Ngjashmëria historike, fatkeqe; dhjetor 1996, dhjetor 2017
-Ish-presidenti i 3-të i SHBA Thomas Jefferson, ka thënë: “Rreziku më i madh për lirinë amerikane është kur qeveria shkel Kushtetutën”.
-Dje gjak, dhunë dhe kaos politik në Tiranë. Opozita protestoi furishëm, në një përballje si 21 vite më parë në sallën e Kuvendit, por rolet janë ndërruar; atëherë ishte PS kundër PD në luftë. Sot PD-LSI kundër PS-së.
Dje Shqipëria dhe bota shikoi se ç’po ndodh realisht në Shqipëri. Mediat ndërkombëtare jepnin lajme nga Shqipëria. E kishin harruar prej disa kohësh Shqipërinë. Pothuajse identik si në dhjetor 1996. Edhe në atë fundviti filluan protestat e para dhe rrëmuja. Ishin piramidat që po binin nga pushteti i PD-së. Si për dreq, në numrin e fundvitit 1996 Ben Blushi, asokohe kryeredaktor i “Koha Jone”, bëri një titull: “Lamtumirë Vit i mbrapshtë ‘96”, por ‘97-ta doli më i mbrapshtë se parashikimi.
Edhe dje ajo çka bëri PS-ja, tashmë në role të kundërta me PD-në e dikurshme, duket si një rikthim në atë fundviti, por në një dhjetor digjital. Por sot nuk ka piramida nga pushteti, por ka drogë, mafie, ka media të korruptuara me shumicë, ka oligarki, ka marrje të gjitha pushtetëve nga kryeministri. Edhe viti 1996 para se të fillonte stuhia kishte një ambasadore amerikane e cila nuk fliste keq për qeverinë, derisa qeveria vodhi zgjedhjet e 26 majit 1996. Kur filloi rrokullisja e vendit dhe e pushtetit edhe ambasadorja amerikane sulmoi qeverinë dhe Presidentin Berisha. Asokohe Presidenti kishte kompetenca kushtetuese të gjithëpushtetshme e jo si sot, që këto pushtete i ka marrë krejtësisht Kryeministri.
Edhe në dhjetor ‘96 pushtetarët dhe ofiqarët shikonin me mëri çdo kritikë ndaj tyre. Përdorën vjedhjen e votave me banda të SHIK-ut, rrahën opozitën, gjakosen rininë, siç ndodhi dje në disa raste, por sidomos me të rinjtë e LRI.
Më pas filloi janari 1997. Protesta pa ndalim, dhunë, gjakosje, përplasje me policinë, destabilitet, mosqeverisje dhe dihet tashmë se ç’ndodhi atë të vit të mbrapshtë.
Dikush mund të thotë se ishin kohë dhe motive të tjera, atëhere. Po, por edhe sot kur preket Kushtetuta, atje përfundon, tek dhuna. Ish-presidenti i 3-të i SHBA Thomas Jefferson, ka thënë: Rreziku më i madh për lirinë amerikane është kur qeveria shkel Kushtetutën”. E di mirë këtë thënie edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.
Ndaj është një thirrje njerëzore, publike dhe pa asnjë interes: Kryeministri dhe mazhoranca të kërkojë falje për çka po bën në raport me disa shkelje të forta kushtetuese dhe të zhbëjë atë çfarë bëri dje; të institucionalizojnë reformën në drejtësi në bashkëpunim me opozitën dhe të lejojnë të punojë shteti ligjor. Më pas drejtësia, e drejtë dhe e pakapur, le të arrestojë të gjithë, nëse ka fakte, dhe le ta bëjë burgun në Reç të Shkodrës, vetëm për politikanë VIP. Sirena policie, gjyqe dhe pranga- le të veprojë drejtësia. Por jo drejtësi e blerë apo e manipuluar.
Ndryshe, siç duket nga deklaratat e PD-LSI dhe krejt forcave opozitare, do kemi një janar të ftohtë si mot, por të zjarrtë si përleshje pushtet-opozitë. Edhe kur filloi në fundvitin 1996, me gjak e rrahje ndaj deputetëve vazhdoi dhe përfundoi siç e dimë të gjithë.
Në emër të fëmijëve, nënave, të njerëzve të thjeshtë ju bëjmë thirrje që kryeministri dhe PS-ja të ulen urgjent me opozitën dhe të zhbëjnë çfarë bënë dje, si hap i parë i një Paqe të Madhe.
Le ta zgjedhin KLP (Këshillin e Lartë të Prokurorisë) siç e parashikon reforma në drejtësi dhe ligji, aq më tepër kur dje Gramoz Ruçi njoftoi se Avokati i Popullit ka sjellë tre kandidaturat e ku përzgjidhet njëra për në KLP. Le ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm KLP-ja, por jo të përkohshëm, dhe të mos bëhet siç bëri dje PS-ja.
Nëse doni stabilitet dhe progres për këtë vend duhet të ndërhyjë dikush, një palë e tretë.Tani, pasi janari është shumë vonë. Po filloi nuk ndalon më!
Spiten Prulli