Nga Lungomare, në lungopare! Pse hesht Basha për 13 milionë eurot?

Shëtitorja e re e Vlorës që Edi Rama e pagëzoi me emrin italian Lungomare mund të jetë projekti më i kushtueshëm në historinë e Shqipërisë. Për 3 kilometra katrorë, taksapaguesit shqiptarë kanë derdhur nga xhepat e tyre rreth 30 milionë euro. Shifra astronomike ka brenda saj faturën e rreth 16 milionë euro për punimet që zgjatën katër vjet dhe gjobën rreth 14 milionë euro që Gjykata e Strasburgut i vendosi qeverisë shqiptare për hedhjen në erë të pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës, të ndërtuar në këtë zonë. Mesatarisht për 1 kilometër janë dhënë rreth 10 milionë euro. Është projekti që me të drejtë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-ministri Ylli Manjani e kanë cilësuar jo si Lungomare, por Lungopare. Shëtitorja sigurisht që është realizuar bukur, por me 30 milionë euro vlonjatët duhet të kishin një rrugë që trotuaret të mos kishte me beton, por vetëm me pllaka floriri.

Lungomarja e shtruar me para është nga ato raste ku në një vend mblidhen bashkë abuzimet e disa qeverive. Si fillim janë shkeljet me lejet dhe ndërtimin e një pallati gjatë qeverisjes së Berishës, por në fund objekti ishte me hipotekë dhe i ligjshëm. Më pas vjen arroganca dhe modeli i qeverisjes me tritol të Edi Ramës. Për të dyja gabimet fatura rëndon në xhepat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa Edi Rama dhe indirekt Lulzim Basha me njeri-tjetrin duket se janë në rregull. Rama, sipas tij, bëri shtet në vitin 2013 dhe u tregoi dhëmbët atyre që ndërtonin duke u prishur pronat dhe pallatet me tritol edhe kur ishin me letrat në rregull. Ndërkohë sot është i detyruar të respektojë ligjet e Strasburgut dhe t’i jap vjehrrit të Lulzim Bashës 13 milionë euro për pronën që i prishi me tritol.

Për kryeministrin Rama kostoja e gjithë katrahurës që bëri me tritol duke shkelur ligjet në Vlorë, është financiare. Madje duket sikur këto para po i jep me qejf për të rregulluar një gabim të bërë në vitin 2013. Asnjë reagim nuk duket në publik nga Edi Rama dhe Avokatja e Shtetit për paratë e humbura në procesin e Strasburgut, përveç Taulant Ballës që gjeti fajin të Avokatja e Popullit. Ndërsa për Bashën kjo që po ndodh këto ditë me llogarinë e majme bankare të vjehrrit të tij ka kosto edhe politike. Ironikisht gabimet e qeverisjes së Ramës po kthehen në të ardhura për familjarët e Bashës. Por janë edhe një sërë rrethanash për Pallatin e Vlorës që mediat afër Ramës po ja kujtojnë këto ditë si rastësisht Bashës dhe që ngrenë jo pak hamendje. Vendimi për dëmshpërblimin sipas ligjeve shqiptare të objektit në Vlorë u dha pak ditë pasi ishte arritur marrëveshja e famshme e 18 majit. Fakti që qeveria e pranoi fajin me shkrim duke i dëmshpërblyer, ishte një provë e fortë në Strasburg për vjehrrin e Bashës.

Më pas procesi në Gjykatën e Stazburgut solli vetëm rritjen e faturës dhe vendimin përfundimtar. Pavarësisht argumenteve juridike që janë të ndryshme gjatë  viteve, vendimi i majit 2017 duket se është marrë nën klimën politike që prodhoi pakti PS-PD. Ndërsa vendimi i dëmshpërblimit final vjen pikërisht disa ditë para së Basha të protestojë kundër shtetit antiligjor të Edi Ramës përballë Kryeministrisë.

Edi Rama mezi pret ti firmos publikisht çekun prej 14 milion euro familjes së Lulzim Bashës, pasi e para është se nuk i paguan nga xhepi i tij, por nga buxheti i shtetit, pra nga taksat e shqiptarëve. E dyta do ta luajë politikisht mjaft bukur, në favor të tij, momentin kur do të firmos çekun dhe t’ia japë 14 milionë eurot vjehrrit të Lulzim Bashës, duke e bërë të dyshimtë si lider ndër radhët e protestuesve.

Pavarësisht se paguan shteti, përsëri Edi Rama dhe Lulzim Basha dalin të fituar. Kryeministri do ta përdorë rastin duke i dhënë çekun, dhe kryetari i PD-së duke ndjerë erën e 14 milionë eurove.

Qamil Xhani

SHKARKO APP