Monika Kryemadhi në Universitetin George Washington në SHBA

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi gjatë qëndrimit në Washington, e ftuar nga The George Washington University, mori pjesë në një bashkëbisedim me bordin drejtues të këtij universiteti mbi udhëkryqin në të cilin ndodhet ekonomia shqiptare, papunësinë kritike të të rinjve në Shqipëri, rëndësinë e cilësisë së arsimit të lartë për përfshirjen dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.

Kryemadhi theksoi që në fillim të ligjëratës së saj se këto probleme të thella dhe me zgjidhje pa vizion në Shqipëri kanë ardhur për shkak të përjashtimit të botës universitare dhe akademike nga vendimarrja politike dhe ka ardhur koha që kësaj dukurie shumë negative dhe me pasoja të rënda shumëvjeçare ti jepet fund.

Ajo nënvizoi se “Empirizmi dhe zgjidhjet e ditës vetëm riciklojnë e thellojnë krizën e zhvillimit ekonomik”.

Në ligjëratën e saj, Kryemadhi nënvizoi nevojën e Integrimit më të mirë të të rinjve në tregun e punës nëpërmjet implementimit të strategjive që lidhen me inovacionin dhe me informatizimin, ku rinia shqiptare ka demostruar prirje e aftësi të veçanta dhe ku tregu i punës i të ardhmes është i orientuar fort në këto drejtime.

Znj.Kryemadhi theksoi se: “Vetëm edukimi dhe integrimi i të rinjve mund ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni”.

Gjithashtu, ajo nënvizoi nevojën e një politike të re në fushën fiskale për ta bërë Shqipërinë një vend më atraktiv për investimet e huaja direkte që janë jetike për rritjen e ekonomisë shqiptare dhe që sot paraqiten më shumë munguese se asnjë herë më parë.

Më tej Znj. Kryemadhi paraqiti pikëpamjet e saj për një problem shumë delikat siç është ai i trajtimit të biznesit të vogël, për politika më fleksibël që duhen ndjekur ndaj tij si një biznes që ofron punësim masiv dhe siguron mbijetesën e mijëra familjeve në Shqipëri.

Kryetarja e LSI shprehu bindjen se procesi i Integrimit Europian është një domosdoshmëri politike pa kthim duke theksuar se hapja sa më parë e negociatave për anëtarësim do të ndihmonte jo vetëm Shqipërinë por do të siguronte dhe një balancë më të qëndrueshme për kontrollin më të mirë ndaj qeverisjes dhe konsolidimit të shtetit të drejtës.

Për një zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëm të vendit, Znj. Kryemadhi vendosi theksin edhe te zbatimi i shpejtë i reformës në drejtësi por gjithmonë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet si një premisë shumë e rëndësishme jo vetëm për të rritur besimin e shqiptarëve te drejtësia por dhe për të rritur njëherazi edhe sigurinë juridike të investimeve dhe bizneseve në Shqipëri. Anëtarët e bordit të cilët janë ekselenca shkencore e këtij universiteti, nga më të njohurit në botë, shprehën gadishmërinë e tyre për të mbështetur nismat e reja inovative, jo vetëm në fushën e rinisë por dhe për çështje madhore siç janë investimet e huaja direkte dhe trajtimit të biznesit të vogël. Disa prej tyre shprehën gjithashtu gadishmërinë edhe për të ardhur në Shqipëri dhe për të asistuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nisma të ndryshme që do të lidhen me këto fusha.

Në foto: Nga takimet e zj. Monika Kryemadhi në Universitetin George Washington

SHKARKO APP