Monika Kryemadhi: Jo arrogancës dhe filozofisë së shpërdorimit të pushtetit
Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani zhvilluan një takim me gratë dhe vajzat e LGI-së së Kamzës, në kuadër të zgjedhjeve të 6 nëntorit. Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, duke përshëndetur këtë takim madhështor të Lëvizjes së Gruas për Integrim në Kamzë, u shpreh se LSI ka ardhur në skenën politike shqiptare si rezultat i një mosbindjeje ndaj një arrogance, ndaj një filozofie të shpërdorimit të institucioneve të shtetit. “Gjatë gjithë kësaj kohe LSI-ja ka krijuar identitetin e saj, fizionominë e saj. Gjatë gjithë këtyre vite ka luftuar për ato vlera që ajo përfaqëson. Në vitin 2009 bëmë një koalicion i cili i solli vendit stabilitet, i cili i solli vendit liberalizimin e vizave dhe shqiptarët fituan të drejtën për të udhëtuar në të gjithë Evropën si të gjithë qytetarët e tjerë evropianë. Më pas në erdhën në koalicion natyral me PS-në, duke qenë se jemi një parti e majtë.
Por LSI ka qenë gjithmonë një forcë politike me identitetin e saj dhe nuk është shtojcë e askujt. Me programin tonë, me platformën tonë ne nuk bëjmë asnjë lloj kompromisi sepse tu shërbesh shqiptarëve është pika e parë për të cilën ne nuk bëjmë asnjë lloj kompromisi”, tha deputetja e LSI-së. Ajo deklaroi se 6 nëntori është një ditë shumë e rëndësishme për LSI-në, ku gratë dhe vajzat do të zgjidhen si 50 për qind e të gjithë delegatë për konventë. “Shpresoj që ne zgjedhjet e ardhshme të kemi 50 për qind të kandidatëve edhe për kryetarin e partisë sepse jam e bindur që shumë nga gratë dhe vajzat tona janë kandidatura shumë dinjitoze për të drejtuar LSI-në”, vijoi Kryemadhi. Duke përfunduar deputetja e LSI-së bëri dhe një herë thirrje që gratë dhe vajzat të kenë një rol shumë të rëndësishëm në politikë, duke qenë një forcë e rëndësishme në vendimmarrje.
Ndërsa Ylli Manjani, në fjalën e tij u shpreh se politika ka nevojë për një kontribut edhe më të madh të grave dhe vajzave si një mundësi për një politikë më njerëzore dhe më konstruktive. “Ky takim i sotëm i ka dhënë përgjigje të gjithë skeptikëve që mendonin se një aktivitet i tillë me gratë e Kamzës ishte i pamundur, kështu që faleminderit dhe mirë se keni ardhur,” tha ai. “Gratë në politikë duhet të jenë edhe më shumë se 50 për qind sepse kemi nevojë për zbutjen e konfliktit, për zbutjen e tensioneve, për më shumë dashuri për vendin” “Unë dua t’ju them që dy prej arsyeve kryesore se pse LSI-ja sot është një trend politik dhe vazhdon e rritet janë: e para sepse LSI-ja u bë shumë më e mirë se sa ishte kur filloi realisht tu besojë grave dhe e dyta e ardhmja e LSI-së është e sigurt për shkak se beson shumë tek rinia. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për të kuptuar se politika nuk është një instrument sot për sot por sot e për të gjithë jetën. Sigurisht që tani ka ardhur një pikë që duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë më mirë. Sepse ka shumë hapësira për të bërë më mirë. Duhet të kemi shumë më shumë kontribute dhe rezultate sesa sot. Dhe këto rezultate më të mira kanë nevojë për kontributin e padiskutueshëm tuajin. Politika ka nevojë për ju. Dhe nuk është kjo çështje kuotash. Për mendimin tim gratë në politikë duhet të jenë edhe më shumë se 50 për qind sepse kemi nevojë për zbutjen e konfliktit, për zbutjen e tensioneve, për më shumë dashuri për vendin”, tha ndër të tjera në fjalën e tij ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.