Nëse kryeministri do ta rrëzojë Marrëveshjen e nënshkruar, ditë të zeza do të vijnë për Ramën

Ndërkombëtarët që negociuan marrëveshjen mes rilindjes dhe opozitës reale të vendit kanë humbur durimin me lojërat e kryeministrit Edi Rama për të sabotuar reformën zgjedhore. Partitë Popullore Europiane dhe Zyra e OSBE në Tiranë kanë kërkuar dje votimin e zbatimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të cilat palët ranë dakord në paktin e firmosur në ambasadën e SHBA më 5 qershor.

Fillimisht ishte zyra e OSBE në Tiranë, e cila në një takim me të ashtuquajturën opozitë parlamentare u bëri të ditur deputetëve të Kuvendit se çdo debat për ndryshim sistemi dhe hapje listash dhe ndalim koalicionesh, ligjërisht është i kotë. Sipas përfaqësuesit të OSBE-së, rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Venecias për Shqipërinë thonë qartë se çdo ide apo debat për ndryshim sistemi elektoral duhet të nisë jo më vonë se 1 vit para datë së zgjedhjeve. Zgjedhjet e ardhme do të jenë në pranverë dhe brenda më pak se 10 muajve nuk mund të bëhet asnjë eksperiment. Presidenca e OSBE drejtohet nga Edi Rama dhe zyra e OSBE në Tiranë ka qenë dashamirëse prej vitesh ndaj qeverisë së rilindjes. Por kërkesat e opozitës gjasme parlamentare, pas të cilave dihet se fshihet rilindja, e kanë trashur aq shumë zullumin sa Edi Ramën nuk e mbrojnë dot më as diplomatët që e kanë mbështetur dikur. Qendra e OSBE, që nuk varet nga Presidenca e radhës dhe që ka brenda saj ambasadorë të SHBA, Gjermanisë, Britanisë etj, duket se ka një qëndrim të qartë lidhur me atë që po ndodhë në Shqipëri me reformën zgjedhore. Ata kërkojnë miratimin e paktit të 5 qershorit mes partive kryesore politike dhe përgatitjen e vendit për zgjedhjet e ardhme. Lojërat me ndryshim sistemi dhe rrëzim koalicionesh nuk kanë qenë në rekomandimet e OSBE dhe as janë në projektet e ndërkombëtarëve, por vetëm në kokën e pak deputetëve që mendojnë sipas kërkesave të Rilindjes. Ndërsa OSBE sqaroi teknikisht se përse nuk mund të plotësohen kërkesat e çuditshme të opozitës gjasme parlamentare, Partitë Popullore Europiane dje kanë dalë me një qëndrim edhe më të fortë. Michael Gahler, eurodeputet dhe zëdhënës i Partive Popullore Europiane deklaroi dje se Parlamenti në Shqipëri duhet të miratojë sa më parë reformën zgjedhore të nënshkruar më 5 qershor.

Për të shmangur çdo keqkuptim me deputetët që janë sa për numër në Kuvend dhe kërkojnë ndryshim sistemi, Michael Gahler thekson se “çdo përpjekje e partisë në pushtet për ndryshime të njëanshme të tjera shkon kundër konsensusit të arritur”. Përfaqësuesi i PPE nuk ndalet vetëm te debati pa sens i reformës zgjedhore që po bën PS, por kërkon edhe vlerësimin e legjitimitetit të zgjedhjeve moniste të 30 qershorit 2019, si dhe ndëshkimin e vjedhjes së votave. Të gjitha këto kërkesa janë çështje që lidhen me 15 kushtet e BE dhe pa plotësimin e tyre Shqipëria rrezikon të ngelë dhe njëherë tjetër në klasë. Deklarata e OSBE dhe PPE janë bërë dje vetëm pak orë para se Edi Rama të takohej me ata që quhen opozitë parlamentare. Takimi i kreut të qeverisë është pjesë e lojës për të minuar konsensusin e 5 qershorit me forcat kryesore politike. Kryeministri po shfrytëzon opozitën false të Kuvendit për të realizuar manipulimin e zgjedhjeve të radhës. Kërkesat e tyre për ndalim koalicionesh, lista të hapura etj, janë pikërisht ato që i duhen Edi Ramës. Ato që nuk i mori dot në negociatat e drejtuara nga Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, kryeministri Rama po tenton ti marrë me vota ilegjitime dhe deputetë pa identitet në parlament. Pikërisht ndaj kësaj skeme të rrezikshme rilindase, ndërkombëtarët reaguan dje duke kërkuar heqjen dorë nga lojërat dhe sabotimi i reformës prej mazhorancës.

Edhe mbrëmë kryeministri pas takimit me opozitën parlamentare tha se gjoja duhen marrë parasysh edhe propozimet e deputetëve në Kuvend, sepse tashmë jemi sistem tre polar, sipas tij. Nëse kryeministri do ta rrëzojë Marrëveshjen e nënshkruar do vijnë ditë të zeza për të nga ndërkombëtarët.

 

 

 

SHKARKO APP