Moti i keq “bën kërdinë” në Europë, raportohen shtatë të vdekur në Francë, Zvicër e Itali
Stuhitë e dhunshme me shira të rrëmbyer e rrëshqitjet e tokës kanë marrë të paktën 7 jetë njerëzish në Francë, Zvicër e Itali.
Tre të moshuar vdiqën në rajonin verilindor francez Aube gjatë fundjavës kur një pemë u rrëzua mbi makinën me të cilën ata po udhëtonin. Një person i katërt është në gjendje kritike për jetën. Katër janë të vdekurit dhe një i zhdukur në Zvicrën fqinjë. Viktimat atje ishin pasojë e një rrëshqitjeje masive dheu, të shkaktuar prej shirave të dendur në zonë, sic pohoi policia e kantonit italishtfolës të Ticinos.
Një burrë u gjet gjithashtu i vdekur në kantonin jugperëndimor të Valais, pohuan burime policore sipas të cilave, personi të fjalë kishte mbetur pre e një vërshimi të befasishëm uji. Shërbimet e sigurisë civile thanë se “disa qindra” njerëz u evakuuan në Valais dhe rrugët u mbyllën pas daljes nga shtrati të lumit Ronë. Moti i keq e ka vështirësuar ndjeshëm po kështu punën e ekipeve të shpëtimit.
Në Val D`Aosta të Italisë po ashtu përdoruesit e internetit shpërndanë imazhe të përmbytjeve spektakolare dhe ujërave që vërshonin nga shpatet e maleve. Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës i nxitur nga aktiviteti njerëzor po rrit ashpërsinë, frekuencën dhe kohëzgjatjen e episodeve ekstreme të motit si përmbytjet dhe stuhitë.