Sot bllokimi i rrugëve/Rama: Do arrestojmë! Basha: Nuk guxon dot!
Protesta e parë, kokë për kokë, e Lulzim Bashës si lider opozite është sot nga ora 11.00- 12.00. Eshtë provë se sa mbështetës ka ai qëkur mori PD-në dhe sidomos pas çadrës, ku duhet pranuar se është faktorizuar si lider absolut i së djathtës. Por deri tani Basha nuk është përballur në rrugë ballë për ballë me Edi Ramën dhe policinë e shtetit. Deri tani ka bërë protesta me fjalë dhe jo duke u përballur me policinë siç do përballet nesër, pasi sipas kryeministrit Rama do të arrestohet nesër kushdo që guxon të bllokojë rrugët.
Edi Rama tha në “Komunikimin e javës” se ” A ia vlen të përfundosh në bankën e të akuzuarit për politikanët dhe gjykatësit e korruptuar?” Me këtë pyetje iu drejtua Edi Rama të gjithë atyre që do t’i bashkohen të hënën protestës së Partisë Demokratike, duke bllokuar rrugët për 1 orë gjatë paradites. Komunikimi Javor nga Facebook i kryeministrit ka qenë një mesazh i qartë se të gjithë ata që do të bllokojnë rrugët do të arrestohen. “Secili mban përgjegjësi për vete” u shpreh kreu i Partisë Socialiste duke siguruar se policia do të zbatojë ligjin dhe se qytetarët janë manipuluar nga opozita. Qëllimi i protestës sipas Ramës është bllokimi i rrugës së integrimit në Bashkimin Europian nga ata që nuk duan vetingun dhe drejtësinë që sjell vetingu.
Pra kryeministri paralajmëroi egër dhe policia e shtetit ka marrë masa për arrestime kushdo qoftë, i cili bllokon rrugët. Ndërsa Lulzim Basha doli me pas me një ton sfidues duke pohuar se protesta do zhvillohet pasi është një e drejtë e popullit përballë një qeverie kriminale. Dhe shtoi se nuk mund te guxojë asnjë polic të arrestojë apo dhunojë protestuesit, pasi do përgjigjen para ligjit.
Mësohet se deputetët e caktuar nga selia blu për të qenë në krye të bllokimit të rrugëve nëpër Shqipëri dhe sidomos në Tiranë janë deputetë “lufte”. Nga burime te selisë blu mësohet se janë marrë masa për bllokime me kamiona me zhavorr dhe gurë, ndonëse policia do të kontrollojë çdo kamion. Mbetet që barrikada njërëzore të jetë faktor vendimtar nesër për suksesin e protestës së opozitës.
Do shikohet ndeshja “stërvitore” mes Bashës dhe Ramës para datës 7 maj ku do jetë “finalja”.