Beteja e Unazës së Re, triumfi apo fundi i kryeministrit Rama?

-Basha deklaron se janë 30 milionë euro vjedhje e pastër nga shuma e projektit të 40 milionë euro te Unaza e Re. Mbetet të shikohet se sa do ta mobilizojë popullin opozitar në këtë çështje jetike. Nëse fiton Rama, atëhere ai del para popullit me imazhin e një njeriu që nuk pyet askënd, duke e kthyer opozitën në një front që premton, por që tërhiqet në fund.

Banorët e Unazës së Re kanë hyrë dje në ditën e 27 të protestës kundër shembjes së banesave të tyre nga qeveria. Në gati një muaj ata kanë zhvilluar rreth 60 protesta, ku më i ashpri, me të plagosur dhe të lënduar, ishte ai përballë sallës së Parlamentit. Gjatë kësaj kohe rreth 130 banorë janë shoqëruar në polici dhe ndaj pjesës më të madhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë. Në burg janë katër prej tyre, mes të cilëve dhe 18-vjeçari Daniel Dobraj që akuzohet se plagosi me kapsollë policen Ina Nuka. Një raport i Avokatit të Popullit, i vetmi institucion që në këtë sherr mes policisë dhe banorëve është i paanshëm, fliste për dhunë dhe rrahje të të ndaluarve në komisariate. Ndërkohë Policia e Shtetit në njoftimet që ka dhënë për gjithë protestat ka deklaruar se veç polices Ina janë lënduar me plagë të lehta dhe 12 oficerë policie gjatë protestave. Por qeveria nuk përmend dhunën e tmerrshme që ajo kryen ndaj këtyre banorëve.

Shifrat për gati 1 muaj protesta dhe përplasje ngjajnë si bilanc i një lufte frontale mes pronarëve të banesave të Unaza e Re dhe pushtetit të Edi Ramës. Deri më sot është një betejë që ende nuk ka një fitues. Qeveria, Bashkia dhe ARRSH duken të vendosura për të mos hequr dorë nga ky projekt ku janë pas 40 milionë euro investim e ku sipas Bashës, 30 milionë euro janë vjedhje e hapur. Ndërkohë banorët, si në asnjë protestë tjetër të ngjashme, janë më të vendosur se kurrë për të mos u dorëzuar. Megjithë presionet, joshjet e pushtetit dhe provokimet, deri dje në mbrëmje përsërisnin parullat e njohura: “Vetëm të vdekur dalim nga shtëpitë”.

Kjo është Luftë. Luftë për të ruajtur shtëpinë tënde, të cilën e ke ndërtuar me halle gjithë jetën. Është revolta e qytetarëve që nëse dorëzohen, humbasin gjithë pasuritë që kanë vendosur me halle në këto 28 vite. Ndërkohë shumë prej tyre i kanë ndërtuar aty shtëpitë, edhe kur nuk kishte Unazë të Re. Oferta që u ka bërë qeveria për qera 3 vjeçare në banesa sociale është një variant që jo vetëm nuk e kanë marrë parasysh, por e shohin si fyerje për vlerën reale që kanë pronat e tyre. Realisht kanë një jetë të tërë që kanë ndërtuar e punuar aty, ndaj duhet që qeveria ti dëmshpërblejë 100 % të vlerës së banesave të tyre me vlerën e tregut të sotëm.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama pas shmangies së ditëve të para, tashmë e ka kthyer në një çështje personale shembjen e banesave të qytetarëve në Unazën e Re dhe shuarjen e protestës. Fillimisht e nisi si një aksion për zgjerimin e unazës së Tiranës, se ishin në xhepa zyrtarësh mbi 20 milionë euro, por pas qëndresës së pronarëve u detyrua të kalojë në sulme ndaj banorëve me qëllim izolimin dhe frenimin e një proteste më të madhe mbarëqytetare. Më pas në lojë hyri opozita dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili prej disa javësh shkon çdo ditë në protestën që zhvillohet në mbrëmje.

Historia që nisi vetëm si çështje e disa ndërtimeve me apo pa leje që do të shemben ka nxjerr në pah çdo ditë dyshime të forta për abuzime të mëdha me projektin dhe vetë banorët. Opozita lëshoi alarmin se zgjerimi i Unazës së Re do të kushtojë më shumë se çdo vepër tjetër publike në vend. Konkretisht një kilometër rrugë, nga gjithsej 2.2 kilometra që ka projekti, do të arrijë në çmimin rekord te 20 milionë euro. Një shifër që asnjë inxhinier profesionist nuk ka arritur do ta justifikojë, megjithë interesave që mund të kenë ndaj qeverisë “Rama”. Sipas opozitës, tenderat për ndarjen e këtyre parave janë kryer në mënyrën më të paligjshme të mundshme. Fituese janë firma që janë penalizuar më parë nga qeveria për shkelje të ligjit dhe si rregull nuk mund të ishin futur në garë. Po ashtu, në tender janë futur firma në mënyrë fiktive që kanë paraqitur ofertë me zero lekë, por vetëm që të shpalleshin fitues firmat që janë përcaktuar nga qeveria. Akuzat e PD, LSI dhe Lulzim Bashës shkojnë edhe më tej, kur deklarojnë se 20 milionë euro që do të vidhen nga ky tender janë direkt për “xhepat e kryeministrit Edi Rama”.

Këto akuza, që përfshijnë direkt kryeministrin, kanë bërë që Rama të vendoset në krye të operacionit qeveritar për të shembur banesat dhe për të ndërtuar Unazën e Re me shumën 40 milionë euro. Është një bast që kreu i qeverisë e ka vendosur kundër banorëve, por tashmë edhe kundër opozitës, e cila e akuzon Ramën si “përfituesin e 20 milionë eurove”. Tërheqja nga projekti do t’i jepte të drejtë Lulzim Bashës kur thotë se “ky është tenderi i hajdutit të Surrelit”. Ndërkohë vazhdimi me kokëfortësi i idesë për të shembur shtëpitë dhe për të mos negociuar me banorët po i krijon jo pak kosto qeverisë së Edi Ramës. Dhuna dhe burgosja e banorëve, problematikat me tenderin dhe shkelja e hapur e ligjeve nga policia janë ngjarje që po tregojnë një fytyrë tjetër të mazhorancës që deklaronte se do të “bashkëqeveriste me popullin’.

Beteja ende nuk ka përfunduar dhe kryeministri po pret që opozita të lodhet me këtë kauzë dhe ta lërë në mes, siç ka ndodhur shpesh me Bashën e PD-në gjatë këtyre vite. Gjithsesi nga mënyra sesi do të reagojnë banorët dhe opozita do të varet nëse Unaza e Re do të jetë triumfi apo fundi i Ramës.

Lulzim Basha e ka si barometër se sa i qëndron premtimeve të tij, sidomos në rastin e Unazës së re, ku shumë familje dalin në rrugë të madhe dhe e kanë opozitën si shpresën e tyre për ti mbrojtur nga qeveria.

Basha deklaron se janë 30 milionë euro vjedhje nga shuma 40 milionë euro te Unaza e Re. Mbetet të shikohet se sa do ta mobilizojë popullin opozitar në këtë çështje jetike. Nëse fiton Rama, atëhere ai del para popullit me imazhin e një njeriu që nuk pyet askënd, duke e kthyer opozitën në një front që premton por që tërhiqet në fund.

Gjasat duken se do të fitojë kryeministri, pasi edhe disa deklarata të fundit të liderit opozitar Lulzim Basha se “po përgatitemi të futemi në zgjedhjet vendore me kandidatët me të mirë dhe ti fitojmë ato”, ndërkohë që ka thënë troç se me “Edi Ramën si kryeministër nuk hyjmë në zgjedhjet vendore”; tregojnë se ka një thyerje të tij para presionit qeveritar.

Lulzim Basha po hyri në zgjedhjet vendore me Edi Ramën kryeministër ka humbur besimin e elektoratit të tij dhe ka të sigurtë humbjen para krimit qeveritar dhe mafies e cila do jetë krah për kreh me qeverinë për ti blerë votat ne qershor 2019.

Megjithatë Unaza e Re dhe Zgjedhjet do jenë tregues final se sa i vendosur është Lulzim Basha.

Të presim!

 

 

SHKARKO APP