Nisën sot 13 të martat e Shna Ndout, udhëtimi i shpirtit drejt mrekullisë së besimit
Nga Albert Vataj
Nisen sot 13 martat e Shna Ndout, dhe bashkë me to hapet një udhë që nuk është thjesht kalendar apo numër, ditë jave apo urdhërim, por një thirrje që zbret nga lartësitë e misterit dhe troket në ndërgjegjen e njeriut si një dritë që kërkon të pranohet.

Në këto ditë, shpirti i besimtarit nuk thirret vetëm të vijë, por të zgjohet, të bëhet pjesë e misterit të jetës shpërblim që zbret nga qielli me duart e zgjatura të mrekullisë.
Mijëra njerëz, nga të gjitha anët e shqiptarisë dhe përtej saj, i janë drejtuar Kishë së Shna Ndout në Laç, jo si një destinacioni të zakonshëm, por si një pragu ku toka dhe qielli preken në një përkulje të përbashkët, në një lutje që zgjohet thellë brenda nesh si një thirrje për pranim. Ngjitja drejt saj nuk është vetëm fizike, është një përpjekje e brendshme për të lënë pas rëndesat e përditshmërisë dhe për të hyrë në një hapësirë ku çdo hap bëhet lutje, çdo frymëmarrje bëhet kërkim, çdo heshtje bëhet përgjigje.

Aty, mbi gurët e shkelur nga besimi i brezave, ndizet një dritë që nuk është vetëm e qirinjve, por e një përjetimi të brendshëm që kërkon të ndriçojë atë që shpesh mbetet në errësirë brenda nesh.
Trembëdhjetë të martat e Shën Antoni i Padovës nuk janë thjesht një traditë e trashëguar. Ato janë një itinerar i heshtur i shpirtit, një shkollë e përulur e kthimit tek vetja përmes Hyjnores. Çdo e martë është një hap drejt një përgatitjeje që kulmon më 13 qershor, ditën kur kujtohet kalimi në amshim i Shenjtit, një datë që nuk shënon fundin, por përjetësinë e ndërmjetësimit të tij.
Numri 13, i mbushur me simbolikë, nuk është vetëm kujtesë historike e vitit 1231, është një kod i mrekullisë që përsëritet për këdo që vjen me zemër të hapur. Sepse besimi, në thelb, nuk është një kërkesë për të parë mrekulli, por një gatishmëri për t’i njohur ato aty ku ndodhin, në shërimin e një shpirti, në pajtimin e një zemre, në kthimin e një njeriu tek drita.

Ky cikël nis 13 javë përpara festës së Shenjtit, dhe dita e martë mbart kujtesën e varrimit të tij në Padovë, një ditë që, sipas traditës, u shndërrua menjëherë në një shpërthim të mrekullive mbi varrin e tij. Që atëherë, koha nuk ka bërë tjetër veçse ka zgjeruar këtë jehonë, duke e kthyer në një ritëm të besimit që vazhdon të pulsojë.
Por ajo që e bën këtë pelegrinazh të gjallë nuk është vetëm historia, është prania. Është mënyra si çdo besimtar, në përulësinë e tij, bëhet vetë një tempull i përkohshëm i Hyjnores. Është mënyra si ecja, lodhja, heshtja dhe lutja shkrihen në një përvojë të vetme, ku njeriu nuk kërkon më vetëm të marrë, por të transformohet.

Në këtë kuptim, 13 të martat janë një “shkollë shenjtërie”, një ushtrim i vazhdueshëm i ndërgjegjes për të riformatuar raportin me veten, me tjetrin dhe me Zotin. Shumë prej besimtarëve zgjedhin agjërimin, ecjen në këmbë, sakrificën, jo si qëllim në vetvete, por si një mënyrë për të çliruar shpirtin nga pesha e egoizmit dhe për ta bërë atë më të aftë për të pranuar hirin.
Sepse për të arritur tek mrekullia, njeriu duhet së pari të zbrazet nga vetja.

Shën Antoni i Padovës, i njohur si Shenjti i mrekullive dhe pajtori i gjërave të humbura, nuk është vetëm një figurë ndërmjetësuese; ai është një kujtesë se asgjë nuk humbet përfundimisht kur kërkohet me besim, as shpresa, as paqja, as kuptimi. Lutjet që ngrihen gjatë këtyre të martave janë të mbushura me dhimbje dhe shpresë, me kërkesa tokësore dhe etje qiellore: për shëndet, për familje, për dritë në vendimet e vështira, për paqe në shpirt.Dhe çdo e martë bëhet një pasqyrë e një virtyti të Shenjtit, varfëria e tij si liri, dashuria për të varfrit si drejtësi, dija si shërbim, fjala si dritë. Në thelbin e tyre më të thellë, këto 13 të Marta nuk janë një ritual, ato janë një besëlidhje. Një marrëveshje e heshtur mes njeriut dhe Hyjnores: besimtari premton besnikëri në lutje dhe përulësi në shpirt, ndërsa Shenjti bëhet ai që troket në dyert e Mëshirës për të.

Është një kohë kur njeriu nuk flet shumë, por dëgjon më thellë, zgjohet, vjen nga ikja, rikthehet nga arratisja pas sëmbimeve të njerëzores, lëndimeve dhe lëngimeve që e pasurojnë dhe varfëroj njeriun, i cili gjen shpëtim vetëm në përulje dhe në besim.
Kur nuk kërkon vetëm përgjigje, por bëhet vetë përgjigje, je vetë ai zbulim që bën në veten tënde, ajo dritë, me të cilën mbushesh, duke dalë nga errësira dhe hedhur në dritën e mrekullimit.
Vijnë në këto 13 të Marta, në këtë heshtje që mbart lutjen, në këtë ecje që bëhet përulje, në këtë dritë që ndizet si shenjë e pranimit, ndodh ajo që besimi e quan mrekulli. Kthimi i njeriut tek vetja e tij më e pastër, aty ku Zoti nuk është më një kërkim, por një prani.

Zoti përmes devocionit të Shna Ndout dhe përkushtimit të të gjithë atyre që ngjitën në lartësinë ku tempulli i shpirtit të shenjtë bëhet portë kah mrekullia.
Ij edhe ti thirrje në këtë zgjim, ardhje te ky pragshpërblimi.
KOHA JONË SONDAZH

