Monika Kryemadhi: Nesër në protestë dhe përballje me çdo mjet në parlament
Shumë më e ashpër se PD dhe Lulzim Basha ishte sot Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI në mbledhjen urgjente të Komitetit Drejtues Kombëtar.
Në fjalën e saj kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi u shpreh se qeveria e Edi Ramës duhet të ishte rrëzuar që në kohën kur Manjani kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për kanabisin, por kryeministri e shkarkoi nga detyra. “Situata në të cilën ndodhemi ka treguar se mazhoranca e Edi Rama për muaj të tërë ka bllokuar reformën në Drejtësi, pasi gjendet përballë faktit të çështjes Tahiri si drejtues i trafikut të drogës dhe drejtorëve të tij që tashmë janë arratisur. Frika nga Tahiri e çon Ramën të uzurpojë institucionet e drejtësisë. Për LSI-në prokurori i Përgjithshëm nuk ka lidhje me emrat e propozuar, por me funksionimin e drejtë”, tha Kryemadhi.
“Ne si grup parlamentar jemi të vendosur të mos e lejojmë atë nesër, se është një njeri i çmendur që ka probleme mendore, ka probleme me sjelljen se është i kapur nga krimi i organizuar. Nuk ka investitor të huaj që t’ia pastrojë paratë e drogës, nuk ka diasporë që t’i krijojë mundësinë të pastrojë paratë e drogës. Nuk ka prokuror të pastrojë 860 mijë eurot e Saimir Tahirit. Misioni im është që ta ndaloj këtë monstër që po shkatërron familjen shqiptare me drogë.
Ne si deputetë të LSI do jemi në sallë dhe do ta ndalim me forcë. Unë ftoj në protestë burra dhe gra që kanë besim se vendi po ecën në drejtim të gabuar që t’i tregojmë këtij kryeministri lolo se koha e tij po mbaron, se ky është bërë lolo i krimit të organizuar. Të mos e lëmë një njeri të çmendur që e ka kthyer vendin në bazë të krimit dhe korrupsionit” u shpreh Kryemadhi.
Reagimi i fortë i LSI, sipas Kryemadhit, nuk ka lidhje me emrin e prokurorit që do të zëvëndësojë Llallën, por me mënyrën sesi po zgjidhet ky prokuror.
“Frika dhe ankthi nga Tahiri e çon drejt uzurpimit të institucioneve të drejtësisë.
Për LSI, çështja e prokurorit nuk është cështje emrash, as Llalla, as Arta Marku, as Ferdinand Elezi, as Ermira Tafani”- tha Monika Kryemadhi.
Më pas Kryemadhi paralajmëroi se nesër salla e Kuvendit do jetë arenë ballë për ballë me kryeministrin e krimit dhe të drogës dhe nuk do lejojë që ai dhe bandat e krimit të kapin edhe prokurorinë, siç kanë kapur krejt shtetin. Ajo tha se të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI, së bashku me demokratët dhe krejt forcat opozitare do të rrethojnë Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa deputetët e LSI dhe opozitarë do bllokojnë Edi Ramën dhe PS-në në sallë. Kjo përballje në sallën e Kuvendit, siç duken parashikimet, do sjellë konfrontime fizike mes deputetëve mazhorancë dhe opozitë, çka rrezikon që situata jashtë Kuvendit të precipitojë rrezikshëm e ku mund të çahet kordoni i policisë dhe populli të hyjë në sallën me 140 deputetë.
“Ne nuk mund të lemë Shqipërinë në duart e një sharlatani, që do nga ky vend vetëm paratë që po i grabit. Është si një muhaxhir që është strehuar në Shqipëri përkohësisht dhe kërkon të grabisë gjithçka. Po i them Edi Ramës që s’ka parë gjë akoma, dhe nesër do të shohë atë që s’ka parë”, tha Vasili. Në vijim ai shtoi se duhet ndalur shkatërrimi i Shqipërisë nga një bandë trafikantësh që ka marrë peng vendin.
“Ne do të jemi nesër në Kuvend dhe mijëra të tjerë do të jenë jashtë, që reforma në drejtësi të mos vdesë. Rama kërkon të rrëmbejë Kryeprokurorin që të përdorë drejtësinë si një hu kundër qytetarëve. Nuk është problemi i emrit të Kryeprokurorit, por i parimeve. Duhen ndalur Kryeprokurorët e Edi Ramës, që duan të fusin në burg këdo, ndërsa kusarët e vërtetë, përfshi këtu edhe shkollëpakun ti lenë të tallen me shqiptarët, të buzëqeshin dhe të vjedhin”, tha Vasili.
Ndërkohë mbrëmë e sot garda dhe forcat xheniere po pastrojnë tunelin poshtë sallës së Kuvendit që nëse situata do jetë dramatike në sallën e Kuvendit, të largojnë kryeministrin Rama me forcat speciale në tunel. Tuneli e çon kryeministrin afër pallatit të brigadave dhe me pas në Surrel. Ndërsa Gramoz Ruçi, si tepelenas, nuk ka pranuar të largohet nëpërmjet tunelit, nëse populli hyn në sallën e kuvendit, por thuhet se ai ka kërkuar të rrijë me deputetët e PS.
Burime policore tregojnë se po sillen nga rrethet krejt forcat policore, dhe ku numri mendohet te jetë diku tek 5670 forca policore që do rrethojnë Kuvendin e ku disa autoblinda të gardës do jenë afër parlamentit. Janë porositur dhe mjete gazlotsjellës, pasi mendohet se dita e hënë do jetë me të vertetë përballja e parë serioze e opozitës me kryeministrin Rama.
Po kështu ditën e shtunë PD dhe Lulzim Basha kanë bërë thirrje krejt anëtarsisë së saj dhe popullit të pakënaqur nga qeverisja e Edi Ramës për të rrethuar parlamentin në ora 09.30, pak përpara se seanca parlamentare të fillojë punimet.
Ndërkohë trupi diplomatik është alarmuar pasi nuk e ka marrë seriozisht reagimin e paralajmëruar të opozitës, por kur shikon se ditën e hënë do ketë përballje me mbi 150 mijë protestues te kuvendi, po shikojnë gjetjen e një zgjidhje politike.
Fjala e Kryemadhit mbajtur sot në LSI për protestën e ditës së hënë
Më lejoni që edhe në emrin tuaj ti uroj Vangjel Tavos ditëlindjen. Më vjen keq që ditëlindja jote përkon në këtë mbledhje që nuk është si mbledhjet e tjera, është pak jashtë radhe për shkak të situatës në të cilën ne gjendemi. E cila çdo ditë e më shumë po përkeqësohet dhe kjo vjen për shkak të arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe mungesës së mendimit njerëzor, të administrimit të pushtetit të kësaj mazhorance e cila drejtohet nga një njëri I cili përveç se ka problem me veten e tij ka probleme shumë të mëdha në administrimin e jetës së tij personale, politike dhe shtetërore me krimin e organizuar. Ky njeri I cili ka futur mazhorancën të luaj në fushën e krimit, po përveç se mazhorancës ka përdorur dhe të gjitha segmentet e shtetit. Po kërkon të fus edhe parlamentin, kërkon të fus gjithë shoqërinë shqiptare, të luaj dhe të jetë peng në të gjithë parajsën kriminale të cilën e ka krijuar në këto vite. Krimit të organizuar që tashmë nuk është më krim i organizuar shqiptar por është një krim transnacional, i cili është kthyer në një qendër të eksportimit jo më vetëm të drogave por edhe të destabilitetit dhe krimit të organizuar në rajon dhe më tej. Ne kemi qenë gjithmonë të qartë për këtë qëndrim të kësaj mazhorance e cila ka qenë mëse e dukshme. Një qëndrim I partisë tonë në lidhje që kjo mazhorancë ka pasur në raportet e saj me krimin. E kemi denoncuar që në ditën e parë. Besoj se të gjithë e mbani mend duke filluar që me Z. Manjani kur kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për çkanabizimin e Shqipërisë dhe më vonë z.Rama kërkoi shkarkimin e tij dhe e shkarkoi. Ku këtu gjej përsëri rastin për të shprehur dhe njëherë falje për tolerancën e LSI, sepse duhet ta kishim rrëzuar që në atë kohë qeverinë e Ramës për të mos pranuar një lëvizje të tillë dhe më pas përpjekjeve të tij për të krijuar institucione të kapura çdo ditë dhe më shumë hap pas hapi në mënyrë të tillë që të institucionalizoj çdo lëvizje të krimit të organizuar sepse tashmë ai nuk është gjë tjetër veçse një telekomandë në dorën e tyre. Reforma në drejtësi për të cilën ne kemi qenë promotorë dhe faktorë përcaktues sepse pa rolin e LSI ne sot nuk do të kishim një Reformë në Drejtësi të miratuar me konsensus me 140 vota. Por mbi të gjitha nuk do të kishim një Reformë në Drejtësi e cila do të ngjallte besimin të shqiptarët. Por situata në të cilën ne ndodhemi, mazhoranca e cila drejtohet nga Rama, me muaj të tërë e ka bllokuar këtë reformë, të cilën ne sot jemi në një gjendje jo normale. Jemi në një gjendje e cila është në kufijtë e anormalitetit, në të cilën ky kryeministri ka kërkuar për të kapur çdo institucion të sistemit të drejtësisë. Sepse gjendet përballë faktit të kryer dhe përballë një fakti të jashtëzakonshëm, çështja Tahiri ku ai është drejtuesi dhe koka e të gjithë aksioneve të drogës, të krimit të organizuar që organizohej nga Tahiri dhe ekipi i tij i drejtorave të policisë që sot janë arratisur. Frika dhe ankthi që këtë kryeministër e ka nga çështja Tahiri e çon drejt uzurpimit të institucioneve të drejtësisë. Kërkon që të zgjedh në mënyrë të jashtëligjshme dhe jo kushtetuese një prokuror. Me lejoni të them dhe dua të jem e qartë që për LSI çështja e prokurorit të përgjithshëm nuk është çështje emrash, nuk është çështje as Adriatik LLalla, as Ermira Tafani as Arta Marku, as Ferdinand Elezi. Për ne nuk ka rëndësi , nuk është çështje emrash dhe çfarë përfaqësojnë. Për ne ka rëndësi që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur dhe ti funksionojë shqiptarëve. E them këtë sepse shqiptarët janë shumë të qartë për dosjet që kanë fjetur në zyrat e prokurorisë. E dinë shumë mirë çështjen e konçensioneve të shëndetësisë, e puseve të naftës të cilat flenë në zyrat e prokurorisë. Pra qoftë për ministrat aktualë sesi u janë pushuar çështjet apo ish-ministrave. Ne nuk kemi asnjë iluzion për problemet që ka institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Nuk kemi asnjë iluzion për çështjen e shumë dosjeve që janë hapur dhe mbyllur në gjykata por ne jemi të vendosur për të mos lejuar që këto institucione të vazhdojnë në rrugën e moszgjidhjes së problemeve dhe mos funksionimit të sistemit të drejtësisë. Votat e LSI në korrik të 2016 kanë qenë vota të qarta dhe të pastra me besimin se Shqipëria do të ketë një Reformë në Drejtësi që do të jetë e barabartë për të gjithë shqiptarët. Por LSI kurrë nuk I ka dhënë votat e saj për të pasur një reformë në drejtësi që do ti shërbej një grupi oligarkësh ose një klani mafioz që drejton krimin e organizuar në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Arroganca e këtij kryeministri të kapur ka kaluar çdo kufi institucional edhe njerëzor. Ky njëri nuk pyet më për ligje, as për Kushtetutë as për njerëz që nuk kanë bukë të hanë madje nuk ndihet I kënaqur sepse sa më të varfër të jenë shqiptarët aq më shumë nënshtrohen. Ky njëri nuk pyet më për korrupsionin sepse ka metodën që parullat e tij pra peshën e korrupsionit dhe krimit të organizuar që mban mbi supet e veta ua hedh të tjerëve. Ky njeri nuk pyet më që droga është sheshit. Që 2.4% e shqiptarëve janë përdorues të kokainës. Jam e bindur që nuk janë as pleqtë as plakat e Shqipërisë që e përdorin por janë të rinjtë dhe të rejat. Pra janë mbi ç0 mijë të rinj dhe të reja që në shkollat shqiptare janë kthyer në përdorues kokaine. Ky njeri nuk pyet më që mësuesit në shkolla janë kthyer në shpërndarës të drogave të nxënësit e tyre. Madje ju duket shumë modern dhe atraktive një gjë e tillë. Ky njeri nuk pyet që shëndetësia falas është kthyer në një shëndetësi gjakpirëse për shqiptarët. Dhe ky njeri nuk pyet nëse ky vend do të jetojë, por është një nga promovuesit e shpërbërjes së këtij vendi dhe këtij shteti. Ky njeri ka ikur shumë larg me shqiptarët dhe më lejoni që ta them që ne nuk kemi rrugë tjetër. E vetmja rrugë është që ose të mbyllim gojën dhe të nënshtrohemi dhe të kthehemi në argat të plantacioneve apo në transportues të drogës. Ose të kthehemi në njerëz që nuk e pranojnë këtë realitet dhe të reagojmë më të gjitha mënyrat të cilat na lejon ligji, demokracie por edhe morali njerëzor. E them këtë morali njerëzor sepse duke pasur parasysh që në strukturat tona të LSI kemi 50% gra dhe morali I një nënë që nuk lejon që fëmijët e saj të jenë peng të trafikimit apo qoftë edhe të trafikut të drogës. E them këtë edhe për shkak të një gruaje që e ka filluar politikën fëmijë dhe sot është me fëmijë për të mos lejuar një njeri të çmendur të kthejë këtë vend në një bazë të terrorit dhe të korrupsionit. E them këtë edhe si një njeri e cila ka vendosur që të jetojë në Shqipëri me hallet dhe problemet që ka Shqipëria por edhe për të dhënë sadopak kontribut për të ndryshuar këtë realitet të hidhur. E them këtë dhe me bindje sepse LSI pjesën e saj më të madhe e ka me të rinj dhe të reja pra është një nga partitë më të reja në përbërje. Dhe e them këtë për të vetmen arsye sepse shpresojmë që ky vend do të bëhet një ditë. Por nuk mund të bëhet kur pjesa më energjike dhe e shkolluar e saj ikën nga Shqipëria. Ju e dini shumë mirë që katër vitet e fundit mbi 300.000 shqiptarë nga mosha 18-40 vjeç janë larguar nga Shqipëria për të mos u kthyer më. Ju e dini shumë mirë që 55% e të rinjve në shkollat 9-vjeçare dëshirojnë të largohen nga Shqipëria sepse nuk kanë se çfarë të bëjnë këtu. Pra është një gjendje alarmante, e cila është në kufijtë e intolerancës dhe nuk mund të tolerohen më. Qëndrimi ynë si LSI, kërkon që të institucionalizohet sot për të vazhduar më tej me hapa të tjera. E them këtë për të vazhduar më tej me hapa të tjerë duke filluar që nesër me grupin parlamentar për të mos lejuar që nesër të ndodhi kjo shkelje kushtetuese sepse në fund të fundit çfarë është kushtetuta. Është një instrument qe ruan balancat dhe që vendos midis mazhorancës dhe opozitës. Është një instrument që respektohet nga të gjithë. Por nëse kjo kushtetutë do të shkelet nga të gjithë dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe me thënë të drejtën. Unë nuk kam ndonjë iluzion përsa i përket 25 Qershorit por nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kjo Kushtetutë do të shkelej me të dyja këmbët nga mazhoranca sepse ajo ka dalë nga votat e drogës dhe votat e krimit. Dhe jo vetëm është subvencionuar dhe sponsorizuar nga ata por edhe është promovuar prej tyre. Kështu që ne si grup parlamentar, do flas dhe Petriti pak më vonë. Jemi shumë të qartë për të mos lejuar këtë proces nesër në seancë dhe më tej kërkojmë përkrahjen e të gjithë atyre burrave dhe grave, djem edhe vajza të cilët nuk duan të jenë skllevër dhe të nënshtruar të një njeriu që është I çmendur, shkarkon njerëzit nga puna sepse kanë probleme mendore apo ka probleme racore sepse dhe këto i ka bërë. Ky është një kryeministër I cili ka probleme me të vërtet mendore por përveç kësaj ka probleme me sjelljen e tij sepse është një njeri I kapur nga krimi i organizuar. Nuk ka investitor shqiptar dhe ndërkombëtar që t’ja pastrojë paratë të cilat kërkon ti investojë jashtë kufijve të Shqipërisë. Nuk ka investitor shqiptar dhe ndërkombëtar apo dhe diasporë që ti krijojë mundësinë Edi Ramës për të pastruar paratë e drogës. Nuk ka prokuror/e që të fsheh 860 mijë eurot të kapura në makinë të cilat janë paratë e drogës dhe paratë e korrupsionit të Saimir Tahirit. Të cilët kanë qenë bashkëndarësit e tyre dhe nuk ka Parlament të kapur që kërkon të ndërtojë Edi Rama që të shpëtojë të ardhmen e tij. E them këtë me bindje sepse shqiptarët janë vërtet të lodhur, janë shumë të zhgënjyer nga politika shqiptare por nesë nuk do të besojë të politike do të besojnë të vlera dhe forca e tyre, te besimi që kanë dhe te dëshira për ti krijuar fëmijëve një të ardhme të garantuar, brezave të rinj. Unë misionin tim jo vetëm si Kryetare e LSI, por dhe si Monike, edhe si nënë nuk do ta lë vetëm thjesht me një mision politik dhe fjalim politik. Në një fjalim politik. Nuk do ta lë thjesht si një prezantim politik si kryetare e LSI-së, por unë misionin tim këtë për ta ndaluar këtë monstër, i cili çdo ditë dhe më shumë po shpërbën familjen, po shkatërron thelbin e familjes, po heq besimin që shqiptarët dhe brezi i ri të kenë në vendin e tyre, te familja e tyre, misionin tim nuk do ta ndaloj sepse nuk dua që fëmijët e mi të ndihen fëmijë që ta urrejnë vendin e tyre, por dua që fëmijët e mi ta duan vendin e tyre, ta respektojnë dhe të kontribuojnë për ndërtimin e tij. Nuk dua që ky njeri ta kthejë Shqipërinë në një vatër të drogës, sepse dëgjoj shumë veta që thonë që Shqipëria është bërë si Kolumbi. Shqipëria është më keq se Kolumbia. Se shteti në Kolumbi ishte kundër trafikut të drogës, ishte kundër Eskobarit, ndërsa këtu shteti është kthyer në një Eskobar, është kthyer në një krim dhe në një qendër të drogës. Prandaj qëndrimet tona janë shumë të qarta dhe unë kërkoj mbështetjen tuaj nesër për të mbështetur grupin parlamentar. Grupi Parlamentar do të jetë në sallë, në Kuvend, por ndërkohë ky grup parlamentar do të ketë vlerë dhe do të ketë forcë me mbështetjen dhe përkrahjen që jo vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, por të gjithë ata të rinj e të reja, të gjithë ata burra e gra që mendojnë që ky vend po shkojnë në drejtim të gabuar, të jenë nesër në 09.30 përpara Kuvendit të Shqipërisë. Për ti treguar edhe njëherë këtij kryeministri Lolo, i cili është bërë Lolo i krimit dhe i trafikut që koha e tij po mbaron. Nuk ka më asnjë minutë. Nuk ka më asnjë gjë që ta shpëtojë atë. As prokurorë, as institucione, as avokat, as ministër, as polici. Ky njeri duhet ta kuptojë njëherë e mirë, që ora e tij ka ardhur. Nuk ka ardhur për shkak të opozitës, por ka ardhur për shkak të urrejtjes që njerëzit kanë për të. Jam e bindur që nesër me përkrahjen e qytetarëve që do të jenë në protestë, dhe ne si deputetë që do të jemi Brenda në sallën e Kuvendit, do të jemi shumë më të motivuar, edhe pse motivimi nuk na mungon aspak, duke pasur parasysh se me çfarë njeriu kemi të bëjmë. Dua të theksoj diçka për ta mbyllur, që LSI është e vendosur në kauzën e saj. Ne nuk do të ndalemi më në këtë rrugë. Është rrugë që për shumë veta mund të duket disi e vështirë, por nuk është fare e vështirë, sepse unë jam e bindur që tashmë ne nuk po luftojmë për pushtetin, por për mbijetesën e shtetit shqiptar, për mbijetesën e një vendi të cilin për mijëra vjet nuk e ka nënshtruar dot asnjë pushtues, por po e nënshtron një i sëmurë psiqik, që është peng I drogërave të tij që përdor, por është peng edhe I krimit të organizuar dhe peng i maktheve të tij që nuk e lënë të jetojë I qetë. Besoj që LSI do të jetë shumë e qartë, jo vetëm ditën e nesërme, por edhe në ditët në vazhdim. Bashkarisht do të krijojmë një axhendë takimesh, bashkëbisedimesh. Është e vështirë, sepse kemi dhe një bllokadë në media, për shkak të influencës, qeverisjes së krimit të organizuar në Shqipëri, por kontakti me njerëzit, takimi me njerëzit duhet të jetë i pandalshëm. Duhet të jetë i pandalshëm, sepse takimi njerëzor është komunikimi më i mirë që mund të bëj një parti politike me mbështetësit e saj, me qytetarët dhe mbi të gjitha për të shpërndarë atë mesazh të drejtpërdrejtë I cili është bllokuar, I cili është izoluar, për shkak të frikës që kjo qeveri e krimit ka nga e vërteta, e cila çdo ditë e më shumë po del në dritë të diellit.