Ndarja e territorit në vitin 1926. Shqipëria kishte 38 bashki
Kryesore E Diel, 1 Qershor 2025 17:46
Nga ROLAND QAFOKU
Në vitin 1926 Shqipëria kishte 38 bashki. Ishte nga ato reformat e para të presidencës së Ahmet Zogut për ndarjen territoriale dhe vlerësohej si një revolucion më vete në këtë drejtim. Kjo u sanksionua me një vendim të veçantë dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare të 8 tetorit 1926. Por pavarësisht këtij statusi, bashkitë ishin ndarë në tre kategori, ose siç shkruhej fiks në atë kohë, tre klasë dhe kjo lidhej sipas rëndësisë, popullsisë dhe madhësisë së territorit.
Në klasën e parë me statusin bashki ishin pesë qytete: Durrësi, Vlora, Korça, Shkodra dhe Tirana. Katër të para kishin histori urbane që nga antikiteti deri në ditët tona. Bie në sy që për herë të parë Tirana u fut në grupin e bashkive kryesore dhe kjo ndodhi sapo mori statusin e kryeqytetit të përhershëm.
Në klasën e dytë ishin 15 bashki: Berati, Gjirokastra, Elbasani, Kukësi, Peshkopia, Kavaja, Shijaku, Fieri, Delvina, Përmeti, Saranda, Bilishti, Pogradeci, Lezha dhe Mati. Duket se Berati ka humbur nga shkëlqimi i dikurshëm teksa qyteti me moshë 2400-vjeçare zbriti një kategori më poshtë. Të njëjtin fat patën edhe Gjirokastra dhe Elbasani. Në këtë kategori bën veçanti që qytete të vegjël si Përmeti, Saranda, Pogradeci dhe Mati janë me të nëjtin status si qytetet e mësipërme. I vetmi që nuk të habit është Mati nga vinte presidenti Ahmet Zogu. Epo kush do ishte ai që nuk do ta bënte.
Interesante janë bashkitë e kategorisë së tretë që për hir të vërtetës shumica ende nuk ishin qytete të mirëfilltë: Lushnja, Kruja, Tepelena, Peqini, Zerqani, Mallakastra, Libohova, Kolonja, Leskoviku, Skrapari, Kurveleshi, Gramshi, Bicaj, Bunjaj, Mirdita, Puka, Dukagjini, Malësi e Madhe. Vetëm gjatë regjimit komunist disa prej tyre u bënë qendra urbane me statusin qytet si Skrapari, Gramshi, Mirdita, Puka, Malësia e Madhe. Ndërsa disa të tjerë mbetën fshatra dhe sot ende janë të tillë si Zerqan, Bicaj dhe Bunjaj. Bie në sy që qytete me lavdi në histori kishin humbur shkëlqimin e dikurshëm si Kruja, Lushnja, Tepelena dhe Leskoviku.

KOHA JONË SONDAZH