërgojë astronautë, ngarkesa dhe kapsulën Orion direkt në Hënë me një fluturim të vetëm.
Kostoja e programit SLS ka arritur në 23.8 miliardë dollarë që nga viti 2011, ndërsa kapsula Orion ka kushtuar 20.4 miliardë dollarë. Shpenzimet totale të NASA-s për programin, duke përfshirë infrastrukturën tokësore, janë 49.9 miliardë dollarë midis 2006 dhe 2022, me një kosto prej rreth 4 miliardë dollarësh për lëshim.
Gjatë misionit 10-ditor, ekuipazhi i Artemis II do të testojë sistemet e mbështetjes së jetës, navigimit dhe komunikimit në hapësirën e thellë. Shumë nga këto teste do të kryhen në orbitën e Tokës për siguri. Më pas, kapsula do të hyjë në orbitën e lartë të Tokës, ku ekuipazhi do të pilotojë manualisht Orionin, para se kontrolli t’i kthehet Qendrës Hapësinore Johnson të NASA-s.
Astronautët do të kalojnë katër ditë duke rrethuar Hënën, duke udhëtuar rreth 4,600 milje përtej anës së saj të largët, përpara se të kthehen në Tokë dhe të ulen në Oqeanin Paqësor. Suksesi i misionit është thelbësor për të çuar NASA-n një hap më pranë uljes së astronautëve në Hënë, që është qëllimi i Artemis III, i planifikuar për mesin e vitit 2027.
Ekuipazhi i Artemis II përbëhet nga tre astronautë amerikanë dhe një kanadez. Më 23 janar, ekuipazhi hyri në karantinë për të siguruar që të mos marrin asnjë sëmundje para nisjes.
Karantina zakonisht fillon 14 ditë para një lëshimi të planifikuar.
Data e lëshimit më 6 shkurt varet nga rezultati i një prove kyçe “wet dress rehearsal”, e cila simulon numërimin mbrapsht të lëshimit për të kapur çdo problem. Fluturimi testues i vitit 2022, pa njerëz në bord, identifikoi probleme të rëndësishme me sistemin e mbështetjes së jetës dhe mburojën e nxehtësisë së kapsulës Orion, duke kërkuar modifikime.
Kushtet e motit janë gjithashtu një faktor kritik; NASA ka kritere të detajuara. Nëse ka shi, lëshimi ka të ngjarë të mos vazhdojë. Artemis II ka tre dritare lëshimi deri në prill. Nëse 6 shkurti anulohet, misioni mund të zhvillohet në datat 7, 8, 10, 11 shkurt; 6, 7, 8, 9, 11 mars; ose 1, 3, 4, 5, 6, 30 prill.
Marrë nga Sky News
KOHA JONË SONDAZH

