Mosbindje Civile. Basha: Bllokoni rrugët. Mos paguani taksat
Filloi “revolucioni” opozitar. Opozita pritet të përshkallëzojë protestën kundër qeverisë “Rama” në gjithë vendin. Pas incidenteve në Kukës dhe fushatës së arrestimeve ndaj qytetarëve që u tubuan në Rrugën e Kombit, opozita ka gati një skenar për protesta masive deri në mosbindje civile.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike deputetët kanë hedhur propozime të ndryshme për të reaguar ndaj qeverisë. Burime nga mbledhje bëjnë me dije se po shumica e deputetëve kanë rënë dakord që të zhvillojnë një protestë masive, e cila do të jetë dhe një ultimatum ndaj Edi Ramës dhe qeverisë për heqjen e koncesionit të Rrugës së Kombit dhe lirimin e të burgosurve të protestës në Kukës. Në përfundim të mbledhjes, Fronti Opozitar ka rënë dakord që të nis që këtë javë mosbindjes civile. Mosbindja civile nënkupton mospagimin e taksave të rritura këto vite nga qeveria “Rama”
Pas mbledhjes së partive të opozitës Kreu i PD-së, Lulzim Basha konfirmoi sot përshkallëzimin e protestave ndaj qeverisë. Ai deklaroi për mediat se që këtë javë do të nisë mosbindja civile. Basha tha se qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë taksë që është rritur.
“Nuk ja dalin më njerëzit, ndaj kanë dalë në rrugë, nuk kanë dalë për flamujt e partive”,- tha Lulzim Basha. Kreu i PD-së shtoi se çdo formë tjetër institucionale e reagimit nuk ka më vlerë në një qeveri që nuk njeh ligjin.
Kryetarja e LSI-së, në prononcimin e dhënë për mediat, deklaroi se mosbindja qytetare është mënyra e vetme për të mos lejuar vjedhjen e qytetarëve nga qeveria “Rama”. “Mosbindje qytetare do të thotë të heqësh dorën e Ramës nga xhepat”.
Më herët, gjatë diskutimeve në takimin me dyer të mbyllura të opozitës, Basha deklaroi se; “Vendi qeveriset nga një bandë që grabit, vjedh, plaçkit shqiptarët. Kukësi e tregoi më qartë këtë. Thirrje pa kompleks për mosbindje civile. Të bllokojmë rruget, thirrje që të mos paguajnë taksat e rritura, taksa e pronës, e Rrugës së Kombit, e ujit, e dritave”.
Megjithatë, sipas Partisë Demokratike, zgjidhja nuk vjen vetëm nga kërkesat ekonomike, do të kërkohet edhe zgjidhje politike përmes një oferte të re për qytetarët.
“Këta po veprojnë si në diktaturë. Ne nuk bëhemi më pjesë e këtij teatri. Stabiliteti i krimit në Shqipëri nuk pranohet. Vetëm demokraci”, ka deklaruar Lulzim Basha.
VIDEO/DEKLARATA E LULZIM BASHËS DHE MONIKA KRYEMADHIT
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1837580496293123/