Murrizi i opozitës bën zëdhënësin e Saimir Tahirit

Në orën 16:00 Gjykata për Krime të Rënda pritet të vendosë për dënimin ose jo të Saimir Tahirit. Ndaj ish-ministrit rëndojnë tre akuzua dhe Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg.

Dënimi ose jo i Saimir Tahirit do të përcaktojë shumë zhvillime në kampin qeveritar, për shkak të peshës politike dhe rëndësisë që ka ish-ministri që ishte krahu i djathtë i Edi Ramës.

Pak orë para dhënies së vendimit, kolegët e Saimir Tahirit në PS kanë heshtur duke iu shmangur qëndrimeve për pafajësinë e tij. Por në vend të PS mbrojtjen ndaj ish-ministrit ka zgjedhur ta bëjë opozita e re. Deputeti Myslim Murrizi ka bërë një deklaratë të fortë në Parlament ditën e sotme.

Duke marrë rolin e një deputeti që di shumë gjëra se çfarë ndodh me Saimir Tahrin dhe procesin e tij, Murrizi ka paralajmëruar se në orën 16:00 pritet që ish-ministri të publikojë filmime kopromentuese për qeverinë.

“Të dashur kolegë të mazhorancës, mos e shihni si betejë mes jush dhe kolegut tuaj të ngushtë. Jam kundër kësaj beteje false që keni ju me njëri-tjetrin, me atë që zgjodhët vetë. Kampioni po shkon në gjykatë, nga ora 16:00 do të jepet vendimi. Mbase ka dhe ai ndonjë kasetë, ndonjë filmim në ndonjë hotel në jug të Shqipërisë për ju, për këta, për ata që ishin këtu dhe zbritën. Nxitoni shpejt e votoni Kodin Penal, duhet të hyjë në fuqi sot në orën 17:00, se pas orës 16:00 do ju nxjerrë kasetat, videot nëpër ekrane, prandaj frenoni shpejt dhe ruani vete. Inshallah ju ka kapur bukur, aty ku ju ka filmuar”,- deklaroi Murrizi.

Një qëndrim i tillë i deputetit të ri të opozitës duket si ajo e zëdhënësit të Saimir Tahirit, për të çuar mesazhe te kolegët e PS që sot nuk po reagojnë.

SHKARKO APP