Ndizet debati për godinën e Teatrit. Në skenë zbresin Presidenti dhe Kryebashkiaku i Tiranës
Debati për godinën e Teatrin Kombëtar ka vijuar edhe sot. Pas miratimit nga Parlamenti të projektit që parashikon prishjen e godinës ekzistuese, tashmë pritet vendimi i Kreut të Shtetit, Ilir Meta për dekretimin ose jo të ligjit të shumëdebatuar.
Presidenti Ilir Meta ka komentuar për herë të parë projektligjin që ndodhet në tavolinën e tij. I pyetur nga gazetarët ditën e sotme, Presidenti tha se vendimi i tij do të jetë në funksion të përgjegjësive ligjore që ka kreu i shtetit ndaj çështjeve të tilla. Në prononcimin e shkurtër për mediat, Presidenti deklaroi nuk do të ndikohet nga asnjë prej faktorëve duke zbatuar korrekt ligjin dhe ndjeshmëritë për këto çështje.
“Dua t’iu siguroj që në çdo vendim nuk do të ndikohem nga asnjë faktor jashtë atyre përgjegjësive që ka presidenti në mbajtjen e qëndrimeve të tilla”, u përgjigj kreu i shtetit. Deklarata e Presidentit u bë pas takimin të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, ku ishte i pranishëm dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Lidhur me çështjen e Tetarit Kombëtar po sot ka reaguar dhe kryebashkiaku Veliaj. Duke folur për mediat, Veliaj ka theksuar se ishte optimist për të gjetur një zgjidhje të pranueshme me të gjitha palët që janë përfshirë në çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Për të ilustruar qëndrimin e tij për Teatrin, Veliaj ka përmendur deklaratën e aktorit Robert Ndrenika, dhënë për gazetën “Koha Jonë”, i cili tha se “kemi nevojë për Teatër dhe jo për Muze”.
“Besoj se qetësia e dashuria do triumfojnë, për diçka që për të cilën tashmë besoj se ka konsensus publik, konsensus të gjerë publik tek aktorët, tek ata që votuan në Parlament dhe tek popullata, sepse siç e tha i madhi Robert Ndrenika, kemi nevojë për teatër e jo për muze. Ndaj, për një teatër të ri besoj do gjendet një vullnet i mirë, kam shumë besim”, u shpreh Veliaj.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me debatin për Teatrin, kryebashkiaku tha se tashmë ekziston një konsensus i gjerë, si nga grupet e interesit, ashtu edhe nga popullata mbi nevojën e një godine të re moderne, që plotëson të gjitha kushtet për aktorët.