Kryemadhi dhe Basha: Teatrin Kombëtar do e mbrojmë me trupat tanë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilësojnë votimin e ligjit për shembjen e Teatrit nga PS-ja si një akt skandaloz të qeverisë “Rama”.
Monika Kryemadhi deklaroi se ky është akti më i turpshëm i qeverisë “Rama”. Kryemadhi u shpreh se sot Tirana nuk ka humbur vetëm teatrin, por edhe kurajën për tu përballur me një diktator si Edi Rama.
Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë në një reagim në mediat sociale se vendimi i Edi Ramës është antikombëtar. “Ne do t’i tregojmë kësaj bande se pushteti është i popullit dhe jo i saj, duke mos lejuar në asnjë mënyrë prishjen e teatrit, duke e mbrojtur atë edhe me trupat tanë”,- deklaroi Lulzim Basha.
Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit:
“Nëse turpit do t’i vinim sot mbiemër ai do të ishte “i gjatë”, aq sa emrat dhe mbiemrat e deputetëve socialistë që votuan sot projektligjin për prishjen e teatrit.
Ky parlament mban mbi shpine dhjetëra mëkate, por ky i sotmi është vula që i vë zullumeve dhe perversiteteve të Edi Ramës, që si satrap komandoi ushtarët e tij të votojnë shkatërrimin e atyre pak vlerave që i kanë mbetur Tiranës.
Kryeqyteti nuk ka humbur sot teatrin, ka humbur forcën, shpresën dhe kurajon për t’u përballur me një diktator që vendos të minojë çdo vlerë të kulturës, demokracisë dhe qytetarisë.
Shqipëria ka humbur sot një pjesë të rëndësishme të historisë së saj dhe ideatorit e zbatuesit të kësaj masakre nuk i hyn asgjë në këmbë sepse në këtë vend ka vdekur dhe drejtësia, ajo që duhet të ndalonte sot dorën kriminale që synon shkatërrimin e teatrit.
Tentakulat e banditizmit të qeverisë sot u shtrinë te teatri!
Sepse në këtë vend nuk ka më institucione drejtësie, ka vetëm lakej të Edi Ramës.
Por fundi i diktatorëve është i shkruar qartas dhe atë nuk e lexon vetëm kryeministri ynë dhe qeveria e tij.
Drejtësia do të rëndojë një ditë mbi ta dhe të gjithë autorët dhe zbatuesit e masakrës do të përgjigjen për këtë akt, nga më të shëmtuarit që ka votuar ky parlament!”.
Deklarata e Lulzim Bashës:
“Vendimi që sapo morën Edi Rama dhe banda e tij në Kuvend është antikombëtar, antihistorik dhe i turpshëm. Votimi tregoi se Rama me hajdutet e tij janë në unitet të plotë për të grabitur Shqipërinë. Ne do t’i tregojmë kësaj bande se pushteti është i popullit dhe jo i saj, duke mos lejuar në asnjë mënyrë prishjen e teatrit, duke e mbrojtur atë edhe me trupat tanë. Rama tani do të kuptojë se qytetarët e bashkuar janë më të fortë se hajdutët e bashkuar”.