Në vitin 1913 na copëtuan, kurse në 2018 i sakatojmë vetë trojet shqiptare
-Kombi dhe trojet shqiptare u ndanë para 105 vitesh nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ku morën mbi gjysmën e tokave shqiptare, ndërsa sot është vetë Presidenti i Kosovës që po copëton toka të tjera shqiptare, të cilat i do serbi Vuçiç.
-Europa na mori në Londër me shumë së gjysmën e territorit duke ua dhuruar Serbisë, Malit të Zi dhe Greëisë. Kjo padrejtësi historike nxori jashtë hartës së Shqipërisë, Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe krejt Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Ulqinin, një pjesë të zonave të Vermoshit, Plavën e Gucinë, Tetovën, Janinën, Prevezën, Çamërinë, një pjesë të Liqenit të Pogradecit, një pjesë të Liqenit të Shkodrës, e kështu me radhë. Tani duan të marrin Mitrovicën Veriore dhe pasuritë e Kosovës.
Pas samitit të mbajtur në Austri ku presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, nisën diskutimet për kufijtë nuk ka më dilema se shkëmbi i territoreve është një proces që po vihet në zbatim. Nëse deri pak javë më parë deklaratat e Thaçit dukeshin si qëndrime personale dhe lajme vere për politikën në Prishtinë, sot mund të thuhet se ka një skenar që është vënë në lëvizje prej shumë kohësh. Thaçi dhe Vuçiç kanë hapur hartat dhe po ndajnë kufijtë. Komisioni Europian deklaroi dje se ishte i hapur për çdo marrëveshje duke nënkuptuar edhe atë që quhet shkëmbim territoresh. Komisioneri Johannes Hahn nga qyteti i Durrësit, ku ishte në takim me kryeministrat e Ballkanit, përsëriti të njëjtin qëndrim, duke thënë se marrëveshja duhet të respektonë stabilitetin e Rajonit.
Tamam siç thanë para 105 viteve ambasadorët europianë në Londër, kur na copëtuan dhe sakatuan.
E thënë ndryshe, Thaçi dhe Vuçiç kanë leje për të bërë çdo gjë me territorin e Kosovës, mjafton që të mos preket Maqedonia dhe stabiliteti në Ballkan. Nuk kanë leje nga Kuvendi i Kosovës dhe populli kosovar. Lejen ua dhanë prapë disa pazarxhinjë dhe komisionerë që duan të mbyllin punët e tyre në Bruksel. E gjitha kjo po shitet në opinionin ndërkombëtar si një arritje historike, pasi sipas diplomatëve burokratë në Bruksel e gjetkë, serbët dhe shqiptarët e Kosovës do të lëshojnë diçka në negociata. Pra japin e marrin toka njeri tjetrit, sikur të ishin në një restorant, duke shqyer dashin. Ajo që nuk thuhet është se ata që do të lëshojnë dhe do të humbasin në këto negociata janë shqiptarët. Serbia nuk humbet asgjë, përveç se merr territor që sot nuk e ka në administrim, siç janë komunat në veri të Kosovës dhe pasuritë ekonomike. Deklarata e Thaçit se mund të marrim Luginën e Preshevës është sa naïve, aq dhe jo realiste. Në Serbi nuk kanë pranuar që një çështje e tillë të shtrohet për diskutim. Ajo që Serbët kanë kërkuar dhe duket se po u jepet nga Thaçi është marrja e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe zonave përreth.
Çfarë është më e rëndë në këtë histori mbetet fakti se një skenar i tillë negativ sërish nuk e ndryshon pozitën e Kosovës. Kosova do të quhet sërish shtet multietnik dhe do të jenë sërish disa serbë të tjerë në komuna të tjera që mund të kushtëzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës apo që mund ti vendosin barutin stabilitetit Kosovar sapo Beogradi, më vonë, tju jap sinjal. Ndërsa Thaçi përveçse me këtë marrëveshje i hap Serbisë rrugën drejt hyrjes në BE, u jep gratis dhe territor. Në gjithë parashikimet për Rajonin, ajo që po ndodh me marrëveshjen Thaçi-Vuçiç është skenari më i keq për shqiptarët.
Një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, që është pro kësaj ideje, ka një nxitim për ta mbyllur marrëveshjen brenda pak muajsh. Është një nxitim që i shërben krijimit të paqartësive duke kapur në befasi aktorët ndërkombëtarë që mund të vendosin veton ndaj pazareve të tilla. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë “JO, ndryshim kufijsh” dhe burokratët e Brukselit deklarojnë “pse jo, nëse Thaçi dhe Vuçiç janë dakord”. Sikur Presidenti Thaçi ta kenë tokë private e jo tokë kosovare dhe e krejt shqiptarëve.
Është e njëjta logjikë që është përdorur sa herë janë copëtuar territoret shqiptare. Edhe në Konferencën e Londrës në vitin 1913 trojet shqiptare u copëtuan mes Serbisë, Greqisë, Malit të Zi me një argument të ngjashëm që gjasme “stabilizonte rajonin”.
Ambasadorët e Konferencës së Londrës ishin njerëzit që firmosën krimin monstruoz të copëtimit të trojeve shqiptare dhe që morën pjesë në teatrin e madh dhe tragjik të historisë. Ata ishin Edëard Grey (kryetar), më vonë minister i Jashtëm i Anglisë; Konti Albert von Mensdorff–Pouilly–Dietrichstein, amabasadori austrohungarez në Britaninë e Madhe; Pierre Paul Cambon, diplomat francez; Aleksandër Benckendorff, ambasador i Perandorisë ruse në Londër; Karl Max Lichnoësky, ambasador gjerman në Londër; Konti Guglielmo Imperiali, përfaqësues i shtetit Italian. Delegatët shqiptarë në Londër ishin Rasih Abedin Dino, ishte djali i Abedin pashë Dinos, nga Çamëria, Mehmet bej Konica, Sotir Kolea, Filip Noga, Faik Konica, Fan Noli, përfaqësues i ortodoksisë shqiptare të Amerikës; Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë së Vlorës, Luigj Gurakuqi dhe Isa Boletini do të mbërrinin pak më vonë, për shkak të bllokimit të rrugëve. Konferenca e Londrës institucionalizoi krimin ballkanik kundër Shqipërisë dhe shkëputi nga trualli mëmë krahina të tëra, qytete e fshatra, fusha e kodrina, pjesë të deteve dhe liqeneve, që kishin qenë tradicionalisht shqiptare, qysh prej shumë shekujsh. Europa na mori në Londër me shumë së gjysmën e territorit duke ua dhuruar Serbisë, Malit të Zi dhe Greëisë. Kjo padrejtësi historike nxori jashtë hartës së Shqipërisë, Prishtinën, Gjakovën, Prizrenin dhe krejt Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Ulqinin, një pjesë të zonave të Vermoshit, Plavën e Gucinë, Tetovën, Janinën, Prevezën, Çamërinë, një pjesë të Liqenit të Pogradecit, një pjesë të Liqenit të Shkodrës, e kështu me radhë. Tani duan të marrin Mitrovicën Veriore dhe pasuritë e Kosovës. Ndërsa këto ditë, në vitin 2018, janë vetë shqiptarët (drejtuesit) që po e sakatojnë tokën shqiptare, duke bërë pazare me palën serbe ndërkohë që jemi ne, shqiptarët, fituesit e luftës.
Po ua japim me duart tona, trojet historike shqiptare!
S.P.