Nishani a do të shkrijë parlamentin?

Pasi ambasadori amerikan Donald Lu ngriti tonet dje, aq sa palët politike arritën konsensusin për mjaft pika të reformës në drejtësi dhe kur mësohet se Byroja Kombëtar e Hetimit do të jetë një organ që nuk do të varet nga Prokuroria e Përgjithshme sikurse ka kërkuar opozita, Sali Berisha papritmas u bë nismëtar i një proteste të befasishme që kulmoi me bojkotin e demokratëve të vijimit të bisedimeve për reformën në drejtësi.

Berisha sot kërkoi në mënyrë eksplicite ndërhyrjen e Presidentit të Republikës për të shkrirë parlamentin, për arsye që nuk janë në rendin e ditës së Kuvendit.

“Prej mëse tre javësh vazhdon grushti i shtetit brenda shtetit, vazhdon grushti i shtetit konsumuar nga përvetësimi i fuqisë kushtetuese nga pushteti, anashkalojnë pushtetin që Kushtetuta i jep Gjykatë Kushtetuese dhe marrjes së këtij pushteti nga Parlamenti. Prej tre javësh, vazhdon bllokimi i vendimit të Gj. Kushtetuese, që, ata deputetë të cilët kanë përdorur mandatin për fitime vetjake për pasuritë publike, duhet të dorëzojnë menjëherë mandatin. Kjo është një nga situatat më të rënda në vend, një situatë të cilën në vende të tjera, por jo në Shqipëri, përmbarues i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është Presidenti i vendit, në Kushtetutë. Ndërsa këtu është e shkruajtur se është Gjykata Kushtetuese garante e Kushtetutës dhe përmbarues bëhet cilido nga pushtetarët”, theksoi Berisha.

Duke iu drejtuar direkt Nishanit, Berisha i dha kete udhezim publik: “Presidenti i Republikës duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët konstitucionalistë më të mirë të vendit, për të marrë këshillën dhe për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetueses, ndaj këtij grushti shteti që ka konsumuar Parlamenti. Kur një institucion i merr pushtetin në mënyrë antikushtetuese institucionit tjetër, ky quhet grusht shteti brenda shtetit”.

Nuk ka vonuar edhe reagimi i presidentit Bujar Nishani, i cili u thërrit sot në lojë nga ish-shefi i tij.

I pyetur nga gazetarët lidhur me shkrirjen e mundshme të Parlamentit, kreu i shtetit ka deklaruar se në çdo rrethanë Presidenti do të ndjekë dhe do të zbatojë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën, duke mos e përjashtuar një mundësi të tillë.

Deklaratat e presidentit Nishani u bënë pas homazheve që zhvilloi pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku u prit nga Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit, Jan Rudolph, i cili e konsideroi këtë vizitë si shprehje dhe simbol i solidaritetit të sinqertë e të palëkundur të popullit shqiptar.

SHKARKO APP