Mos e nisni kaq shpejt me arrestimet e militantëve të opozitës!

Akoma është Viti i Ri. Një rregull i pashkruar e ka se këto ditë arrestohen kriminelët, vrasësit, drogmenët si trafik etj. Por jo opozita për një protestë politike kundër kryeministrit dhe qeverisë. Nuk kanë plagosur apo vrarë njeri në atë protestë, thjesht kanë bërtitur apo shtyrë ndonjë polic, sikurse edhe polici ka treguar forcën. Kështu ka bërë edhe PS-ja ndaj PD-së. Një luftë politike që nuk mbaron. Por të të ndalojnë Natën e Vitit të Ri pa të njoftuar apo thërritur në polici, së paku, thjesht se ke qenë në protestë kundër qeverisë, mbetet një akt jo i këndshëm. Shumë fyese kur je me familjen për të shkuar në Strugë, fjala vjen, dhe të thotë polici se “ti hajde në qeli se ke protestuar, kurse familja të shkojë e të festojë Vitin e Ri!”.

Në 31 janar u ndalua edhe ish-shefi i FNSH, Osman Levanaku, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, pasi rezultonte person në kërkim, edhe ai për shkak të protestës. Ai po udhëtonte drejt Strugës me familjen e tij, ku kishte prenotuar për të festuar natën e ndërrimit të viteve.

Një tjetër aktiviste e opozitës është arrestuar në pikën kufitare të Morinës. Ajo është 50-vjeçarja Fiqirije Nezaj, që sipas policisë ishte person i shpallur në kërkim. Ajo akuzohet për kundërshtim të forcave policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit përpara parlamentit kur brenda tij po zgjidhej kryeprokurorja e përkohshme.

PD thotë se 50-vjeçarja nuk kishte njoftim se ishte në kërkim nga policia dhe se u mbajt në Komisariatin e Kukësit bazuar mbi akuza false dhe pa prova.

Pra të kalosh Vitin e Ri, aq me tepër një grua, në qelitë e policisë vetëm se ke kundërshtuar punonjësin e policisë në protestën para parlamentit, të krijon një shije jo të mirë jo vetëm për rastin, por tregon simtomat e Vitit 2018.

Janë shenja se nuk do jetë e qetë situata politike, dhe se policia mund të jetë përherë edhe me e dhunshme ndaj opozitës. Natyrisht të kundërshtosh një punonjës policie kur të ndalon me makinë, apo kur të kërkon llogari për iks problem, ligji zbatohet. Por në një protestë përherë kalohet disi caku nga sejcila palë. Por ama duhej ti shkonte policia në shtëpi gruas Fiqirije Nezaj apo ish-oficerit Osman Levanaku, aq me tepër  ky i fundit ka qenë edhe shef i krejt FSHN se Republikës. Nëse nuk parqiteshin apo iknin do ishte e drejtë ndalimi në kufi Natën e Vitit të Ri.

Festa e Natës së Vitit të Ri është një festë e përbotshme, ku sejcili e kalon me familjen e tij. Por kjo që ka ndodhur është fyese.

Nuk dihet nëse ka dijeni ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, pasi nuk besohet se ministri të jetë kaq strikt në një gjë të cilën e ka bërë edhe vetë kur ishte në opozitë. Nuk themi se ka fyer apo sharë, por përplasur me policinë patjetër që ka ndodhur.

SHKARKO APP