Negociatat dështojnë. Opozita drejt Kavajës! E diela testi i madh

Dje u duk se ishin të gjitha shanset për një marrëveshje politike. Pas 75 ditë protestash të PD-së dhe pas disa tentativave të ndërkombëtarëve për të ulur palët në bisedime, Rama dhe Basha pranuan të takoheshin në zyrën e Presidentit Nishani. Por takimi për tre orë në Presidencë, në vend t’i afronte palët, i ka çuar ato edhe më larg se sa ishin. Tani janë përballë në konflikt të hapur me popull pas tyre. Pra kacafytje dhe rrëmujë.

Nga bisedimet  dolën disa variante se çfarë palët kishin ofruar dhe nga çfarë nuk kishin hequr dorë. Në fund, Kryeministri Edi Rama në një komunikim me mediat, deklaroi se i kishte ofruar opozitës më shumë garanci për monitorimin e procesit zgjedhor. Në asnjë rast Kryeministri nuk përmendi gjëra konkrete. Ajo që Rama e cilësoi si ofertë të re për PD-në është “një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukturave të shtetit, policisë, drejtorive të arsimit, sistemit të burgjeve, ku janë dhe pikat e adresuara si problematike në raportet e mëparshme të ODIHR-it”. Ky qëndrim i Kryeministrit ishte shumë larg asaj që ka kërkuar Partia Demokratike.

Ndërkohë kreu i PD-së, Lulzim Basha në fjalimin e mbajtur në çadrën e PD-së përballë Kryeministrit u shfaq kërcënues dhe i ashpër si asnjëherë më parë. Basha deklaroi se jo vetëm nuk ka pasur diskutime për qeveri teknike, por se Kryeministri Edi Rama është tërhequr edhe nga pakti i arritur nga negociatori i PPE, Devid Mekallister. Në takimin me negocatorin e PPE ishte rënë dakord për 4 ministra teknikë, kreun e KQZ t’i kalonte PD-së, si dhe disa ndryshme të rëndësishme ligjore për garantimin e standardeve të zgjedhje. Dje, sipas Bashës as këto pika nuk ishin më në axhendën e kryeministrit Edi Rama. Në këtë situatë ku jo vetëm nuk flitet më për qeveri teknike, po as për disa poste dytësore që kanë të bëjnë më zgjedhjet, PD-ja duket se ka vetëm një rrugë; atë të protestave dhe mosbindjes civile.

Negociata dështuan. Lulzim Bashës i ka mbetur vetëm një shans momental; të niset drejt Kavajës për të treguar forcën e opozitës. Ky ishte dhe thelbi i fjalimit të ashpër dje në çadrën e PD-së. Basha u bëri thirrje gjithë demokratëve dhe qytetarëve që ditën e diel në orën 11:00 të jenë për të protestuar në Kavajë. Por pas 75 ditë protestash Kavaja nuk do të jetë një protestë e zakonshme edhe pse PD thotë se nuk do të përdor dhunë. Të gjitha zhvillimet e muajve të fundit dhe dështimi i negociatave nuk lanë vend për asnjë skenar tjetër, përveç përplasjes mes demokratëve, policisë dhe socialistëve që do të zhvillojnë zgjedhje pa kandidat të opozitës në Kavajë.

Tensioni dhe acarimi i situatës në Kavajë ka nisur të ndjehet prej kohësh. Ditët e fundit, Kavaja thuajse ka hyrë në shtetrrethim. Forca të RENEA ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Antiterrorit janë vendosur në disa pika të këtij qyteti për të monitoruar situatën. Ndërkohë, agjentë të SHISH prej kohësh janë në terren për përpunimin e informacioneve që kanë të bëjnë me tensionet apo përplasjen e militantëve. Ministria e Brendshme mësohet se ka dërguar rreth 2 mijë forca policore për të mbajtur nën kontroll situatën.

Protesta e së dielës nuk është nga ato që mund të mbahet nën kontroll me polici, pasi lideri i opozitës Bash aka deklaruar se nuk do lejohen votime ditën e dielë në Kavajë. Pra moslejimi për të bërë votime do të thotë se do të thyejnë kutitë e votimit me forcë. Do të thotë se policia do ndërhyjë. Do të thotë përplasje fizike.

Kavaja do vendosë ecurinë e politikës për krejt vitin 2017.

SHKARKO APP