Nis sherri në PD për Dibrën. Selami: 4 humbje dhe s’është bërë asnjë analizë

Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike këtë të mërkurë ka pasur  temë kryesore humbjen e opozitës. Rezultati i dobët që mori PD-ja në Dibër ka bërë që ndaj kreut të partisë të nisin dhe kritika e para.

Më i ashpër ka qenë deputeti Eduard Selami. Burime nga mbledhja e grupit bëjnë të ditur se Selami ka kërkuar mbledhjen e forumeve drejtuese për të diskutuar rezultatet e dobëta dhe përgatitjen për zgjedhje e vitit 2017.

Selami ka kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit Kombëtar të kësaj partie për të diskutuar lidershipin e Partisë Demokratike. “Partia Demokratike nuk është pronë personale e Lulzim Bashës por një pasuri kombëtare. Katër humbje radhazi dhe nuk është bërë asnjë analizë serioze. Duhet bërë analizë e pastër për humbjet”,- mësohet të jetë shprehur Selami.

Deputeti ka qenë kritik ndaj lidershipit të Bashës dhe frymës që ka sot opozita. Sipas tij, humbja nuk shpjegohet vetëm me blerjen e votave. Selami e ka konsideruar si dëmtues për PD edhe flirtimin me LSI-në.

Deputetja Majlinda Bregu ka kërkuar që gjërat në parti të diskutohen hapur. Mësohet se Bregu është shprehur se duhet shmangur çdo konfuzion që ekziston te opozita.

“Duhet të flasim hapur me njëri-tjetrin. Të flasim hapur se jemi në konfuzion total. Nuk mund t’i largohemi përgjegjësive. A e di Z. Kryetar që degët tona janë në bjerrje totale? Kanë tre vjet që bëjnë vetëm zgjedhje. Janë të përçarë, të pamotivuar. ..Si ka mundësi që nuk shtuam asnjë votë dhe i mori të gjitha Rama. Si ka mundësi që gjithë ai përqëndrim atje nuk shtoi asnjë votë. Nuk bëhet dasma me krushq. Krushqit përcillen me gëzim. Do të vazhdojmë të themi na vranë, na hodhën na blenë. Ky është fatalizëm”,- është shprehur Bregu.

Zgjedhjet në Dibër/Debati i plotë në PD

SHKARKO APP