Në PS bëhen gati për “varrimin politik” final të ish-deputetit Koço Kokëdhima
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=Q1UfjZ5Vkbc” width=”560″ height=”315″]
Kokëdhimës i janë turrur të gjithë në PS. Dikur kur ishte mik me kryeministrin dhe deputet e kishin frikë. Edi Rama dhe Koço Kokëdhima nuk janë më me njëri-tjetrin. Përkundrazi, Rama duket se ka ndërmend edhe një plan që i referohet statutit të ri të PS-së për ta larguar Kokëdhimën nga të gjitha funksionet në selinë rozë e natyrshëm edhe jashtë partisë. Këtë do ta bëjë në mbledhjen me të afërt të Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Në një interviste për Shqiptarja.com deputeti socialist Fatmir Toçi, njeri mjaft i afërt i Edi Ramës ka hedhur kritika të forta ndaj ish-deputetit Koco Kokëdhima. Sipas tij Kokëdhima është mjeshtër i përfitimit dhe abuzimit me pushtetin. Toci ka deklaruar se Kokëdhimës i shkon për shtat pjesa e zezë e Ali Pashë Tepelenës. Akuzë e rëndë kjo !
Sipas mediave Toci është shprehur se Kokëdhima duhet të largohet nga drejtimi i dy qarqeve të Jugut, Vlorës dhe Gjirokastres. Ai kërkon riorganizimin e zgjedhjeve për të çuar në vend një padrejtësi ndërsa bën këtë argumentin të qëndrimit të tij që me shumë mundësi është edhe plani e Edi Ramës për të hequr qafe njëherë e mirë ish-atin shpirtëror. Por a ikën Koço, kollaj? Këtë kanë frikë në PS, nuk dijnë se çfarë ka ish-deputeti në arkivat e tij.
Por masakra kishte ardhur sot nga Carlo Bollino. E kishte shigjetuar keqas, tamam si dy ish-ortakë.
“Në rastin kur dikush nuk gëzon më mandatin e deputetit, për arsye nga më të ndryshmet, ai automatikisht nuk mund të jetë më anëtar i Asamblesë Kombëtare e, për rrjedhojë, as në kryesinë e Partisë, veç nëse kooptohet në ndonjë prej mbledhjeve të radhës së Asamblesë. Ky interpretim i Statutit të PS-së duhet të zbatohet, pasi shohim sjellje, shfaqje e performanca nga më të çuditshme të këtij ish-deputeti në Vlorë, që nga karshillëqet ndaj strukturave qendrore të Partisë, drejtuesve të saj etj., e deri te qëndrimet publike delirante, a thua se Gjykata Kushtetuese e dekoroi e jo akuzoi si abuzues me fondet publike”- shpreht Toçi.
Ndërkohë që në PS po bëjnë gati ” varrimin politik” të ish-deputetit Kokëdhima, vetë Koço po përgatit një kundërsulm me “raketa” të cilat do ti lëshojë mbi kryeministri dhe në selinë rozë. Po si? Burime pranë ish-deputetit tregojnë se ” nuk keni dëgjuar gjë se çfarë do shikoni e dëgjoni !”.
Media pranë segmenteve të caktuara brenda Partisë Socialiste kanë nisur ditët e fundit një sulm frontal kundër ish-deputetit Koço Kokëdhima. Fillimisht sulmet nisën me shkrime ku citoheshin burime anonime nga Delvina dhe sot kanë vijuar me krijimin e një skene teatrale në Asamblenë Socialiste të Vlorës duke thërritur edhe mediat që të jenë të pranishme. Në momentin që Kokëdhima ka marrë fjalën, kryetari i FRESSH të Vlorës, Klajdi Myzaferaj, njëkohësisht edhe Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional në Vlorë, ka inskenuar largimin e tij dhe të tre vartësve të tij nga salla. Myzaferaj është shprehur se nuk dëshiron që të dëgjojë Kokëdhimën dhe ka kërkuar që edhe të pranishmit e tjerë të dalin nga salla. Por përveç tre vartësve të tij, asnjë person tjetër nuk ka dalë nga salla.
Më pas Asambleja Socialiste e Vlorës ka vijuar punimet e saj normale me fjalën e Kokëdhimës. Ish-deputeti është fokusuar tek reforma në parti dhe tek zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në këtë pikë Asambleja Socialiste e Vlorës ka kërkuar që të jetë vetë baza ajo që do të propozojë kandidatët për deputet dhe jo të emërohen persona nga Tirana, të cilët nuk kanë lidhje me zonën. Anëtarët e Asamblesë Socialiste të Vlorës kanë deklaruar që duhet të dëgjohet edhe zëri i tyre sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një përfaqësim sa më i mirë në parlamentin e ardhshëm si dhe garantohet shtimi i votave.
Intervista e plotë e deputetit Fatmir Toçi:
Partia Socialiste e Vlorës është vënë në qendër të diskutimeve prej një periudhe të gjatë kohe. Çfarë nuk po funksionon mirë në këtë Parti?
– Konstatimi është i saktë. Detyra e Asamblesë Kombëtare, vitin e kaluar, për reformimin e Partisë, zgjedhjet e reja në të gjitha nivelet e strukturave dhe shtimin e anëtarësisë në pothuaj dyfishin e numrit ekzistues deri në 25-vjetorin e themelimit të PS-së, ishte një angazhim i madh, që kërkonte mobilizimin e të gjitha strukturave dhe drejtuesve të zgjedhur. Udhëzimet e Asamblesë Kombëtare për organizimin e këtij procesi ishin të qarta, të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët dhe strukturat, si dhe të bazuara në Statutin e PS-së, që është dokumenti themeltar i organizimit dhe veprimit të forcës sonë politike.
Por, ndërkohë që në qarqet e bashkitë e tjera dukej se organizatat e PS-së filluan punën bazuar në vendimet e Asamblesë Kombëtare, në Vlorë u hodhën idera dhe filluan përpjekjet për implementimin e një platforme tjetër, që riorganizimin e kërkonte në krijimin e një strukture tjetër, krejtësisht të re e me njerëz të panjohur e pa kontribute, jashtë strukturave e organizatave aktuale të PS-së, e cila kërkonte kthimin e Partisë nga një organizatë vullnetare dhe të lirë në administratë partiake, në bazë të të cilës nuk ishte më zgjedhja demokratike, por emërimet nga lart. Kjo do të ishte, si të thuash, një strukturë paralele me organizatën e PS-së në Vlorë dhe që do të sillte pak e nga pak shuarjen e PS-së tradicionale të Vlorës, përqendrimin e pushtetit në duart e një njeriu dhe përdorimin e saj për t’i dhënë vendimmarrjes legjitimitet, formë e ngjyrë kolegjiale. Besoj se nuk është e vështirë për ta kuptuar se e kam fjalën për z. Kokëdhima, pa kontribute në Vlorë e i panjohur në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet, i cili injoroi punën dhe kontributin e dhjetëra e qindra socialistëve ndër vite, ndoqi e denigroi çdo njeri që nuk mbështeti platformën e tij dhe punoi pareshtur në mënyrë groteske për krijimin dhe forcimin e kultit të tij, si mendimtar i madh, reformator dhe vizionar, që Vlora nuk e kishte parë kurrë “që nga koha e Smajlit”.
Në një nga mbledhjet e kryesisë të para disa kohëve është kritikuar prej jush, deputetëve të Vlorës, mënyra se si po bëheshin emërimet dhe punësimet në qarkun e Vlorës. Madje pati kritika të forta ndaj ish-deputetit Koço Kokëdhima, atëherë koordinator i rajonit Vlorë-Gjirokastër. Si qëndron kjo çështje?
– Në fakt, platforma e re lokale e Koços, veç qëllimeve për ta vënë Partinë nën komandën e një njeriu, ka si qëllim kryesor përqendrimin në një dorë të politikave të kuadrit dhe emërimeve, njësoj si në kohën e Partisë-shtet, ku Partia merrej me çdo gjë dhe vendoste për gjithçka, duke sjellë në krye të institucioneve rajonale e lokale në dy qarqe njerëz të lidhur në të kaluarën me të apo me ata nën shërbimin e tij; madje jo vetëm në Jug, por kudo ku ka mundur në gjithë vendin. Aktualisht sot, një pjesë e punonjësve dhe drejtuesve të kompanive të tij të shumta, të njohur e të afërt të tij, kanë zënë poste kyçe në administratën shtetërore dhe janë në shërbim të tij.
Unë kam kërkuar dhe inkurajuar vazhdimisht drejtuesit e pushtetit vendor, të zgjedhur apo të emëruar në nivel rajonal apo lokal, të bëjnë detyrën e tyre duke zbatuar ligjet e shtetit dhe të ushtrojnë kompetencat që u japin ligjet përkatëse në punën me kuadrin dhe personelin. Në analizë të fundit, janë ata që do të përgjigjen për zbatimin e këtyre ligjeve, ashtu si dhe për rezultatet në punën e institucioneve që drejtojnë, dhe jo ndërhyrësit e sekserët. Kjo, veç përgjegjësisë ligjore e morale, siç theksova më sipër, është edhe çështje dinjiteti dhe personaliteti për ata në ushtrimin e detyrës.
Ju si deputetë të qarkut, a e përkrahët strukturën e re të propozuar nga deputeti Kokëdhima, për PS-në e Vlorës?
– Struktura e propozuar pati kundërshti që në takimet e para nga disa deputetë dhe drejtues të partisë e pushtetit në qark, së pari, sepse ajo binte ndesh me Statutin e PS-së dhe udhëzimet e detyrat që sapo kishin dalë nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Së dyti, sepse ajo kërkonte krijimin me urgjencë të një strukture private prej sekretarësh e koordinatorësh në dispozicion të një njeriu, duke shmangur tërësisht strukturat ekzistuese të PS-së në Vlorë, deri edhe në ndërrimin e selisë, duke injoruar qendrën historike ekzistuese të socialistëve të Vlorës, selinë e saj. Më pas kundërshtitë dhe debatet erdhën duke u shtuar, derisa erdhi një moment që nuk njoftoheshim më për mbledhjet e tyre ku Koço, që kishte kthyer në sekretarë edhe nja dy deputetë të Kuvendit, vetë fliste, vetë vendoste dhe të tjerët “dëgjonin në mënyrë konsensuale”.
Nga Partia Socialiste Vlorë, zoti Kokëdhima u kandidua edhe si anëtar i Asamblesë Kombëtare, ndërkohë që ai ishte deputet dhe hynte automatikisht, duke bërë një përjashtim nga degët e tjera. A ishte kjo një parandjenjë që zotit Kokëdhima do t’i hiqej mandati nga Gjykata Kushtetuese, ashtu sikurse ndodhi dhe i duhet vota në Asamble?
– Unë besoj se po; këto ishin veprime që tregonin se ai ishte i vetëdijshëm për sa akuzohej dhe për vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese. Madje, e kemi thënë këtë edhe brenda strukturave, si një shkelje flagrante të Statutit dhe një veprim pa sens e qesharak për argumentet që silleshin. Ne nuk na ka gëzuar aspak vendimi i Gjykatës për çështjen në fjalë, ndryshe nga çfarë mendon Koçoja i mbërthyer nga paranoja. Heqja e mandatit deputetit Kokëdhima me atë motivacion të shëmtuar nuk ishte në të mirë të forcës sonë politike. Gjithsesi, ky veprim nuk mund ta mbajë Kokëdhimën si anëtar të Asamblesë Kombëtare dhe as si sekretar në kryesinë e PS-së.
Anëtarësia e të gjithë deputetëve në Asamblenë Kombëtare rrjedh prej mandatit të deputetit, jo si të zgjedhur, por të futur drejtpërdrejt në Asamble për shkak të këtij funksioni. Në rastin kur dikush nuk gëzon më mandatin e deputetit, për arsye nga më të ndryshmet, ai automatikisht nuk mund të jetë më anëtar i Asamblesë Kombëtare e, për rrjedhojë, as në kryesinë e Partisë, veç nëse kooptohet në ndonjë prej mbledhjeve të radhës së Asamblesë. Ky interpretim i Statutit të PS-së duhet të zbatohet, pasi shohim sjellje, shfaqje e performanca nga më të çuditshme të këtij ish-deputeti në Vlorë, që nga karshillëqet ndaj strukturave qendrore të Partisë, drejtuesve të saj etj., e deri te qëndrimet publike delirante, a thua se Gjykata Kushtetuese e dekoroi e jo akuzoi si abuzues me fondet publike.
Para pak kohësh, kemi pasur një deklaratë të deputetes Mira Shehu që shprehej se duhet reformim i Partisë, ashtu siç nisi reformimi i PS-së së Vlorës, nën kujdesin e deputetit Koço Kokëdhima, citon ajo. Por ka edhe një përgjigje të kreut të FRESSH-it të Vlorës, i cili thotë se në PS-në e Vlorës u promovuan njerëz pa identitet. Ju si deputet, si e vlerësoni këtë situatë?
– Nuk dua të flas për njerëz që nuk e kanë kuptuar vendin dhe detyrimet dhe të drejtat që ka detyra që ua kanë dhënë, me apo pa kontribute, (që nuk është vetëm një i tillë), arrivizmi i të cilëve i ka kthyer në personazhe të Servantesit, bashkë me adhuruesin e tyre; e as për njerëz, që për shkak të formimit dhe kulturës së tyre sugjestionohen e kalojnë në gjendje ekstaze kur flasin udhëheqësit e tyre shpirtërorë. Në Vlorë është bërë një reformë kundër reformës që kërkoi Asambleja Kombëtare, si rrjedhojë Partia Socialiste sot shfaqet e çorientuar, me strukturat “e reja” si në një ishull të shkëputur nga njerëzit, por pa e humbur besimin se gjërat do të shkojnë në vend.
Personalisht mendoj se procesi i riorganizimit të Partisë për Qarkun e Vlorës, duke përfshirë edhe zgjedhjet e të gjitha niveleve të strukturave partiake duhet të përsëritet, ose, e pakta, të rishikohen rastet ku është shkelur Statuti dhe të rivendoset zbatimi i normave dhe rregullave të Partisë në të gjitha rastet e shkeljeve. Ndërsa rasti i reagimit të ish-kreut të FRESSH – it, Klajdi Musabelliu, një i ri me kontribute në dy fushatat e fundit zgjedhore, me formim e kulturë qytetare të spikatur ndër socialistët vlonjatë, por i shpërfillur nga “reformistët” e rinj është për t’u përshëndetur e për t’u marrë shembull edhe nga ne deputetët apo drejtues të tjerë të pushtetit në qark, që problemet, edhe kur i kemi ngritur, i kemi ngritur vetëm brenda strukturave. Edhe pse kjo është bërë me qëllimin e mirë për zgjidhjen brenda familjes sonë politike të problemeve, respektimin e Statutit, vendimeve të Asamblesë Kombëtare për normalizimin e situatës.
Mbulimi territorial i PS-së në 6 rajone duket se i dha Koço Kokëdhimës pushtet të pakufizuar në gjithë Jugun e vendit. Mendoni se solli zhvillime pozitive për organizimin e PS-së kjo ndarje e re?
– Kjo është e vërtetë aq sa është e vërtetë që Koço është mjeshtër i përfitimit dhe abuzimit me pushtetin, edhe kur këtë pushtet nuk ia ka dhënë as ligji i shtetit e as Statusi i Partisë. Gjithsesi, meqë jemi te kjo ndarje e re në 6 rajone, personalisht mendoj se është një vendimmarrje e parakohshme dhe joefektive. Ligjërisht ne jemi deputetë të një qarku dhe nuk kemi asnjë tagër të ushtrojmë mandatin tonë në një qark tjetër ku nuk na kanë votuar. Së dyti, zakonisht ka ndodhur që organizimi i Partisë në terren t’i përshtatet ndarjes territoriale shtetërore dhe jo e kundërta.
Kështu, për shembull, ka qenë shumë efektiv organizimi i Partisë sipas parimit “një qendër votimi – një organizatë partie”, dhe ka dështuar që në embrion përpjekja për krijimin e strukturave në bazë profesionesh apo “idera të tjera” që kanë sjellë mbivendosje emrash e duke raportuar edhe një numër fiktiv të anëtarësisë së PS-së në qarkun e Vlorës. Kjo nuk i shërben askujt, veç mburrjes “për shtrirjen dhe suksesin e reformës” duke marrë si shembull punën e bërë në Vlorë. Së treti, shqiptarët nuk janë të mësuar të veprojnë në hapësira të mëdha territori, siç ka ndodhur para 100 vjetësh, kur ishim pjesë e Perandorisë Osmane. Kanë kaluar 4 breza që nga shkëputja nga Perandoria Turke dhe shqiptarët janë mësuar që të veprojnë e të organizojnë jetën e tyre në hapësira më të kufizuara për shkak të përmasave territoriale që ka vendi ynë.
Ju e keni quajtur Kokëdhimën “Beu i Jugut” apo e keni krahasuar me Ali Pashë Tepelenën. Cili është thelbi i akuzave tuaja që lidhen me këto epitete?
– Më janë zemëruar edhe miqtë e mi tepelenas që e kam krahasuar Aliun e tyre dhe tonin me Koço Kokëdhimën. Në fakt, nuk e kam thënë tamam siç e ka transkriptuar media. Unë kam thënë se “ka marrë më shumë kompetenca se Alia Pashë Tepelena në kohën e tij; ndërkohë që Aliu i mori me luftë, po këtij kush ia dha?!”. Besoj se është e kuptueshme përse bëhet fjalë: për ushtrim të kompetencave dhe të një pushteti të pamerituar, madje në kundërshtim me ligjin.
Por duke njohur figurën historike bardhezi të Ali Pashë Tepelenës, kontributin e tij në historinë e Shqipërisë në epokën kur jetoi, nga njëra anë, por edhe sjelljet çnjerëzore mbi të cilin e ngriti dhe e mbajti pushtetin e tij, nga ana tjetër, Koços, në kohët moderne që jetojmë, i shkon për shtat kjo pjesa e zezë e figurës së Ali Pashës, se për kontribute as që bëhet fjalë. Kam lexuar para pak kohësh, si për rastësi, një libër divulgativ për jetën dhe bëmat e Pashait të Janinës të shkruar nga Spiro Mela, arvanitas, që arriti të jetë deri kryetar i Akademisë së Shkencave të Greqisë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar; një libër tronditës për një figurë komplekse e kontradiktore si ajo e Aliut, që tregon mbi të gjitha për mënyrat se si mundi ta mbajë gjatë pushtetin në epokën e tij. Një libër që do t’ua rekomandoja të gjithëve që duan të dinë më shumë për “Luanin e Janinës”, siç e quan ai Pashain që në titull, por edhe për Shqipërinë e Rajonin e para dy shekujve.
Kokëdhima është sot jashtë Parlamentit, ndërkohë vazhdon të jetë në krye të drejtimit të dy qarqeve të Jugut, Vlorës e Gjirokastrës. A ju duket normale kjo?
– U shpreha më lart për nevojën, sipas mendimit tim, të riorganizimit të zgjedhjeve të PS-së në qarkun e Vlorës, për të çuar në vend një padrejtësi dhe për t’i hapur rrugën marrëdhënieve të vërteta demokratike brenda strukturave të saj, por edhe për t’i kthyer vlerësimin e dinjitetin e nëpërkëmbur dhjetëra e qindra socialistëve që janë përjashtuar padrejtësisht nga proceset e reformimit të forcës më të madhe politike progresiste në vend.
- Kokëdhima nuk është më në Kuvend si deputet për shkak të një dënimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Duke mos qenë deputet ai nuk mund të jetë as anëtar i Asamblesë Kombëtare, e as nuk mund të kryejë detyrën e Sekretarit pranë Kryesisë së PS-së. Por, përpos masës juridike nga Gjykata Kushtetuese, ka edhe një dënim moral, në respekt të ligjit dhe institucioneve kushtetuese të këtij vendi. Ndaj ai vetë duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë në dy qarqet e Jugut, duke e çliruar edhe Partinë, edhe miqtë e tij nga një pozitë që nuk është aspak normale, serioze, por as e këndshme për ata, për ne dhe për vetë z. Kokëdhima.