Ndryshimet në qeveri, Petrit Vasili: Ministrat që nuk kanë impenjim të ikin

Lëvizja Socialiste për Integrim sugjeron një vlerësim të punës së ministrave për të mundësuar ndryshimet në qeveri. Kryetari i grupit parlamentar Petrit Vasili, në një intervistë për Ora News, shprehet se ministrat që nuk kanë peformancë dhe impenjim duhet të lëvizin.
Ai thotë se ndryshimet në kabinet nuk duhen parë në funksion të politikës së ditës, por në bazë të përgjegjshmërisë ndaj detyrës për çdo dikaster.
“Ndryshimet në qeveri nuk kanë të bëjnë me kartat elektorale. Kur dikush i mungon impenjimi nuk ka moment elektoral, por patjetër duhet të lëvizë. Ndryshimin e njerëzve nuk e kemi parë në funksion të ditës apo çështjeve elektorale, por në frymën e përgjegjësisë ndaj detyrës. Nuk ka një ditë të caktuar ku mund të bëhen ndryshime dhe një ditë ku nuk mund të bëhen ndryshime. Kjo është një dinamikë që vlerësohet vetëm nga performanca”,- tha Vasili.
Kryetari i grupit parlamentar Petrit Vasili ka komentuar dhe marrëdhëniet në koalicionin PS-LSI.
“Mund të konfirmoj që vazhdojmë të kemi të njëjtën përgjegjshmëri për reformën, kurse ngërçin s’e kam parë gjëkundi por është një atribut i mediave që po jua lë juve të medias ta administroni. Ne nuk kemi pasur ngërç, por koherencë dhe vazhdojmë të kemi koherencë. Por po e them me një dozë shakaje se sikur verës po i vjen fundi dhe telenovela për ngërçin i erdhi fundi”,- tha ai.
Lidhur me reformën në drejtësi Vasili thotë se koha në dispozicion deri më 30 gusht për të miratuar ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve është e mjaftueshme për të afruar qëndrimet. “Me vullnet të mirë mund të arrihet një miratim konsensual i ligjit. Dhe ky vullneti i mirë duhet të mbizotërojë edhe për 7 ligjet e Reformës”,- tha ai.

SHKARKO APP