Rama: Altin Dumani, prokuror i jashtëzakonshëm, por para reformës në drejtësi nuk e linte politika të arrestonte ministra…

Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Qarkut të Beratit edhe për drejtësinë. Ai ka sjellë në vëmendje gjithë procesin që ndërmori sipas tij Partia Socialiste, për të çliruar drejtësinë nga pushteti.
Kryeministri ka shprehur respekt për kryeprokurorin e SPAK Altin Dumani duke thënë se ai dhe përpara Reformës në Drejtësi ka qenë prokuror, por nuk e ka patur këtë pavarësi, që sipas Ramës ia ka dhënë Partia Socialiste që arreston zyrtarë shumë të lartë.
”Altin Dumani meriton shumë respekt, ishte aty dhe më parë, por pse nuk e bënte këtë detyrë në këtë formë si sot? Përse nuk arrestonte dot më parë një ministër? Si ka mundësi që një ministër që nga 1912 nuk është thirrur nga drejtësia. Të gjithë ata që janë vrarë dhe janë burgosur janë urdhëruar nga udhëheqja, nga Zogu, nga Enveri dhe nga Bufi Kënetës. I burgosuri i fundit politik është Fatos Nano. Shpatën e drejtësisë e ka mbajtur i pari dhe ne e dorëzuam shpatën. Ne dhe ju dorëzuam shpatën, nga pushteti politik ja dhamë një trup të pavarur”,-tha Rama.
Në fakt Altin Dumani mbetet një nga njerëzit e drejtësisë më korrekt dhe me më personalitet, njeri skrupuloz dhe që nuk ndikohet nga politika. Por, sipas kryeministrit, ishte kjo mazhorancë që i dha pavarësi të plotë për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin.