Partia e Ben Blushit: Vetëm me Berishën dhe Edi Ramën nuk bashkëpunojmë

“Nuk do të pranojmë bashkëpunim, pas zgjedhjeve të reja parlamentare, vetëm me dy persona: Edi Rama dhe Sali Berisha”,- thonë burime nga kjo parti

Nga fundi i muajit tetor të këtij viti do të dalë në skenë një lëvizje e re politike e kryesuar nga deputeti Ben Blushi. Më në fund sistemi trepolar politik në Shqipëri do të bëhet katërpolar, duke zhbërë forcën e tre partive të mëdha.

Nga burime të brendshme të kësaj Lëvizje të madhe politike, mësohet se do të jetë parti e qendrës. Në radhët e saj do të  përfshihen emra nga krejt shoqëria civile, e cila ka dëshirën për një ndryshim të madh të mënyrës së administrimit të pushtetit dhe politikës. Siç ka thënë edhe deputetja Mimoza Hafizi, që politika e sotme është e inkriminuar dhe antipopullore, pikërisht forca e re politike e kryesuar nga Ben Blushi do të nis me një uragan kundër kësaj tradite 25 vjeçare inkriminuese duke synuar që në zgjedhjet e radhës parlamentare të jetë parti vendimtare në qeverisjen e ardhshme.

Lëvizja e re politike do të përfshijë gjitha shtresat dhe pa ndonjë përcaktim strik politik, nëse është i djathtë apo i majtë. Synimi është që të jetë një parti ku ndjehen të përfaqësuara të gjitha kategoritë ideologjike dhe sociale të vendit.  Përvoja e 25 vjetëve demokraci në vend ka treguar se ndarjet politike klasike, e majtë e djathtë, vetëm kanë thelluar ndarjet dhe etiketimin në kampe. Më shumë kanë shërbyer si llogore për të larguar njerëzit, sesa si ide për të përmirësuar qeverisjen dhe jetën e qytetarëve.

Burime thotë se synimi i partisë së re, e cila ka kohë që ka nisur përgatitjet për ngritjen e saj, është ndryshimi i frymës në drejtimin e pushtetit dhe qeverisjes. I një raporti tjetër të shtetit me qytetarin, ku primar do jetë njeriu dhe ligji e jo si në këto vite i forti apo ai që paguan me shumë. Fryma aktuale dëshmon se këto vite vetëm ndërrohen qeveritë, por modeli i drejtimit mbetet i njëjti.  Burime nga kjo forcë e re politike tregojnë se partia e re vjen në skenën politike si një forcë që do jetë në krah të qytetarëve. Në krah të problemeve të njerëzve dhe jo në shërbim të grupeve të interesit ekonomik, të cilat financojnë politikën dhe vjedhin më pas nga politika. Këtë duan ta shkatërrojnë si traditë të keqe Ben Blushi dhe partia e tij politike.

Partia e re do të jetë e krijuar dhe e shpallur nga fundi i muajit tetor. Më pas do dalin në çdo njësi familjare shqiptare për ti bindur për lëvizjen e re politike e cila kërkon mbështetjen për nisjen e një projekti të ri kombëtar.

Lidhur me emrat e rinj apo edhe të njohur në publik, por të pangazhuar deri me sot të cilët do t’i bashkohen kësaj force politike, burime nga partia shprehen të rezervuar në dhënien e detajeve.  Megjithatë premtojnë se surpriza nuk do të mungojnë në emrat që do t’i rreshtohen këtij projekti politik.

Ka informacione se partia e re politike ka dy kushte të prera pas zgjedhjeve parlamentare. “Nuk pranojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën kryeministër dhe në asnjë post tjetër. Me çdo faktor tjetër politik mund të bien dakord për një Shqipëri tjetër”,- thanë për “Koha Jonë”, burime nga kjo parti. Arsyeja lidhet me faktin se të dy këta emra, shihen si modeli i një politike e cila duhet të marrë fund në Shqipëri. Me PS-në edhe mund të ketë pika afrimi, pas zgjedhjeve, porse kurrsesi me Edi Ramën kryeministër apo në ndonjë post tjetër shtetror. Këtë e kanë të prerë forca e re politike. E quajën si rrenimtar të së majtës në këto vite dhe si shkatërrues të vlerave të së majtës.

Kur mbeten dhe më pak se 10 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve, dalja e partisë së re pritet të ndryshojë të sjellë një model ndryshe të politikbërjes. Ndryshe nga disa forca të tjera politike që kanë në bazë biznesin dhe mbështetjen e lobeve ekonomike, partia e re e Blushit synon afrimin e intelektualëve dhe njerëzve me kontribute në shoqëri, të cilët e kanë parë veten të përjashtuar nga politika aktuale. Ndërkohë që radhët e qytetarëve të pakënaqur nga kampet kryesore politike janë shtuar gjatë viteve të fundit, lëvizja e re pritet të shihet edhe si një model që premton ndryshimin  e situatës aktuale.

Burimet thonë se drejtuesit e forumeve të kësaj force politike, emrat e themeluesve, modeli i organizimit dhe programi konkret, priten të bëhen publike në kohën e duhur.

Në muajin tetor skema politike fillon ndryshimin.

Spiten Prulli

SHKARKO APP