Ndahet nga jeta ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush. Meta: Burrë shteti dhe mik i shqiptarëve
George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, gjatë viteve 1989-1993, është ndarë sot nga jeta, në moshën 94 vjeçare.
Si president i SHBA dhe politikan me ndikim në SHBA dhe në arenën ndërkombëtare, emri i Bush vlerësohet nga shqiptarët për kontributin e tij për Kosovën dhe demokracinë në Shqipëri pas rënies së komunizmit.
Në dhjetor 1992, George H. W. Bush nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtur udhëheqësit të Serbisë Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, SHBA do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. Pavarësia e Kosovës u realizua nën presidencën e djalit të tij George W. Bush në shkurt 2008.
Për dekada të tëra, George Herbert Walker Bush shërbeu si një figurë e njohur në skenën ndërkombëtare , duke filluar nga roli si i dërguari i SHBA në Pekin, pastaj për tetë vite si nënpresident dhe më pas si President nga viti 1989 deri në 1993. George H.W. Bush ishte veterani i fundit i Luftës së Dytë Botërore që shërbente si president.
Autoritet më të larta të shtetit shqiptar kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të politikanit të njohur. “Ai ishte një mik i madh dhe i shtrenjtë i shqiptarëve”, shprehet në një postim në rrjetet sociale Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
“Jam thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të #Presidentit të 41 të #SHBA George H.W. Bush. Ai ishte një burrë i madh shteti dhe një mbështetës i fortë i #lirisë. Jam pranë familjes së tij dhe lutem së bashku me ta. Ai ishte një mik i madh e i shtrenjtë i #shqiptarëve. #RIP“,- shkruan Presidenti Ilir Meta në mesazhin e tij në Twitter.
Një lajm i hidhur është cilësuar më tej nga kryeopozitari, ndërsa kreu i shtetit e vlerësoi si një burrë të madh shteti dhe një mbështetës të fortë të lirisë. “Përjetë mirënjohës për mbështetjen vendimtare për demokracinë në Shqipëri dhe sigurinë në Kosovë”, do të shtonte më tej kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, Lulzim Basha.
Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Xhorxh Bush kanë bërë dhe politikanët në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj ka reaguar me trishtim pas lajmit se ish-presidenti amerikan Xhorxh bush ndërroi jetë. Haradinaj shkroi në rrjetet sociale:
“Kosova sapo humbi një mik të madh e ShBA-të një patriot të devotshëm. I pikëlluar për vdekjen e presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George H.W Bush. Bush gjithë jetën e tij e dedikoi në shërbim të popullit amerikan dhe paqes në botë.
Presidenti Bush do të mbahet në mend për denoncim direkt ndaj represionit dhe terrorit serb ne Kosovë. Ai do te mbahet në mend për “mesazhin e Krishtlindjeve” drejtuar presidentit serb në vitin 1992, me të cilin vendos vijën e kuqe për luftë në Kosovë duke e mbrojtur popullin tonë nga tendenca dhe kërcënimi për shfarosje nga regjimi i Milloshevicit në atë kohë. Prehu në paqe, njeru i Kosovës. Do të kujtojmë gjithmonë!”,- shkruan kryeministri Haradinaj.
“Vija e Kuqe”, pse Xhorxh Bush ishte “babai” i Kosovës
Në takimin e vitit 1992 mes Presidentit Xhorxh Bush dhe Presidentit Berisha në Washington, i pari me një president amerikan dhe atij shqiptar, u vendos “Vija e Kuqe” për Sllobodan Millosjevic, që të tërhiqej nga Kosova.
Kështu dëshmon Sali Berisha, e këtë dëshmi e provon edhe Xhorxh W Bush në vitin 2007 kur bëhet presidenti i parë amerikan që viziton Tiranën, nga ku deklaron: “Tani është koha, është vendimi im, Kosova do të jetë shtet i pavarur”.
Edhe Presidenti W. Bush një lloj si babai i tij, zgjedh që vendimin për Kosovën ta bëjë publik në krah të Sali Berishës.
Lexoni dhe…
- Ish-ambasadori i parë shqiptar në SHBA: Ju rrëfej takimin e veçantë me George H.W Bush
- VIDEO/ I pari President shqiptar/ Berisha u prit në Shtëpinë e Bardhë
- “George H. W. Bush, pilot i guximshëm edhe në politikë”
- SHBA dhe mbarë bota humbën liderin që i dha njerëzimit liri
- Ilir Babaramo: Qeveria të shpallë ditë zie kombëtare