Negociatat, apeli i Presidentit Ilir Meta: Jo polemika, të thellojmë reformat

Presidenti i Republikës, Ilir Meta është pritur sot në sheshin kryesor të Prrenjasit nga kryetarja e Bashkisë, Miranda Rira dhe nga qindra banorë. ”Të shmangim çdo lloj polemike e të përqëndrohemi në objektivin e integrimit europian”, është mesazhi i Kreut të Shtetit, fill pas rekomandimit për çeljen e negociatave me BE-në.

Duke folur nga Prrenjasi, Meta kërkoi më shumë përpjekje për përmbushjen e pesë prioriteteve, ndërsa ndan bindjen se vendi i ka të gjitha mundësitë për hapjen e negociatave. ”Të përqëndrohemi në thellimin reformave për përmbushjen 5 prioriteteve kyçe. Unë jam i bindur që i kemi të gjitha mundësitë për çeljen e negociatave”, deklaroi ai.

Kjo vizitë e Kreut të Shtetit, vjen si ftesë për të qenë prezent në inagurimin e çerdhes së qytetit, të rikonstruktuar me fondet e shtetit të Turqisë. I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Ahmet Yoruk. Në fjalën e tij, Presidenti Meta falenderoi për bujarinë dhe shprehu mirënjohjen ndaj shtetit turk për këtë investim të rëndësishëm. ”Falenderime dhe mirënjohje të sinqertë për bujarinë e shtetit të Turqisë për ndihmat financiare”.

Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta në Prrenjas me 24 prill 2018
Zoti Meta jemi në prag të negociatave të Bashkimit Evropian, dhe shohim një skepticizëm të vendeve të rëndësishme si Franca dhe Gjermania. Cili është komenti juaj për këtë: sa shanse ka Shqipëria?
Presidenti Meta: Së pari duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, sepse ky është një hap mjaft i rëndësishëm. Dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave të 5 prioriteteve kyçe, sidomos për të treguar më shumë vullnet dhe rezultate përsa i takon sundimit të ligjit. Jam i bindur se i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht këtë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Duket se ka një konflikt mes Bashës, Ramës dhe përfaqësuesit të Gjermanisë në lidhje me këtë çështje?
Presidenti Meta: Mendoj se në këto momente është shumë e rëndësishme që të evitojmë çdo lloj polemike dhe të përqendrohemi te demonstrimi i rezultateve në ditët, në javët që vijnë, sepse besoj se kjo do të ishte rruga më e mirë që ky rekomandim i Komisionit të kthehet në mënyrë të sigurt në një vendim pozitiv të vendeve anëtare.
Zoti  President, si e vlerësoni ju këtë investim nga qeveria turke për institucionet arsimore, por edhe bashkëpunimin midis dy vendeve?
Presidenti Meta: Si President dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë këtij angazhimi të jashtëzakonshëm të “TIKA-s” në të gjithë vendin dhe të falenderojmë qeverinë e Turqisë për këtë mbështetje. Dhe së dyti, dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë dhe Ambasadorin turk që pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta. Kështu që edhe njëherë do të falënderoja Ambasadorin dhe “TIKA-n” për çdo punë të shkëlqyer që kanë bërë!

SHKARKO APP