NATO: Shqetësimi për shëndetin e Biden hodhi hije mbi samit
Samiti i NATO-s në Uashington duhej të ishte festa e madhe e 75-vjetorit të aleancës. Por shqetësimet për shëndetin e Joe Biden u vunë në qendër të samitit, edhe pse asnjë nga të pranishmit nuk foli publikisht për këtë.
Shtetet e Bashkuara mikpritën samitin me rastin e 75-vjetorit të themelimit të NATO-s në kohë të trazuara politike. Ndërkohë që sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës vazhdojnë ta mbajnë aleancën euro-atlantike në gatishmëri të lartë, ishte lideri i vendit mikpritës, SHBA në një pozitë të pasigurt e të vështirë këto ditë.
Që nga performanca katastrofike në debatin kundër kandidatit të mundshëm republikan për president Donald Trump, presidenti Joe Biden është përballur me zëra në rritje nga brenda partisë për të tërhequr kandidaturën e tij për katër vitet e ardhshme. Megjithëse vetë Biden ka këmbëngulur se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së këtë nëntor, pasiguria që rrethon udhëheqjen e SHBA-së u ndje edhe mes anëtarëve të NATO-s në samitin në Uashington, thanë ekspertët, veçanërisht pasi Trump nuk shihet si një burim stabiliteti për aleancën.
“Njëri kandidat presidencial shpreh dyshime të mëdha për vlerën e aleancës për amerikanët. Kurse tjetri përballet me dyshime në partinë e tij se sa i vlefshëm është si kandidat”, tha Richard Fontaine, drejtori ekzekutiv i Qendrës për një Siguri të Re Amerikane (CNAS), një institut i pavarur amerikan i fokusuar në politikën e sigurisë kombëtare dhe të mbrojtjes. “Aleatët vijnë në Uashington jo vetëm për të theksuar angazhimin ndaj Ukrainës, por janë të shqetësuar edhe për zhvillimet politike në partnerin më të rëndësishëm të aleancës.”
Publikisht, ata që morën pjesë në samit nuk shprehën asnjë dyshim për aftësinë e Biden për të bërë punën e tij dhe për të kandiduar përsëri në nëntor. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha para se të nisej për në Uashington se nuk ishte i shqetësuar për shëndetin e Biden.
Sekretari i Përgjithshëm në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg u tha gazetarëve se nuk do të komentonte mbi shëndetin e presidentit amerikan. “Një nga arsyet pse NATO është e suksesshme është se ne kemi qëndruar gjithmonë jashtë çështjeve të brendshme politike,” tha ai në një konferencë shtypi të para samitit në Bruksel.
Megjithatë nuk mund të mohohet se ka pasur shqetësime në prapaskenë. “Privatisht, liderët e kanë vrarë mendjen” për gjendjen shëndetësore të Bidenit, tha për DW, Cathryn Clüver Ashbrook, eksperte transatlantike në Fondacionin gjerman Bertelsmann. Ajo tha se anëtarët e NATO-s nuk mund të mbështeten vetëm në “shpresën dhe optimizmin” se Biden do mund të jetë i aftë për punën dhe do të mundë Trump. Ata duan të jenë të përgatitur pa marrë parasysh se kush do të përfundojë në Shtëpinë e Bardhë në janar.