Nesër, PS dhe PD rrethojnë Kuvendin

-Partitë politike kanë përgatitur militantët, nën emrin e “shoqërisë civile”, që ditën e enjte të jenë në protestë para sallës ku zhvillon punimet Parlamenti.  

-Mos rrezikoni njërëzit në përplasje për interesat tuaja, të nderuar politikanë !

Negociata dhe presion. Këto janë dy mënyrat sesi palët po përpiqen të arrijnë kalimin e reformës në drejtësi me datën 21 korrik. Takimet dhe deklaratat mes drejtuesve të partive politike dje kanë qenë më intensive se kurrë. Të gjithë flasin për gjetjen e konsensusit, megjithatë realisht produkt real nuk ka deri mbrëmë vonë.

 Përderisa negociatat po zhvillohen në terr të plotë informativ, të vetmet pika reference janë qëndrimet e krerëve të partive. Por këto qëndrime në vend të afrimit të palëve shpërbejnë më shumë për karikim polik të militantëve dhe për të treguar me gisht kundërshtarin si fajtor. Ndaj duhet që negociatat të jenë transmetim direkt në televizione që populli të shikojë dhe gjykojë se kush nuk e do realisht reformën në drejtësi. Ndaj edhe Ilir Meta kërkoi dje pushimin e deklaratave politike populiste dhe uljen bashkërisht për gjetjen e konsensusit , pasi pak gjëra kanë mbetur për të rënë dakort.

Kryeministri Edi Rama tha dje se propozimi i PD-së nuk pranohet nga ndërkombëtarët dhe të enjten koalicioni PS-LSI do votojë pro reformës me shpresë së një grup i deputetëve të PD-së nuk do t’i bindet Bashës. Deputeti i PD-së Eduard Selami e deklaroi votën proReformës. Vetë Basha akuzoi Edi Rama si bllokues të reformës dhe ideatorin e një komploti që po çon në dështimin e konsensusit. Të dy kampet po kujdesen që të fajësojnë njëri-tjetrin se kush do të mbajë peshën e dështimit dhe jo për gjetjen e dialogut. I vetmi që ka qenë më i interesuar për votimin e reformës me konsensus dhe sipas propozimit të Ndihmës Sekretares së SHBA, Viktoria Nuland dhe BE dje ka qënë Ilir Meta.

Por ndërsa kërkohet dialog dhe rasti më i mirë është që 21 korriku të jetë një votim konsensual mbarëpartik, dy partitë kryesore kanë  përgatitur dje dhe një plan rezervë që vetëm me konsensusin nuk ka lidhje.

Kryeministri Edi Rama e ka deklaruar publikisht se në negociata shkon me dy fjalime, një për suksesin dhe një për dështimin. Edhe në këtë rast ka dy skema, një për votimin konsensual me PD dhe një për votimin pa konsensus. Dhe votimi pa konsensus nënkupton blerje votash nga PD, por edhe presionin e hapur. Strukturat e Partisë Socialiste janë organizuar ditët e fundit që në 21 korrik të zhvillojnë një protestë masive para Kuvendit, në kohën që do të zhvillohet seanca. Protesta është kamufluar si një lëvizje qytetare e organizatave të shoqërisë civile. Por me që organizatat e shoqërisë civile që kontrollohen dhe financohen nga qeveria nuk mbledhin dot më shumë se 30 veta në shesh, radhët e protestës do të mbushen me të rinj të FRESSH dhe anëtarë të strukturave partiake të Partisë Socialiste. Dje kryeministri Edi Rama zhvilloi një drekë pune me kryetarët e PS-së në rrethe. Zyrtarisht u tha se qëllimi i takimit ishte informimi i bazës mbi reformën në drejtësi! Në fakt, qëllimi i takimit kishte të bënte me mbledhjen e njerëzve nga rrethet  që të vijnë në Tiranë më datën 21 korrik për të rrethuar parlamentin. Kryetarët u udhëzuan të hartojnë listat e protestuesve të PS-së që do të vijnë nga Tirana, ku pjesa kryesore do të jetë me njerëz të administratës dhe të rinjtë  të  FRESSH. Qëllimi i protestës është presoni ndaj deputetëve demokratë që të votojnë, pro reformës. Nëse ajo kalon pa votimin e PD-së zyrtare me një turmë me mijëra qytetarë para Kuvendit, Kryeministri Rama do të deklaroj se reforma kaloi pa konsensus politik, por ka mbështetjen e shumicës së qytetarëve. Dhe është menduar që Edi Rama të dalë para turmës socialiste.

Këto ditë ka pasur disa protesta sporadike të disa shoqatave para Kuvendit. Dje protestuesve iu bashkua dhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, duke shprehur qëndrimin e tij për votimin e reformës.

Por kjo lëvizje populiste e Partisë Socialiste pritet të ketë dhe një kundërreagim nga Partia Demokratike. Burime nga selia blu thonë se një presion i tillë i hapur me turma mund të agravojë situatën menjëherë pas votimit të njëanshëm të reformës. Për këtë qëllim edhe nga PD-ja janë marrë masa që të mos gjenden të papërgatitur. Si kundërpërgjigje selia blu do të thërrasë militantët e saj që të protestojnë nesër para parlamentit në emër të konsensusit për reformën në drejtësi. Në këtë pikë, me sherrin që do të zhvillohet brenda Kuvendit, nuk dihet sesi do të shkojë fati i dy protestave paralele para Kuvendit. Mundësia e përplasjes mund të jetë më e madhe se çdo herë. Ndaj ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mobilizuar forcat speciale të Republikës të jenë të  vendosura në Tiranë , diku afër Kuvendit. Po kështu nga sonte mijëra policë do të vijnë nga komisariatet e rretheve drejt Tiranës.

Rreziku i konfrontimit të popullit mund të jetë i madh, nëse PS dhe PD nuk bien dakort për atë “dreq neni” ku PS-ja tërheq nga vetja dhe PD-ja nga ana e saj. Duhet patjetër të ulen PS-LSI-PD e të gjejnë mirëkuptimin e madh. Ndryshe përplasja do të jetë e pakthyeshme.

Këtë zhvillim të ngjarjeve e ka përforcuar dhe një njoftim i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, ku u bënte thirrje qytetasve të saj që të shmangnin çdo protestë që mund të bëhet para ose pas votimit.

Varianti i përplasjes është më afër se kurrë. Mbetet që orët e fundit që kanë ngelur për konsensus të prodhojnë një marrëveshje mes palëve. Në të kundërt tensioni që ka prodhuar reforma mund të shpërthejë.

Mos e shkatërroni me shumë këtë popull, të nderuar politikanë! Gjejeni gjuhën e mirëkuptimit ! 

Spiten Prulli

Ambasada e SHBA mesazh për qytetarët amerikanë

“Kujdes ditën e reformës, mund të ketë protesta”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar pasditen e kësaj të marte, vetëm dy ditë përpara miratimit të reformës në drejtësi gjatë seancës plenare të së enjtes, shtetasit amerikanë në vendin tonë të tregohen të kujdesshëm dhe vigjilentë për çdo rast rreziku, si dhe të shmangin demonstratat apo tubime të ndryshe që mund të mbahen përpara apo pas votimit në Kuvend. “ Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon qytetarët amerikane se Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë mbi çështjen e reformës gjyqësore në 21 korrik. Ambasada nuk është në dijeni për ndonjë kërcënim të veçantë kundër qytetarëve apo interesave të SHBA-së. Megjithatë, qytetarët amerikane duhet të jene vigjilente për të shmangur çdo proteste apo tubim që mund të ndodh gjate procesit te votimit te reformës dhe pas saj”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.

SHKARKO APP