Isa Mustafa takim me Presidentin Meta: Ideja e ndryshimit të kufijve është e rrezikshme
Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës sot në Kosovë është takuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Në bisedën mes tyre temë kryesore diskutimi mes tyre ka qenë ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Isa Musta shprehet se me kreun e shtetit shqiptar ka diskutuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve.
“Sot kisha kënaqësinë të pres në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Presidentit Meta i prezantova pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se dialogu duhet të vazhdoj me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Gjithashtu, Mustafa deklaron se i ka thënë Presidentit Meta, se ndryshimi i kufijve, është shumë i rrezikshëm dhe ka kujtuar se LDK-ja, është e paluhatshme në këtë temë.
“Po ashtu, i rikonfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihapë temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në këtë takim, po ashtu, shpreha falënderimin tim për Presidentin Meta për interesimin e tij të vazhdueshëm në procesin e rehabilitimit tim shëndetësor”, deklaron Isa Mustafa.