Monika Kryemadhi: Me Ramën kryeministër nuk futemi në zgjedhje, do e rrëzojmë me popull

Opozita po përgatitet për një lëvizje masive qytetare që synon rrëzimin e qeverisë “Rama”. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevizu deklaroi se pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisjes së Edi Ramës është e madhe. Sipas saj, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot ato do t’i fitonte opozita, pasi epërsia e saj numerike është më e madhe përballë Partisë Socialiste. “Nëse Edi Rama është trim, zgjedhjet ti bëj sot, opozita i fiton. Opozita është mazhorancë numerike”,- tha kryetarja e LSI. Kryemadhi shtoi se personi i parë që nuk i interesojnë zgjedhjet në këtë moment është Edi Rama. Kryetarja e LSI-së renditi një sërë arsyesh se përse sot pakënaqësia e qytetarëve ndaj rritur. Kryemadhi ju referua ngjarjeve të fundit duke nisur nga rasti i Xhisiela Malokut. “Situata është dramatike dhe tragjike, edhe për shkak të ekonomisë. Rasti i Xhisielës krijoi pasiguri te njerëzit. Opinioni publik nuk beson te politika. Mungesa e besimit është shumë e madhe”,- deklaroi kryetarja e LSI-së.
Ndërsa zgjedhjet janë një opinion, Kryemadhi shtoi se opozita dhe qytetarët nuk duhet të humbasin kohë për të rrëzuar këtë qeveri edhe me mjete të tjera siç janë protestat e qytetarëve. Ajo tha se misioni i opozitës është që të flasë për padrejtësisë dhe të ftojë njerëzit të dalin në rrugë. Kryetarja e LSI-së shtoi se sot nuk kemi me një qeveri, por një “sekt kriminal” që nuk mund të rrëzohet vetëm me deklarata të partive politike. “Detyra jone është të dalim dhe të flasim. Opozita deri me sot ka qenë alibi e mazhorancës. Ne do ta rrëzojmë Edi Ramën. Do dalim në rrugë dhe do flasim me qytetarët. Sfide e opozitës është që të bindë qytetarët që të dalin në rrugë dhe të rrëzojnë këtë të keqe të madhe. Ky sekt kriminal nuk rrëzohet i vetëm. Sot ka ardhur koha që të gjithë të dalin ta rrëzojnë”,- tha kryetarja e LSI.

Lidhur me bojkotin e parlamentit nga ana e opozitës, kryetarja e LSI deklaroi se partitë e Frontit Opozitar nuk mund të jenë alibia e Edi Ramës në parlament. Ajo nënkuptoi se pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është vetëm justifikim i Edi Ramës për të vijuar me vjedhjet dhe me një demokraci fasadë. “Nuk mund të jemi alibia e Ramës në parlament. Nuk mund të them që ky Parlament është normal”,- deklaroi Monika Kryemadhi.
Në të njëjtën linjë me Monika Kryemadhin ishte dje ish-kryeministri Sali Berisha në intervistën e dhënë për “Ora Neës”. Berisha deklaroi se në momentin që ka rënë Gjykata Kushtetuese ndodhemi para një grusht shteti të mazhorancës ndaj institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë. Sipas ish-kreut të PD-së opozita ka vetëm një mundësi për të ndryshuar situatën, të krijojë një lëvizje popullore që do të sjellë rrëzimin e Edi Ramës. “Vendi është në kushtet e grushtit të shtetit. Në mënyrë absolute. Në çdo manual klasik të grushteve të shtetit, asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese përbën grusht shteti brenda shtetit kur një pushtet merr pushtetin e një pushteti tjetër. Sot Edi Rama ka marrë pushtetin e drejtësisë. Në këtë rast, qytetarëve shqiptarë u lind e drejta të reagojnë me çdo mjet, me çdo çmim”,- deklaroi Sali Berisha.
Deklarata e kryetares së partitë të dytë më të rëndësishme në opozitë dhe ish-kreut të PD paralajmërojnë një aksion të fortë politik në ditët në vijim. Pas denoncimeve të shumta, akuzave të forta ndaj qeverisë, duket se opozita është bindur se me këto metoda qeveria “Rama” nuk mund të largohet nga pushteti.
Opozita po përgatitet për bllokim të qeverisë dhe rrëzimin e kryeministrit Rama, duke mos pranuar të shkojnë në zgjedhjet vendore me këtë kryeministër. Por nga ana e tij kryeministri Rama vazhdon duke e ironizuar kërkesat e opozitës, çka duket se po shkohet drejt një përplasje civile deri në zgjedhje.
Mili Xhani

SHKARKO APP